E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idioma e “kafshëve politike”

Nga Arben Idrizi (Express)

E di që do të jem i falur, falë faktit se asgjë nuk falet, nëse zbulohet se ‘idioma e kafshëve politike’ dhe teksti në tërësi merr shtysë nga një shprehje dhe situatë që e keni gjetur tashmë te ‘Trilogjia e Nju Jorkut’, e Paul Austerit. Pra, e dini se tingujt (e paartikuluar, të pakuptimshëm), që i nxjerr dikush i cili nuk di të shprehet në gjuhën tonë të përbashkët janë ‘Idiomë e Zotit’. E marr me mend se ata që pandehin se Zoti e flet gjuhën e tyre, do të ndihen të fyer (edhe pse ky është një pretendim i fryrë nga ana ime), por s’ka arsye për këtë. Ndoshta jo vetëm ndonjë satiriku a ironizuesi me çdo gjë – dhe kushedi pse – kjo do t’i ngjallte asociacionin (por a ngjallin situatat verbale asociacionin e veprimeve fizike?) e asaj sjelljes prej imbecili të Princit Mishkin që thyen pikërisht vazon që e di më mirë se asgjë se kurrë dhe në asnjë mënyrë s’do të duhej ta thyente; me fjalë të tjera, që e thyen pikërisht sepse e dinte se do ta thyente.
Që të jemi më të qartë, të rikujtojmë atë parabolën e ‘dhelprës dhe iriqit’, sipas së cilës dhelpra dhe iriqi kanë lidhur një marrëveshje me pulat që ta ruajnë kotecin e tyre, do të thotë: t’i ruajnë ato vetë. Kemi një situatë absurde dhe ironike për të cilën janë të vetëdijshme të tri palët, pra, duke i njohur vetitë dhe atributet e vetes dhe njëra-tjetrës: iriqi, që është ngrënës i pulave dhe merr rolin e pushtetit suprem të mbarështimit të kotecit; dhelpra, që po ashtu është ngrënëse e pulave dhe merr rolin e, të themi kështu në gjuhën e përditshme, njëfarë nëpunësi; dhe pulat, që e dinë fare mirë se janë subjekt ngrënieje për iriqin dhe dhelprën. Natyrisht, me kohë fillon të ndodhë ajo që pritet (duhet, dihet se do) të ndodhë.
Por, le ta përshkruajmë rrjedhën e parabolës në gjuhën tonë të përditshme të ‘kafshëve politike’ në mënyrë që, siç do të thoshte Shën Augustini, të merremi vesh më lehtë. Kur iriqi (për ta mbrojtur veten?) pas pakënaqësive të shprehura nga pulat, akuzon (me gjuhën demagogjike, pra atë idiomë të ‘kafshëve politike’ që është ndryshe nga gjuha jonë e përbashkët, sado që përdor fjalët e njëjta), kërkon ose tamam e shkarkon nga detyra dhelprën për shkak të vjedhjeve dhe korrupsionit, dhelpra kundërpërgjigjet me po gjuhën demagogjike se procesi është i motivuar politikisht kundër saj, ose se, jo shihe ti por natyrisht, nëse nuk tërhiqen akuzat do t’i bëjë publike fajet e iriqit; sepse iriqi e di fare mirë se dhelpra ia di të gjitha prapësitë, pra akuzat e njëjta: vjedhjet dhe korrupsionin. Apo se, iriqi, që është duke ia montuar mbarë atë lojë, provon ndaj saj një inat personal e profesional. Akuzohet si e ka shmangur një tatim prej nëntë vezësh, ndërsa, pa i luajtur qerpiku, paguan kaucion prej pesëdhjetë vezësh. Kjo gjë shkakton ilaritet te pulat, që tashmë, në mjerimin e tyre, ndalen dhe shikojnë për seri. Duke e ditur në fund se iriqi e dhelpra (që po ashtu e dinë atë gjë), prapëseprapë mbesin aty. Për t’i ngrënë.
Do të më bëhet vërejtje, ndër të tjera, me të drejtë, se, megjithatë, nuk jam shprehur në gjuhën e përbashkët. Por, ndoshta vërejtja më tepër do të duhej të qëndronte te fakti se vetë teksti është thuajse një ‘idiomë e Zotit’, me një strukturë dhe rrjedhë të paqartë e të pakapshme. Dhe nuk e shfajëson as hipoteza e alegorisë si të tillë. Mirëpo, meqë alegoria është një sajesë e përçmimit të realitetit (në të vërtetë, do të thoshte Borgesi, një gabim estetik), atëherë, le të na lejohet ta themi: s’prish punë as kështu. Jo ngase koteci nuk është misterioz po i pistë, por ngase ta dimë jo gjithherë dhe menjëherë ka ndonjë dobi. E vetmja e keqe është, me gjasë, të mos e dimë menjëherë dhe gjithherë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›