E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idetë për negociata të reja, joserioze

Qeveria e Kosovës i quan qesharake propozimet për bisedime të reja ndërmjet Prishtinës e Beogradit për statusin e Kosovës.

Zëdhënësi i saj, Memli Krasniqi, ka thënë në një konferencë për gazetarë se idetë që vijnë nga qarqe të ndryshme nga Beogradi apo dikush tjetër, nuk duhet të merren si serioze, ngase bisedime për statusin nuk mund të ketë asnjëherë.

Sipas Krasniqit, ekzistojnë shumë çështje në sferën e bashkëpunimit rajonal, që përfshijnë aspekte të natyrave teknike që janë në funksion të përmirësimit të jetës qytetare, ato çështje për të cilat mund të diskutohet me Beogradin, por assesi për çështje që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës.

“Është qesharake që dikush të bie në grackë të këtyre mendimeve se mund të ketë negociata për statusin e Kosovës edhe një herë. Të gjithë ata që kanë hezitime apo huti të tilla ju themi le t’i heqin, sepse pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, e patjetërsueshme dhe është e përhershme. Kështu që idetë për negociata të tilla që mund të gjenerojnë në Beograd apo diku tjetër janë absolutisht ide të parëndësishme dhe nuk duhet t’i marrim seriozisht, sepse pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”, ka thënë Krasniqi, transmeton KosovaPress.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›