E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHISH denoncoi Kriston, pas thirrjeve dhe mesazheve ekstreme

Gjykata, vendosi kontrollin e banesës së të akuzuarit për terrorizëm pas kërkesës së prokurorisë që paraiqiti si prova mesazhet e elektronike të të arrestuarit


Kristo ftonte myslimanët në forume: Xhihadi detyrim për çdo mysliman, të vritemi por edhe të vrasim. Urojmë që kjo ditë të vijë shpejt


TIRANË- "Xhihadi është lufta e shenjtë dhe është obligim dhe detyrim për çdo myslimanë jo vetëm të vritet, por edhe të vrasim qafirët që janë bërë pengesë e vendosjes së shtetit islam, urojmë që kjo ditë të vijë shumë shpejt". Me këto fjalë dhe të tjera të kësaj natyre, që prej organit të akuzës janë cilësuar si nxitëse për akte terroriste, i arrestuari Artan Kristo i njohur ndryshe edhe me emrin fetar Muhamed Abdulla Al Albani, i ka ftuar "vëllezërit" e tjerë mysliman të përgatiten për ditën kur do të fillojë "Lufta e Shenjtë", Xhihadi.


Këto dhe fjalët e tjera nxitëse, të thëna e shkruara nga Kristo në tri faqe të ndryshme interneti (forume myslimane) janë mbledhur dhe renditur nga përfaqësuesit e akuzës, duke i përdorur para Gjykatës së Shkallës së Parë dhe duke e bindur këtë të fundit të caktojë masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj Kristos.


Përveç vendimit të masës së sigurisë, togat e zeza vendosen gjithashtu që dosja penale në ngarkim të Kristos t'i kaloi për kompetencë prokurorisë dhe Gjykatës së Durrësit si dhe janë urdhëruar oficerët e policisë gjyqësore të kryejnë kontrollin e banesës dhe klinikës mjekësore të përdorur nga i arrestuari në qytetin bregdetar.


Sipas vendimit të togave të zeza të firmosur nga gjyqtari Gerd Hoxha, ky i fundit ka lejuar oficerët e policisë të kryejnë kontrollin e imtësishem në ambientet e banesës tre katesh që ndodhet në lagjen "Troplini" në fshatin Rrashbull të Durrësit dhe në klinikën mjekësore që ndodhet në banesën dy katesh në rrugicën e Gjykatës së Apelit Durrës, konkretisht rruga "Bajram Curri", lagjia 14 Shkozet që përdorej nga i arrestuari Krsito.


Sipas këtij vendimi që mban nr. 1534, kanë qenë agjentët e Shërbimit Informativë Shtetëror (SHISH) që kanë hasur këshillat dhe propagandën e "imamit" Abdulla Al Albani (Artan Kristo) në faqet e internetit www.forum.islamik.com dhe www.udhezimedhedrita.net.


Gjithashtu, përveç këshillave dhe propagandës për të kryer vepra me qëllime terroriste, sipas akuzës, i arrestuari Kristo nëpërmjet komunikimit në rrugë telefonike dhe elektronike në faqen e internetit të moderuar nga ai vetë www.albselefet.net shfaqet duke synuar mbështetjen ose kryerjen e veprave për qëllime terroriste.


"Nga shqyrtimi i materialeve hetimore, ka rezultuar se kallëzimi penal në prokurori ka ardhur me datë 10 qershor 2009 nga Shërbimi Informativ Shtetëror, ku edhe është regjistruar procedimi penale me nr. 2915, viti 2009, që bënë fjalë për veprën penale të "Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste" nga i arrestuari Artan Kristo"-thuhet në vendimin e gjykatës.


Sipas këtij vendimi, "imami" Abdulla Al Albani ka përfunduar arsimin e lartë fetar në Libi dhe është i martuar me dy gra dhe ka disa fëmijë, rritjen dhe ushqimin e të cilëve e siguron duke ushtruar profesionin "mjekut popullor" dhe predikuesit të fesë islame nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejt me njerëzit, në rrugë telefonike dhe elektronike.


"Artan Kristo prej një kohe të gjatë bënë propagandë radikale islamike të llojit salafit-tekfirist, me një grup të vogël të rinjsh, në Rrashbull dhe Golem të Durrësit, duke dhënë këshilla radikale islamike. Këto këshilla dhe këtë propagande Kristo e realizon edhe nëpërmjet faqeve të internetit me frymë islame.


