E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëntë dekretet e Topit të rrëzuara nga Partia Demokratike



Eljona Ballhysa
Në pesë vjet, Partia Demokratike i ka rrëzuar presidentit Topi nëntë propozime për anëtarë të Gjykatë së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Ndërkohë që ka ndërmarrë nisma thelbësore që kanë sjellë ndryshimin e Kushtetuës dhe Rregullores së Kuvendit, për mënyrën e miratimit të propozimeve të presidentit, duke ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në kufizimin e kompetencave të Presidentit të Republikës. Megjithatë, ende nuk ka përfunduar “përplasja” mes PD-së dhe presidentit Topi, pasi ky i fundit ka ende disa vende vakante për të plotësuar si në Gjykatën e Lartë ashtu dhe në atë Kushtetuese. Maxhoranca, ndërkohë, ka përcaktuar kritere shumë të forta për filtrimin e kandidaturave të Topit, por dhe kreu i shtetit së fundi ka deklaruar se edhe institucioni i Presidentit do të marrë shembull nga metodologjia rigoroze e ndjekur nga Kuvendi për mënyrën e shqyrtimit të kandidaturave.
Përplasjet
Maxhoranca rrëzoi, jo pak, por pesë dekrete të Presidentit Topi në një seancë të vetme në muajin qershor të vitit 2008. Kreu i shtetit propozoi pesë emra për anëtarë të Gjykatë së Lartë, pa u konsultuar më parë me kreun e maxhorancës, Sali Berishën. Kjo nuk i pëlqeu PD-së, partia që kishte votuar pro zgjedhjes së Topit në karrigen e kreut të shtetit, dhe për këtë qëllim mori vendimin radikal, atë të rrëzimit të 5 gjyqtarëve të propozuar, me argumentin se, kreu i shtetit nuk ka marrë pëlqimin e Kuvendit.
Katër prej 5 kandidaturave të përzgjedhura nga presidenti Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë nuk kanë mundur që të kapërcejnë barrierën e vendosur nga kryeministri Berisha. Fati i tyre ka qenë i njëjtë: të gjithë janë rrëzuar me shumicë votash dhe nuk kanë mundur të marrin më shumë se 56 vota. Kështu kandidatura e parë që është rrëzuar ka qenë ajo e Altina Xhoxhajt, për të cilën ka pasur 56 vota pro, 73 kundër dhe 1 abstenim. Pothuajse me të njëjtin rezultat është rrëzuar edhe kandidatura e Arjan Zenelit, për të cilin ka pasur 56 vota pro, 71 vota kundër, 2 abstenime dhe 1 e pavlefshme. Për Kristaq Trajën rezultati ka qenë më negativ: përkatësisht 76 vota kundër dhe vetëm 52 vota pro. Votat kundër kanë qenë edhe më shumë për kandidaturën e Medi Bicit, kundër të cilit kanë qenë plot 86 vota dhe vetëm 40 vota pro. Kandidatura e Zamir Podës, ka marrë 66 vota kundër.
Para seancës është mbledhur Grupi Parlamentar i PD-së, ku Berisha ishte shprehur se “dekretet do të rrëzohen për t’i dhënë një mesazh presidentit Topi, i cili nuk u konsultua me maxhorancën paraprakisht”. Ndërsa partitë e opozitës dolën në krah të Presidentit dhe akuzuan kryeministrin Berisha se po tentonte që të pushtonte edhe një tjetër institucion të rëndësishëm të sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Rrëzimi i tre dekreteve të tjera shënohet në vitin 2010. Pak muaj më parë maxhoranca rrëzoi dekretin e Presidentit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Vangjel Kosta nuk mori votat e PD-së pasi sipas deputetëve të maxhorancës ai ka gjykuar çështje politike gjatë regjimit komunist. Por, ky argumentim i PD-së solli reagimin e menjëhershëm të faktorit ndërkombëtar në Shqipëri dhe veçanërisht të ambasadorit amerikan John Withers. Ai tha se PD-ja nuk mund të argumentojë votën kundër të kandidati profesionist duke u bazuar në ligjin e lustracionit që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Withers gjithashtu e cilësoi procesin e shqyrtimit dhe rrëzimit të kandidaturës së Kostës jo transparent.
Fill pas këtij reagimi maxhoranca ndërmori nismën e ndryshimit të procedurës së votimit për dekretet e presidentit Topi. Pa marrë konsensusin e opozitës PD-ja miratoi ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, të cilat parashikojnë votimin e hapur nominal për emrat e propozuar nga Presidenti, si dhe zhvillimin e seancave të zgjeruara dëgjimore me çdo kandidaturë.
Pas këtij ndryshimi u zhvilluan tre seanca dëgjimore në Komisionin e Ligjeve me tre kandidatët e rinj të dekretuar nga Topi për Gjykatën e Lartë, e konkretisht për Medi Bicin, Sokol Çomon e Vexhi Muçmatën, fati i të cilëve dukej i paracaktuar me kohë.
Demokratët me fuqinë e kartonit rrëzuan dy dekrete të Topit, Çomon e Muçmatën, ndërkohë që deputetët e opozitës refuzuan të merrnin pjesë në votim duke kundërshtuar me forcë ndryshimin e rregullores së Kuvendit, heqjen e të drejtës së votës së fshehtë të deputetëve dhe mënyrën e zhvillimin të seancave të dëgjimore.
Sipas opozitës nëpërmjet ndryshimeve në rregullore lidershipi i PD-së e ka shumë më të lehtë që të kontrollojë votata e deputetëve të kësaj partie, pasi nëpërmjet votimit të hapur nuk mund të mendohet që ndonjë deputet i PD-së të mund të votojë ndryshe nga vendimi i grupit.
Kreut të Shtetit do t’i duhet ende që të përballet me gjykimin rigoroz të maxhorancës përsa i përket dekreteve të tjera si për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ashtu dhe për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Por ashtu sikuse ai vetë është shprehur edhe institucioni i Presidentit do t’i shqyrtojë në një njejtën metodologji rigoroze propozimet e maxhorancës, dhe këtu mund të përfshihen një sërë ligjesh të rëndësishme që janë në axhendën e kuvendit, të cilat mund të hyjnë në fuqi pa marrë më parë dekretimin e presidentit.

