Identiteti i shëmtuar “europian"i të Pamenderëve!
Në vitin 1999, kryeministri turk i asaj kohe, Mesut Yilmaz, do të bënte një deklaratë që do të cilësohej nga ato deklaratat e "tipit të fortë"në bashkësinë ndërkombëtare. "Nëse Bashkimi Europian është një klub i Krishterë, Turqia nuk do dhe as nuk duhet të anëtarësohet aty. Nëse Bashkimi Europian, është një klub vlerash, idesh, kulturash dhe përparimi, atëherë edhe ne kërkojmë vendin tonë aty"tha ai. Mesut Yilmaz, i përkiste qendrës së djathtë në Turqi, dhe ishte pasuesi i Turgut Ozalit, liderit më vizionar turk që nga vitet 50 të shekullit të kaluar në Turqi. Në atë kohë, Ankaraja ishte përfshirë nga diskutimi i "identitetit dhe përkatësisë”, shumë i përfolur tashmë në qarqet shqiptaro-kosovare, me një ndikim të madh të Ismail Kadaresë. Kanë kaluar rreth 7 vjet, dhe Turqia duket se është marrë seriozisht nga Bashkimi Europian, që çuditërisht ka vendosur të pranojë në gjirin e vet, vende që nuk janë as sa gjysma e Turqisë për nga fuqia ekonomike, ushtarake, të drejtat e njeriut etj (bëhet fjalë për Bullgarinë dhe Rumaninë). Kjo solli edhe pyetjen, tashmë jo më për identitetin e atyre që duan të hyjnë, por të asaj se çfarë është Bashkimi Europian, çfarë përfaqëson ai, çfarë kriteresh duhet të përmbushin aspirantët për tu bërë pjesë e kësaj familjeje? Turqia, kërkoi të pranohej ashtu siç ishte, një shtet laik(shekullar), por me përkatësi fetare muslimane të qytetarëve të saj që arrin në 99,99 përqind, sigurisht duke u përpjekur të përmbushë ato që Brukseli po i kërkon. Tashmë edhe Shqipëria ndodhet në portat e integrimit, me përkatësitë fetare që variojnë, por që në thelb të gjithë muslimanë e të krishterë, kërkojnë të bëhen pjesë e asaj që quhet Familje Europiane. Mediat shqiptare kanë gëluar kohët e fundit nga hidhepritjet mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses, aq sa njerëzit e thjeshtë kanë bërë pyetjen: Për çfarë po zihen dhe kush ka të drejtë? Në zallamahi u përfshinë edhe emra të tjerë, që dalin në kësi rastesh, të gatshëm për të turbulluar ujrat e aspak për të qartësuar çështjen. Por në thelb, ata që e kuptuan, dhe sidomos kur ishim muslimanë, nuk kishte sesi të mos prekeshin nga ajo që mund të quhet "jargavitje"e "të madhit"Kadare, për Europeanizmin e tij të madh! Gjithkush mund të mendojë se gjyshërit e stërgjyshërit kanë gabuar, është normale, por nuk mund të fajësohen miliona shqiptarë se zgjodhën një rrugë, dhe kjo për arsye të ndryshme, në kohë dhe rrethana të ndryshme. Nëse zoti Kadare, mendon se Bashkimi Europian është një klub i Krishterë dhe nëse kjo konfirmohet nga Barroso, Solana apo ndonjë tjetër në Bruksel duke nënkuptuar se ne duhet të konvertohemi, muslimanët shqiptarë nuk kanë pse të duan dhe nuk duan të jenë pjesë e asaj familjeje. Zoti Kadare, i ka përdorur të gjitha rrugët për tu bërë "i madh”, që nga jargavitja pas Enverit e Ramizit, braktisja si mi e anijes në fundosje, deri tek lëpirja pas të dyshimtave prirjeje të tij europiane. Dhe ka ndryshuar shume petka në kohë. Dhe ka ndryshuar shumë syze për ta parë realitetin. Por mbi të gjitha duhet të ndryshonte emrin! Ndryshe nga Agolli i madh dhe idealist, që respektohet deri në një edhe nga Berisha kur vjen puna, Kadaresë duket se pleqëria nuk i ka ardhur për mbarë. Shqiptarët në historinë jo shumë të largët, nën atë të Perandorisë Osmane, zgjodhën Islamin për arsye të ndryshme, kush të pasuronte anën shpirtërore, kush të zinte një post në administratë, ushtri, polici e të bënte karrierë, e ndonjë tjetër vetëm tu shpëtonte taksave e të shkollonte fëmijët. Konvertimi është përfolur shumë, por dalëngadalë, historia e shëmtuar anti-islame dhe anti-osmane e shkruar në Moskë dhe e kënduar nga ne në shkollat shqiptare, që Kadare e ka mbështetur aq shumë në atë kohë por edhe tani, po zëvendësohet më të vërtetën e madhe: shqiptarët nuk janë konvertuar me dhunë në fenë islame. Nisur nga vetë karakteri tolerant dhe liberal i tyre, por edhe i Perandorisë Multietnike (historianët do më konfirmojnë), shqiptarët në histori kanë qenë të parët në këtë rajon që kanë përqafuar Krishtërimin, dhe më pas dy degët e tij Ortodoksinë dhe Katolicizmin si dhe më në fund Islamin. Shqiptarëve nuk mund tu kërkohet hesap pse kanë bërë këtë përzgjedhje, e aq më tepër nuk mund tu kërkohet hesap tani pse ata i besojnë Zotit në atë mënyrë. Nëse do fillojmë të kopjojmë edhe ne mënyrën e besimit te Zoti, ai nuk është më besim, por një poshtërsi meskine. Kokat"e Tiranës, e në këtë grup hyjnë shumë të dashuruar të "identitetit europian të shqiptarëve”, nuk bëjnë tjetër vçse i tërheqin shqiptarët drejt një kopjacie telenovelash. Por ata jo vetëm që s`kanë të drejtë të të tundin para hundës pasaportën europiane për të lënë një besim fetar, por nuk kanë as të drejtë ta përflasin këtë besim, pasi bëhen gazi i botës me injorancën dhe paditurinë e tyre. Ismail Kadare, po mundohet të bëhet edhe historian, edhe politolog, edhe gjuhëtar, edhe poet, edhe diplomat, edhe … edhe… Si një lexues i gjithë veprës së tij, thjesht do t`i lutesha: qëndro vetëm shkrimtar, dhe shqiptarët do të të mbajnë mend për këtë! Në të kundërt ky insistim i tij, për tu rënë në qafë muslimanëve, ka nisur të bjerë erë dhe duket se po bëhet me qëllim, dhe sigurisht në mënyrë të koordinuar edhe me emra të tjerë "të papunësh"që qëndrojnë gati në Tiranë, sapo agai i Parisit tu hedhë ndonjë kockë. Muslimanët shqiptarë s`duan as mjekrra të importuara, as probleme të sajuara, e as imazhet e nxira! Ata nuk duan që Shqipëria të mbartet në Arabi, Siri, apo Afganistan, ashtu siç nuk duan të mbartet as në Itali, Stamboll, Athinë, apo Paris! Muslimanët shqiptarë duan të jetojnë në vendin e tyre, pa u paragjykuar, pa u denigruar, pa u përfolur dhe pa u përballur me kërkesa idiote për tu konvertuar masivisht "si shiu në breshër”. Ata duan të bashkëjetojnë siç kanë bashkëjetuar me vëllezrit e tyre shqiptarë të besimeve të tjera, dhe pse jo edhe me miqtë dhe aleatët në këtë botë të integrimit dhe globalizmit. Faik Konica do thonte se toleranca fetare e shqiptarëve, nuk rrjedh nga "rrumpallhania”, pra ngaqë ata nuk pyesin shumë për din e iman! Toleranca ka qenë karkateri i tyre që nuk e theu apo tjetërsoi as 1967-a e zezë që Kadareja e paska përshëndetur (i referohem profesor P.Xhufit). Nëse Kadare e ka përshëndetur vërtet, ai nuk duhet të ulet në një tavolinë me At Zef Pëllumbin, një njeri i madh i fesë dhe letrave (dhe me Maks Velon jo e jo njëherë)!. Por janë pikërisht këta intelektualucë, dhe dirigjentët e tyre të fshehtë e të errët që thjesht mund të quhen "të pa mendere”, të cilët mbjellin jo tolerancën. Ata mbjellin urrejtjen, përçarjen dhe fanatizmin, më shumë sesa 67-a e zezë e Enverit, Ramizit, Mehmetit apo ndonjë skizofreni tjetër që i ra për pjesë ta drejtojë këtë vend. Ata matin pulsin se deri ku dhe deri kur durojnë muslimanët, apo edhe katolikët apo edhe ortodoksët apo edhe bektashinjtë shqiptarë. Dikush po mundohet të matë pulsin me telekomandë në dorë pas perdeve të zaza, dhe po përpiqet të hedhë në erë "urën më tre harqe"që lidh tre besimet e mëdha shqiptare. Ndaj, të nderuar intelektualë të dashuruar pas identitetit europian! të shqiptarëve: përpara se të fluturoni në Romë, Luvër a Nju Jork, uleni menderen tuaj në dyshemenë e shoqërisë ku jetoni, dhe ndihmojeni këtë shoqëri të kalojë traumat që i ka shkaktuar politika, injoranca, mërgimi, skamia, varfëria dhe mungesa e mendimit të lirë, por jo, kurrsesi jo feja dhe besimi. Feja dhe besimi, (madje edhe kur një indian adhuron lopën), janë gjithmonë të mirë, dhe e bëjnë njeriun më të butë dhe bashkëjetues, dhe jo një egërsirë të ashtuquajtur "intelektual" që çirret për çjerrje identitetesh të vjetër, të vjetëruar në fakt nga mentaliteti vjetërsirë i tyre! Fali o Zot, se s`dinë se ç`bëjnë! Amin!