3 mijë euro për një vizë false
Mbyllet hetimi për 10 t akuzuar për trafikut të klandestinësh
TIRANË- Një bandë kriminale që specialitetin e saj e kishte në falsifikimin e pasaportave dhe vizave me qëllim transportimin e qytetarëve të ndryshëm në Greqi kundrejt shumave 3000 deri 4000 euro, është shkatërruar plotësisht nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës.
Drejtuesi i saj, i pandehuri Luan Klosi, kishte arritur të organizonte një rrjet të mirëfilltë në qytetet Tiranë, Elbasan, Cërrik, Korçë, Ersekë, Sarandë, Gjirokastër e të tjerë, ku në bashkëpunim edhe me 9 persona të tjerë, arrinte të organizonte kalimin e shtetasve të ndryshëm në kufirin Shqipëri-Greqi, në mënyrë të paligjshme.
rgani i akuzës aktualisht ndaj drejtuesit të këtij rrjeti klandestinësh si dhe ndaj personave të tjerë ka mundur të sigurojë prova të pakontestueshme, si përgjime, filmime, foto, e të tjera.
Nga veprimet hetimore të prokurorit Blerim Tominaj është provuar se në pranverën e vitit 2008, agjentët e policisë kanë arritur të marin informacion se në vendin e quajtur "Zogu i Zi", në disa lokale shtetasi Luan Klosi merrej me falsifikimin e vizave dhe pasaportave. Menjëherë agjentët janë infiltruar si persona që kishin interes të largoheshin në Gjermani, dhe janë pajisur nga i pandehuri Luan Klosi me një vizë Gjermane të falsifikuar.
Nga ky moment strukturat e hetimit të krimit janë organizuar në disa rrethe, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjitha linjave të klandestinëve si dhe identifikim e personave që i ndihmonin ata për kalimin e paligjshëm të kufirit tokësor Shqipëri-Greqi.
Kështu gjatë procesit hetimor rezultoi se të pandehurit: Alfred Cikani, Myftar Pregazaj, Gurali Bardhi, Korab Lama, Ardian Berisha, Fatmir Vukaj, Përparim Lala, Dashamir Halilaj dhe Thanas Todhri, bashkëpunonin me drejtuesin e grupit, shtetasin Luan Klosi.
Tashmë, pritet që këta të pandehur të gjykohen pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, për kryerjen e veprave penale të "ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit"; "falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave" dhe "falsifikimit të dokumenteve".