E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Institucionet të respektojnë ligjin për zhurmat"

Qamil Meçe, banor në Bulevardin "Gjergj Fishta"
Populli paguan taksat që këto institucione të mbrojnë interesat e qytetarëve, prandaj këto duhet të bëjnë punën e tyre.

Banorët e kryeqytetit ia hedhin fajin institucioneve shtetërore, për mos zgjidhjen e ankesave të tyre, për ndotjen akustike. Për të ulur nivelin e lartë të zhurmave në Tiranë apo dhe në rrethet e tjera të vendit, banorët kërkojnë që policia të tregohet më aktive në ruajtjen e qetësisë publike. Qamil Meçe, banon prej tetë vitesh pranë Gjykatës së Tiranës dhe sipas tij zhurmat vazhdojnë të jenë shqetësuese, por më pak të bezdisshme se disa muaj më parë. Për banorin, e vetmja zgjidhje është që të gjitha institucionet përgjegjëse për të ulur fenomenin e ndotjes akustike, duhet të veprojnë për të marrë parasysh çdo ankesë të banorëve.
A ju shqetësojnë zhurmat në lagjen ku banoni?
Unë po bëj tetë vjet që jetoj në Tiranë dhe ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit zhurmat kanë qenë më të pakta. Banoj pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Bulevardin "Gjergj Fishta" dhe para ca kohësh zhurma ka pasur, por tani sikur është qetësuar pak situata. Papunësia sjell shumë probleme të tjera, pasi të rinjtë detyrohen të rrinë në lokale dhe këto të fundit sjellin dhe zhurma për banorët.
Pse ka kaq zhurma në Tiranë?
Politikanët mendojnë vetëm për karriget e tyre, duke mos zgjidhur ankesat që kanë banorët. Vendi është mbushur plot me lokale. Por edhe po të ndërtohen në periferi do të shqetësojnë banorët që jetojnë atje. Pra nuk është se zgjidhet përfundimisht problemi i zhurmave nëse lokalet e natës ndërtohen në periferi, por duhet të merren masa të tjera. Në zonat larg qendrës lokalet do të jenë jashtë kontrollit. Për sa i përket rolit të policisë në këtë problem, duhet të justifikohet puna e tyre, për të ruajtur qetësinë.
Si duhet të zgjidhet problemi i zhurmave?
Institucionet përgjegjëse duhet të luajnë rolin e tyre, duke filluar që nga parlamenti që mund të miratojë ligje të ashpra për të ndëshkuar të gjithë ato biznese që shkaktojnë ndotje akustike. Populli paguan taksat që këto institucione të mbrojnë interesat e qytetarëve, prandaj këto të fundit duhet të bëjnë punën e tyre.

Kapo Goxhaj, "Rruga e Kavajës"
Policia Bashkiake duhet të vendosë orare për veprimtarinë e lokaleve gjatë natës
"Të moshuarit nuk mund të jetojnë mes zhurmash"
A ju shqetësojnë zhurmat?
Afër shtëpisë time nuk ka shumë zhurma të larta, por në disa lagje të Tiranës, banorët janë të shqetësuar nga ky fenomen dhe kjo është skandaloze. Policia Bashkiake duhet të vendosë orare për veprimtarinë e lokaleve të natës dhe nëse nuk respektojnë oraret të vendosë gjoba. Masat mund të jenë dhe më të rënda, duke mbyllur dhe lokalin që shkakton zhurma të bezdisshme për banorët. Të moshuarit dhe të sëmurët nuk e shtyjnë dot në mes të zhurmave dhe nuk mund të vazhdohet me këtë mënyrë, ku një fiton dhe të tjerët humbasin. Sa më shpejt Bashkia duhet të marrë masa.
Gjatë verës kanë qenë shqetësuese zhurmat?
Kanë qenë dhe janë akoma, sidomos nga zona e ish- Bllokut. Unë kam shumë shokë në këtë zonë dhe ato ankohen se kanë zhurma të pa durueshme.
A duhet të ndërtohen lokalet e natës në periferi?
Duhet të ishin ndërtuar me kohë. Ato që do t'i frekuentojnë me siguri të gjithë janë me makina, se nuk do të shkojnë fukarenjtë.

