Vrasja e vëllait në Laprakë, për 500 lekë
Prokuroria mbyll hetimin ndaj adoleshentit të akuzuar për krimin në familje
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të 15- vjeçarit Granit Marku, duke akuzuar për akuzën e "vrasjes me dashje" të vëllait të tij pas sherrit për 500 lekë të reja, në fshatin Laknas të Tiranës. Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, kancelaria e së cilës me anë të shortit elektronik ka caktuar treshen gjykuese të kësaj dosjeje të kryesuar nga gjyqtari Artan Broci. Sipas dosjes penale me nr.1993 të dorëzuar pranë togave të zeza më 15 shtator 2009, i pandehuri Granit Marku ka konsumuar veprën penale të "vrasjes me dashje" të vëllait të tij.
Vrasje kjo që ka ndodhur pasditen e datës 8 mars 2009, konkretisht rreth orës 18:15 minuta në banesën e tyre në fshatin Laknas të kryeqytetit. Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Marku njihej në fshat si person me precedente penale pasi disa muaj para se të ekzekutojë vëllanë e tij me thikë, kishte grabitur kryetarin e Bashkisë së Pukës po në Laknas me ndihmën e një pistolete duke i marrë një sasi lekësh. Ka qenë pasditja e datës 8 mars të këtij viti, kur 15- vjeçari Marku është ngritur për të dalë nga shtëpia dhe i ka kërkuar babait të tij një shumë prej 500 lekësh të reja për para xhepi. I ati ka refuzuar t'ia japë, duke sjell acarimin e Markut 15- vjeçar që ka filluar të shajë e kërcënojë nëpër shtëpi njerëzit e tij të familjes për mos dhënien e lekëve. Në këto momente ka ndërhyrë i vëllai i madh, Alberti, duke tentuar ta qetësojë vëllanë, por ndërhyrja e tij e ka irrituar më shumë 15 -vjeçarin i cili ka filluar të zihet edhe me vëllanë e madh.
Ky i fundit në gjaknxehtësi e sipër e ka qëlluar me shuplakë të dorës në fytyrë, që ka bërë që 15- vjeçari të nxjerr një thikë të vogël (biçak) që mbante në xhep dhe e ka qëlluar tre herë vëllanë e tij. Familjarët e tjerë duke parë gjakderdhjen e plagëve të Albertit e kanë marrë këtë të fundit për ta dërguar në Spitalin Ushtarak, por nuk ka mundur t'i shpëtojë gjakderdhjes dhe ka vdekur. Menjëherë në zonë kanë shkuar forcat e policisë së Komisariatit nr.5 të cilët kanë mundur ta arrestojnë 15- vjeçarin Marku vetëm pak metra nga banesa e tij ku dhe ka kryer vrasjen e vëllait. Mësohet se para prokurorisë dhe efektivëve blu i pandehuri Granit Marku ka pranuar krimin, duke shprehur pendesë të thellë dhe është shfajësuar para tyre se vrasjen e ka kryer në gjaknxehtësi e sipër.