Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Kosova
çfarëdo mendimi këshillëdhënës që do të japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë në funksion të mbështetjes të së drejtës historike, etnike, politike, ndërkombëtare të popullit të Kosovës, të shtetit të pavarur të Kosovës! Ne e themeluam shtetin e Kosovës, sepse pa shtet nuk ka liri, nuk ka demokraci, nuk ka të ardhme kombëtare dhe qytetare.
është thënë dhe, nuk është e tepërt të përsëritet se, shqyrtimi juridik / politik pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i çështjes së aktit të themelimit të shtetit të Kosovës po ndodh si rezultat i presionit të padrejtë diplomatik të Serbisë. Kur është fjala për Serbinë dihet se, ajo, çështjen e Kosovës e ka ngritur pranë gjykatë së përmendur si rezultat i politikës së saj ekspansioniste, si rrjedhojë e të vërtetës se, Serbia ka dashur që edhe në fillim shekullin e XXI, shekullin e Rendit të Ri Botëror, Kosovën ta mbajë territor të pushtuar, ta sundojë si koloni! Ky fakt, mbi të gjitha duhet të jetë pikë themel i të gjitha argumentimeve tona, jo vetëm shqiptare për të konstatuar se, shpallja, akti themelues i shtetit të Kosovës ishte dhe është plotësisht legjitim, është në përputhje të plotë me aktet, ligjet e së drejtës ndërkombëtare. Të kemi parasysh se, edhe e drejta ndërkombëtare konstaton se, një entitet mund të bëhet shtet nëse përmbush kriteret e shtetësisë tradicionale të Montevideos, pra të ketë territorin, popullsinë, qeverisjen efektive, kapacitetin për të pasur marrëdhënie ndërkombëtare, pra, kritere të cilat Kosova i ka përmbushur dhe i plotëson. Por, është edhe faktori tjetër thelbësor me të cilin shteti i Kosovës e ka plotësuar edhe kushtin e shpalljes së ligjshme të pavarësisë. është ky, vullneti historik, kombëtar i popullit për tu çliruar nga robëria, nga pushtimi, në rastin konkret, vullneti, sakrifica, vendosmëria e përmotshme e popullit të Kosovës për tu çliruar nga sundimi serb. Natyrisht, siç do të duhej ta kishte parasysh edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kur është fjala për lirinë dhe për të drejtën universale të një popullit që të luftojë për liri, dhe që, në emër të kauzës për çlirim dhe për vetëvendosje të themeloj shtetin e tij, shpallja, akti themelues i shtetit të Kosovës, i Republikës së Kosovës do të njihet si akt plotësisht legjitim dhe ndërkombëtarisht i drejtë. Ne e themeluam shtetin e Kosovës, sepse, pa shtet nuk ka liri, nuk ka demokraci, nuk ka të ardhme kombëtare dhe qytetare. Të kemi parasysh se, numër i konsideruar i shteteve, të fuqishme ndërkombëtarisht, të cilat kanë traditë demokratike shtet formuese, siç janë SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, gjatë seancave dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kanë mbështetur plotësisht doktrinën e vetëvendosjes riparuese.
Prandaj, çfarëdo mendimi këshillëdhënës që do të japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 22 korrik 2010, do të jetë në funksion të mbështetjes të së drejtës historike, etnike, ndërkombëtare, qytetare të popullit të Kosovës, të shtetit të pavarur të Kosovës! çfarëdo opinioni, mendimi, gjykimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk i ndryshon faktet për ligjshmërinë e shpalljes, themelimit të shtetit të Kosovës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjithsesi do ta ketë parasysh faktin se, me rastin e themelimit, shpalljes të shtetit të pavarur të Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka përmbushur të gjitha kërkesat, detyrimet, standardet e së drejtës ndërkombëtare, pra, kërkesa të cilat na ishin bërë nga faktori ndërkombëtar, nga miqtë tanë. Një çështje, pavarësisht arrogancës së përditshme diplomatike dhe propaganduese të Serbisë, që tani është e sigurt: me asnjë paragraf, me asnjë konstatim të mendimit këshillëdhënës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do t’i venë në pikëpyetje, në diskutim, faktet, dëshmitë, realitetet të cilat tani e dy vjet, ndërkombëtarisht dhe ligjërisht i ka krijuar dhe po i fuqizon shteti i pavarur i Republikës së Kosovës. Madje, me vetë faktin, se, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do të deklarohet kundër aktit të themelimit, të shpalljes të shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, populli ynë, të gjithë shqiptarët kudo që jemi, në radhë të parë shteti i Kosovës do të del triumfues. Një zhvillim i tillë, pra edhe në nivele të larta të drejtësisë ndërkombëtare, siç është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të argumentojë se, në rastin e themelimit të shtetit të Kosovës nuk është bërë kurrfarë shkelje e ligjit ndërkombëtar. Serbia, ndërsa, në betejën e saj, jo vetëm diplomatike kundër shtetit të Kosovës, më 22 korrik 2010 do ta përjetojë disfatën e saj përfundimtare. Prandaj, Serbia, ndonëse e dinë se, OKB-ja nuk merret me mendimet konsultative të gjykatave, këtyre ditëve po paralajmëron përpjekjen e saj për nxjerrjen e ndonjë rezolute tjetër nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Ndërkohë, pritet që, Bashkimi Evropian dhe Grupi Ndërkombëtare Drejtues pas 22 korrikut 2010 të dalin me një qëndrim të politik.
Autori është shef i Departamentit të Shkencës Politike të Universitetit të Prishtinës