Nisur nga përmbajtja e këtyre pamjeve filmike, këshillave dhe propagandës organi i akuzës pretendon se i arrestuari Kristo nxitë urrejtje fetare, e cila rrezikon përçarjen sociale në familjet shqiptare dhe mirëkuptimin e bashkëjetesës brenda komunitetit mysliman dhe më gjërë"-thuhet në vendimin e gjykatës.


Gjithashtu, mësohet se në rrugë operative dhe me metoda specifike prokuroria ka mundur të siguroi biseda të ndryshme të kryer nga katër numrat telefonik, nga një adresë elektronike interneti si dhe tre faqet zyrtare të forumeve islamike që përdoreshin nga vetë i arrestuari, në komunikim me personat e tjerë.

Sipas akuzës, i arrestuari Kristo dyshohet se nëpërmjet këtyre komunikimeve me persona të tjerë dyshohet se ka kryer veprën penale të "Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste".


Provat dhe arsyet e autorizimit për kontrollin e banesës së Kristos

TIRANË- "Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kërkoi nga Gjykata dhënien e autorizimit për kontrollin e ambienteve të banesës 3 katesh që ndodhet në lagjen "Troplini", në fshatin Rrashbull të Durrësit si dhe në klinikë mjekësore që ndodhet në një banesë 2 katesh në rr."Bajram Curri", lagje 14, Shkozet, Durrës, ku personi nën hetim Artan Kristo ushtronte aktivitetin e tij.


Ky kontroll kërkohet me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve dhe gjurmëve të cilat përbëjnë prova materiale, për zbardhjen e hetimeve, për llogari të procedimit penal nr.2915, viti 2009, në ngarkim të personit nën hetim Artan Kristo, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të "Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste".


Në rastin konkret, Gjykata vëren se, ekziston dyshimi i arsyeshëm se, në ndërtesat e lartpërmendura, ku banon dhe ushtron aktivitetin e tij personi nën hetim Artan Kristo, mund të fshihen prova materiale, të dhëna apo, gjurmë të sendeve që i përkasin veprës penale...


Këto përfundime rezultuan të provuara nga administrimi në seancë i provave të paraqitura nga Prokuroria të cilat janë: urdhër për regjistrimin e procedimit penal nr.2915, të datës 27 gusht 2009; kërkesë nr.1845 protokolli të datës 27 gusht të SHISH-it për fillimin e ndjekjes penale bashkëlidhur shkresën nr.1845/1\prot, të datës 31 gusht 2009 me dokumentacionin mbështetës ; vendim per këqyrjen e faqes së internetit www.albselefet.net, etj...; vendimi nr.98 Akti, të datës 10 shtator 2009 të Gjykatës së Tiranë; të dhëna personale të personit nën hetim Artan Kristo, proces-verbale të transkriptimit të bisedave; e në tërësi materiali i procedimit penal nr.2915, viti 2009, në ngarkim të personit nën hetim Artan Kristo, i sjellë për vlerësim nga Prokuroria e kryeqytetit...."

Deklarimet për nxitje të akteve terroriste


TIRANË- Nga hetimi i çështje, ka rezultuar se "imami" Artan Kristo në përmbledhjen e deklaratave të tij për luftën e Xhihadit është shprehur: "...ka pasur, ka dhe do të ketë Xhihad, i cili është obligim dhe detyrim për çdo mysliman, deri ditën e gjykimit të tij....;...në Xhihad shkohet për të luftuar e për të vrarë qafirët, që janë bërë pengesë për vendosjen e shtetit islam, drejtësisë, pra, duhet të kesh me ç'farë të vrasësh.... ;...normalisht ne pranojmë edhe të vritemi sepse Xhihadi është luftë e shenjtë dhe obligim për myslimanin, por, jo vetëm të vritemi por, edhe të vrasim...;....ne jemi pro Xhihadit, lutemi që të vij ajo ditë që të na mundësohet ta ndihmojmë islamin, ta bëjmë Xhihadin me anë të fjalës, forcës së krahut, bombës,...por duhet të përgatitemi sa më shumë që të kemi mundësi kur të vij koha, që inshalla vjen shumë shpejt....."-thuhet ndër të tjera në citimet e përzgjedhur nga organi i akuzës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›