Dekretet e rrëzuara

Altina Xhoxhaj rrëzuar më 2008
Arjan Zeneli rrëzuar më 2008
Kristaq Traja rrëzuar më 2008
Medi Bici rrëzuar më 2008
Zamir Poda rrëzuar më 2008
Vangjel Kosta rrëzuar më 2010
Sokol Çomo rrëzuar më 2010
Vexhi Muçmata rrëzuar më 2010

Meta niset drejt Afganistanit për konferencën e sigurisë

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Afganistanit, Zalmai Rassoul, zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u nis dje për në Afganistan ku do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kabulit.
Në këtë Konferencë Ndërkombëtare të organizuar nga Qeveria e Afganistanit në bashkëpunim me OKB-në, do të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga më shumë se 70 vende, organizata ndërkombëtare dhe rajonale, institucione financiare. Gjithashtu, i pranishëm do të jetë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon.
Pjesëmarrësit do të diskutojnë rreth sigurisë në Afganistan, zhvillimit të vendit, bashkëpunimit rajonal, ripajtimit dhe ri-integrimit si dhe do të shprehin vullnetin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërkombëtar në mbështetje të qeverisë afgane për përmirësimin e situatës në vend.

Tragjedia e autobuzit, Ivanov ngushëllon Topin

Presidenti i Maqedonisë, Gjeorgje Ivanov i ka dërguar një mesazh ngushëllimi presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, në lidhje me aksidentin në Fushë Arrëz ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 12 të tjerë. “Me dhembje të madhe e mora lajmin tragjik për fatkeqësinë e autobuzit dhe më vjen keq për jetët e humbura. Z. President më lejoni që në emrin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim personal të shpreh ngushëllimin tim të thellë, për qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe familjarët e viktimave”, - shkruan presidenti Ivanov në letrën e tij dërguar presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi. Në telegramin e presidentit Ivanov thuhet gjithashtu se “në këto çaste pikëllimi lutjet e tona janë me ju dhe familjet e viktimave. President, ju lutem që shprehjet e keqardhjes time të thellë t’i përcillni deri te familjet e viktimave”, përfundon letra e Ivanov.

20 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›