E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohet vrasësi i 27-vjeçarit, shpallet në kërkim

Shkodër


SHKODËR - Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në këtë qytet, ku mbeti i vrarë 27-vjeçari Olsi Prekë Curri, lindur e banues në lagjen "Skënderbej".


Gjithashtu është identifikuar autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Alfons Rrok Fusha, 25 vjeç, lindur e banues në lagjen "Tom Kola", është shpallur në kërkim pasi, sipas policisë së Shkodrës, ai është autori i vrasjes me armë zjarri të 27-vjeçarit Curri, si dhe plagosjes së rastësishme të një 31-vjeçareje që ndodhej pranë vendit të ngjarjes. Sipas policisë, Olsi Curri është vrarë i qëlluar me armë zjarri pistoletë. Motivet e dobëta kanë qenë shkak i këtij krimi.


Viktima ka shkuar pasditen e djeshme për të luajtur futboll tek një ambjent privat, kalçeto. Aty ai ka debatuar me autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje 25-vjeçarin Fusha, pasi gjatë lojës viktima e ka dëmtuar pak në këmbë. Ata janë grindur me njëri - tjetrin dhe kanë tentuar të përleshen fizikisht, por personat e tjerë që ishin të përfshirë në lojë kanë ndërhyrë dhe i kanë ndarë.


Pas kësaj, 27-vjeçari Curri është larguar nga fusha ku po luante. 25-vjeçari Fusha i cili e ka ndjekur me makinë dhe e ka parë që Curri është ndalur në një lokal jo larg shtëpisë së tij. Pasi ka siguruar pistoletën, Fusha që sipas policisë dyshohet të jetë autor i kësaj vrasjeje, e ka pritur viktimën pak minuta derisa ai ka dalë nga lokali dhe e ka qëlluar me pistoletë nga makina ku ndodhej dhe nga një distancë e afërt.


Ai ka qëlluar katër herë, por 27-vjeçarin e ka kapur vetëm një plumb, i cili i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Një plumb ka kapur në krah dhe një 31-vjeçare që ndodhej duke blerë në një dyqan ushqimor ngjitur me vendin e ngjarjes, e cila është jashtë rrezikut për jetën. Policia po punon për kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, i cili akuzohet për "vrasje me
paramendim", "plagosje nga pakujdesia" dhe "armëmbajtje pa leje".


Fushë-Krujë


Vrau në 2001-shin në Angli, vihet në pranga 38-vjeçari
Fushë Krujë- Policia ka vënë në pranga mesditën e djeshme Afrim Cubin, i akuzuar për vrasjen e Frederik Ndrekës në kryeqytetin anglez Londër në vitin 2001.


Arrestimi është kryer rreth orës 14:00 në qytetin e Fushë-Krujës duke zbatuar kështu vendimin e Gjykatës së Krujës, e cila kishte caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për 38-vjeçarin. Burimet zyrtare shprehen se i arrestuari akuzohet për vrasje me dashje.


Në bazë të provave të siguruara nga autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar rezulton se ka dyshime të bazuara se gjatë vitit 2001, personi nën hetim, Afrim Cubi, më dt. 17 janar të vitit 2001, rreth orës 19:30 ka vrarë shtetasin Frederik Ndreka. Ngjarja ka ndodhur në Kent-Angli, pas një sherri banal, ku autori ka qëlluar me thikë viktimën në një lokal.


Burimet zyrtare deklarojnë se Cubi ndodhej si emigrant në Mbretërinë e Bashkuar dhe se për autoritetet britanike ai ishte deklaruar si shtetas kosovar. Menjëherë pas ngjarjes, 38-vjeçari ishte larguar dhe ishte kthyer në banesën e tij në Fushë-Krujë për t'i shpëtuar dënimit. Arrestimi i tij u krye 8 vjet pas ngjarjes, pas mbërritjes së kërkesës nga Interpol Londër.


Gjatë ndërhyrjes së uniformave blu për arrestimin e tij, Cubi, nuk ka kundërshtuar në momentin e prangosjes në qendër të qytetit të vogël. Sipas burimeve, viktima e tij ka qenë nga Shkodra, ndërsa krimi mësohet se ka ndodhur në një lokal në kryeqytetin anglez.


Tentohet grabitja me armë e agjencisë së këmbimit valutor


TIRANË- Kërcënohet me pistoletë në kokë punonjësja, tentohet grabitja e agjencisë së transfertave të parave në rrugën e Durrësit. Ngjarja ndodhi dje në mesditë kur një person ende i panjohur hyri me armë në një pikë të një agjencie të transferimit dhe këmbimit të parave, me qëllim grabitjen e vlerës monetare që ndodhej në arka.


Alarmi i rënë në brendësi të dyqanit, bëri që personi me armë në dorë të lërë të qetë shitësen dhe më pas të largohet që andej me qëllim për t'i shpëtuar arrestimit të policisë, për tentativën e grabitjes.


Lajmi u bë i ditur për "Shekullin", nga burime të policisë së kryeqytetit të cilët pohuan se menjëherë pas rënies së alarmit në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur disa shërbime të uniformave blu, për të zbuluar ngjarjen dhe identifikuar autorin e mundshëm të tentativës. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes oficerët e hetimit Grabitjeve me Armë, morën deklarimin punonjëses së shërbimit.


Po kështu ata kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa prej kasetave filmike të kamerave vëzhguese brenda dhe jashtë ambientit me qëllim marrjen e pamjeve të personit të armatosur që hyri në ambientet e agjencisë së këmbimit valutor dhe të transfertave monetare.


Punonjësja e agjencisë i pohoi policisë se një person me kapele i kishte drejtuar pistoletën në kokë asaj dhe i kishte kërkuar shumën e parave që ndodheshin në arkë.


Kjo situatë ka zgjatur vetëm pak çaste pasi në ambientet e policisë dhe në agjenci është dëgjuar sinjali i alarmit që sijalizonte rrezikun. Policia tha se ka shoqëruar disa persona për ngjarjen dhe se po heton autorësinë e mundshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›