Deri në orët e vona të natës punojnë më shumë se shtatë lokale që krijojnë zhurma shqetësuese për banorët.
"Lokalet e natës të ndërtohen në periferi"
Më të shqetësuar për zhurmat janë banorët e zonës së ish- Bllokut. Prania e shumë lokaleve në këtë zonë që punojnë gjatë natës, si dhe qarkullimi i dendur i automjeteve ka bërë që zhurmat të jenë në nivele të larta. Banorët shprehen se lokalet fillojnë të punojnë të gjithë të njëjtën kohë, duke krijuar zhurma të pa durueshme për banorët. Si zgjidhje të këtij problemi, banorët pohojnë se lokalet që duan të punojnë edhe gjatë orëve të vona të natës të ndërtohen në periferi dhe larg qendrave të banimit.
Ka zhurma që ju shqetësojnë në lagjen ku banoni?
Zhurma ka sa të duash. Unë banoj në zonën e ish- Bllokut dhe aty dëgjohen lloj-lloj zhurmash. Në dy të natës aty janë shtatë lokale që të lënë pa gjumë deri në orët e vona. Përveç kësaj janë dhe makinat që qarkullojnë si dhe zhurma e klientëve që frekuentojnë lokalet.
Si duhet të zgjidhet ky problem?
Mesa di unë në të gjithë Evropën, pab-et që punojnë gjatë natës ndërtohen në zona periferike. Edhe këtu le të ndërtohen në periferi të Tiranës.
Janë ankuar banorët për zhurmat?
Banorët janë ankuar, por shqetësimet e tyre nuk i ka marrë njeri parasysh.

Xhorxhi Bitri, Rruga "Myslym Shyri"
"Të ketë një orar për lokalet e natës"
Xhorxhi Bitri jeton në Rrugën "Myslym Shyri" dhe tregon se zhurmat vazhdojnë të jenë shqetësuese për banorët. Ai tregon se më e bezdisshme është zhurma që shkaktohet nga lëvizjet e makinave si dhe nga vetë muzika që përdorin automjetet. Banori i kryeqytetit shprehet se duhet të vendosen kufizime nga Bashkia për lokalet që punojnë natën.
A ka zhurma që ju shqetësojnë në lagjen ku banoni?
Zhurmat vazhdojnë të na shqetësojnë përsëri. Me tepër na bezdis zhurma që krijohet nga makinat. Ku të rinjtë ndezin kasetofonët dhe ngrenë volumin. Kjo lloj zhurme dëgjohet deri brenda në shtëpitë tona. Zhurmat e tjera vijnë dhe nga firmat e ndërtimit, pasi në mes të lagjes ndërtohet si natën ashtu dhe ditën.
Si duhet të zgjidhet problemi i zhurmave?
Duhet të ketë një kufizim për kohën se kur duhet të punojnë lokalet. Deri në orën 00.00 të natës, le të punojnë lokalet se nuk kemi çfarë të bëjmë, por pas kësaj ore duhet qetësi, pasi është e vështirë të qetësohesh kur dëgjon zhurmat.
A duhet të ndërtohen në periferi lokalet e natës?
Kjo zgjidhje do të ishte shumë e mirë.

Reshit Koçi, Banor në lagjen "Ali Demi"
"Institucione të specializuara të eliminojnë zhurmat"
Unë banoj në lagjen "Ali Demi" dhe aty zhurmat janë më të pakta në krahasim me disa zona të tjera në Tiranë. Qytetarët kërkojnë qetësi dhe institucionet shtetërore duhet të punojnë për të garantuar qetësinë publike, duke eliminuar dhe zhurmat e tepërta, sepse është një detyrim ligjor. Në këtë rast shteti është një rregullator. Duhet të ketë institucione të specializuara që duhet të merren më eliminimin e ndotjes akustike. Kur themi, Evropë , duhet të shkojmë drejt standardeve që kanë shtetet e tjera. Për zhurmat, nuk duhet të gëzohet një person dhe të shqetësohen me mijëra të tjera, në mënyrë të pa ligjshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›