Idetë e reja të Qeverisë së Kosovës për veriun

Rrëfimi i dy ditëve të javës së kaluar, i së martës dhe i të së mërkurës (17 dhe 18 gusht), për kërcënimin e shpalljes së pavarësisë së veriut të Kosovës, sipas të gjitha gjasave, ka qenë një test provues i Beogradit zyrtar për të parë se cili do të jetë reagimi i Qeverisë së Kosovës, i qytetarëve të Kosovës në Mitrovicë (dhe në gjithë vendin), i KFOR-it dhe EULEX-it, i faktorëve më relevantë ndërkombëtarë në Kosovë, po qe se diç e tillë do të ndodhte përnjëmend.
Ndjenja e një shqetësimi të pakontrolluar, i cili kaloi, në disa raste edhe në panik, ka karakterizuar kundërpërgjigjen e autoriteteve më të larta të Kosovës, të cilat, po të kishte organizim dhe planifikim të duhur, qysh moti do të duhej t’i kishin të kryera planet politike dhe të sigurisë, gjithsesi në koordinim me shtetet e Quintit, me KFOR-in, ICO-në (Zyrën Civile Ndërkombëtare) dhe EULEX-in, për reagimin në rast të një veprimi të këtillë në veri të Kosovës, i cili ishte parashikuar, sipas disa analizave, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Po cila është politika e Qeverisë së Kosovës ndaj çështjes së veriut të Kosovës? Cilat janë qëndrimet politike dhe ato të sigurisë të cilat kanë dalë në sipërfaqe javëve dhe muajve të fundit në paraqitjet publike të kryeministrit Thaçi dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepit?
Dy dokumentet publike kosovare që trajtojnë veriun e Kosovës janë Propozimi Gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisaari (i inkorporuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës) dhe “Strategjia për veriun e Kosovës”, e cila i subordinohet Ahtisaarit dhe është në pajtim të plotë me Ahtisaarin, sa u përket qëllimeve të cilat duhet të mbërrihen në këtë pjesë të Kosovës.
Në politikën dhe në shoqërinë kosovare, ka një pajtueshmëri të madhe për këto dy dokumente, por po ashtu, ka vërejtje të mëdha, të arsyeshme, të cilat adresojnë mungesën e mekanizmave konkrete për zbatimin e Pakos së Ahtisaarit, vendosjen e rendit kushtetues dhe integrimin e veriut të Kosovës.
“Strategjia për veriun e Kosovës”, e bërë publike në janar të këtij viti, de fakto, mbeti një dokument që artikulon pozicionin e Prishtinës zyrtare për veriun e Kosovës, por që është ende shumë larg implementimit të tij.
Ndërkohë, kryeministri Thaçi dhe ministri Rexhepi, në paraqitjet e tyre para mediave, kanë shquar tri elemente të reja politike dhe të sigurisë, të cilat objektivisht mëdyshin qëndrueshmërinë e politikës kosovare në përballje me problemin më të madh politik dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës.
Dy prej këtyre qëndrimeve janë shprehur në fjalimin e njohur të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, drejtuar qytetarëve të Kosovës, me 8 qershor (2010). Në këtë fjalim, kryeministri Thaçi, nëse nuk gabojmë, për herë të parë pohoi që pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, po i vjen fundi. Këtë konstatim të tij, Thaçi do ta përsëritë edhe disa herë në javët dhe muajt e ardhshëm, për të mbërritur së fundit, pak ditë më parë, tek qartësimi i tij, që ai mendon që prania ndërkombëtare në Kosovë duhet të mbetet pa kompetencat ekzekutive që i ka, duke u transformuar në misione vëzhguese dhe këshillëdhënëse.
Në Kosovë, tri misione ndërkombëtare kanë kompetenca ekzekutive/ vepruese: KFOR-i (në fushën e sigurisë), EULEX-i (rendi dhe ligji), ICO-ja (jetësimi i Pakos së Ahtisaarit).
Që te tri këto misione, janë pjesë përbërëse e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.
Pa këto misione, pa kompetencat e tyre ekzekutive, pa një partneritet të Kosovës me KFOR-in, EULEX-in dhe ICO-në, nuk mund të integrohet veriu.
Qëndrimi i dytë i kryeministrit Thaçi në fjalimin e tij të 8 qershorit, ka të bëjë me trajtimin politik të veriut të Kosovës. Po e citojmë në tërësi fjalinë e Thaçit: “Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të krijuar të njëjtat mundësi për qytetarët që jetojnë në veri të lumit Ibër. Duhen ide të reja. Sigurisht se në relacionet e Kosovës dhe Serbisë, në ecjen drejt anëtarësimit të plotë – dhe të barabartë në Bashkimin Evropian, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, mund të gjejmë forma të reja të bashkëpunimit, që njohin natyrën e veçantë rajonale të Kosovës veriore, duke ruajtur tërësinë e saj të plotë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona”.
Kryeministri Thaçi, përmes këtij qëndrimi të tij, ka treguar gatishmërinë e tij (së paku në këtë fjalim, të 8 qershorit pra), që veriu i Kosovës ta fitojë statusin e Tirolit Jugor (në Itali). Idetë e reja dhe natyra e veçantë rajonale, të ndërlidhura me mësymjen e Kosovës dhe të Serbisë kah BE-ja, nuk kanë si të shpjegohen ndryshe.
Tiroli Jugor si model është shumë larg Pakos së Ahtisaarit dhe është shumë afër Planit Gjashtëpikësh të Ban Ki-Moonit.
Qëndrimi i tretë ndryshe për veriun e Kosovës, është i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepit, i cili, sa për hir të së vërtetës duhet shtuar këtu, po i përgënjeshtron pohimet e veta të cilat, sipas tij, nuk po transmetohen denjësisht prej mediave vendëse apo edhe së fundit, prej atyre serbe.
Rexhepi kështu një herë ka thënë që poqe se është nevoja, në veri të Kosovës do të dërgohen edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës, e pastaj, ka konstatuar që kjo do të bëhet vetëm në koordinim me EULEX-in. Diçka e ngjashme i ndodhi Rexhepit edhe ditëve të fundit, në komentim të ngjarjeve të paralajmëruara, por të pashënuara, në veri të Kosovës. Ministri Rexhepi mbase është më i thirruri në këtë politikën kosovare për ta ditur që veriu i Kosovës është një temë e përbashkët e sigurisë e Prishtinës dhe e Perëndimit, dhe që veprimet e njëanshme mund të kenë pasoja tragjike për tërësinë territoriale të Kosovës.
(Blerim Shala është nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës)