E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektbuxheti, debate e akuza mes PS-së dhe PD-së në seancë



Ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2010 kanë sjellë debate dhe akuza të ndërsjella mes dy partive të mëdha në seancën e djeshme maratonë të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët e PD-së kanë vlerësuar buxhetin e hartuar nga Ministria e Financave, duke vlerësuar rritjen e pagave dhe pensioneve dhe mbajtjen e taskave në të njejtin nivel, ndërsa kanë miratuar ndryshimet në buxhet vetëm me votat e tyre. Ndërsa vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë referimit të buxhetit në seancë, ka bërë të ditur se qeveria parashikon një rritje prej 4.1 % gjatë vitit 2010. Ndërkaq, deputetët e opozitës kanë kundërshtuar ndryshimet në buxhet, duke i cilësuar ato shprehje e qartë e krizës ekonomike që ka prekur të gjithë qytetarët shqiptarë. Madje, deputetët socialistë hodhën akuza në drejtim të kryeministrit Berisha dhe ministrave të tij për pasurimin e familjeve të tyre dhe për varfërimin e qytetarëve shqiptarë. Debate mes palëve janë zhvilluar edhe çështje proceduriale, siç është minutazhi i fjalimeve që i takon PS-së dhe ai që i takon PD-së. Ndërsa seanca që ka nisur në orën 9 të mëngjesit ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
Maxhoranca
Gjatë fjalës së mbajtur në seancë ministri Bode u shpreh se ndryshimet e buxhetit janë një lëvizje në drejtimin e duhur dhe se gjithçka është programuar që të ketë një një rritje prej 4.1 për qind. “Qeveria vjen për të propozuar një model buxhetimi, i cili bazohet në një rritje ekonomike prej rreth 4.1 për qind për vitin 2010, e cila rezulton nga kombinimi më i madh pozitiv i të gjithë agregatëve të brendshëm, monetar dhe ekonomik, financiar dhe njerëzor, të cilët do të mundësojnë përshpejtimin në muajt në vijim të rritjes së ekonomisë së vendit dhe kapjen e ritmeve më të larta rreth fundit të këtij viti të krahasueshme me mesataren e viteve të mëparshme”, - është shprehur Bode.
Sipas kreut të financave ulja e shpenzimeve me 39 miliard lekë dhe e të ardhurave me 27 miliardë lekë janë programuar duke mos prekur politikën e uljes së taksave dhe rritjes së pagave e pensioneve. “Politika e taksave, sikurse e përmenda do të jetë ajo që ka qenë, nuk do të kemi rritje të taksave të drejtpërdrejta dhe as të tërthorta. Disa taksa simbolike në kuadër të përafrimit të nivelit të tyre dhe administrimit në krahasim me vendet e rajonit do të vijojnë të përafrohen, dhe këto do të jenë kryesisht akcizat, jo taksat e tjera”, - vijoi Bode. I gjithë ky operacion sipas ministrit të Financave ka edhe një synim tjetër të madh, mbajtjen nën kontroll të borxhit publik dhe reduktimin e deficitit buxhetor.
“Mes këtij operacioni ne mbajmë në konsiderim borxhin publik, në nivelet 59-59.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sigurisht, borxhi publik i Shqipërisë është disi më i lartë se vendet e rajonit, por është borxhi më i mirë publik që ka ndonjë vend tjetër. Pse? Së pari, sepse kostoja që shërben borxhi publik është më i ulët në gjithë rajonin tonë, nën 3 për qind e PBB. Më pak se 10 për qind e shpenzimeve të buxhetit janë kostoja e shërbimit të borxhit publik në kohë që të gjithë vendet periferike, nuk po them Greqia, janë 4 për qind e lart dhe pse nivelin e borxheve e kanë më të ulët se në Shqipëri”, - tha ai. Bazuar në këto argumente Bode ka kërkuar mirëkuptimin e deputetëve për të votuar ndryshimet buxhetore të propozuara nga qeveria.
Opozita
Ashtu siç pritej opozita ka kundërshtuar në seancë ndryshimet e propozuara nga qeveria në buxhetin e shtetit. Deputetët socialistë deklaruan se vendi është në krizë ekonomike dhe se dëshmi e qartë janë ndryshimet që propozohen në buxhet. Sipas tyre, përgjegjësja e vetme për këtë situate është qeveria. “Një gjë është e qartë, sa më vonë të veproni, aq më shumë e rëndoni jetën e përditshme të shqiptarëve, aq më shumë do t’i detyroni ata të shtrëngojnë rripin e mbijetesës njerëzore. Por jo vonë do të kuptoni se dhe ritmi i mbijetesës suaj politike është shkëputur. Prandaj dhe shqiptarët nuk e meritojnë këtë qeverisje tuajën dhe nuk kanë pse të paguajnë çmimin e qeverisjes suaj”, - është shprehur gjatë fjalës së tij socialisti Arben Malaj.
Ndërsa deputeti Bashkim Fino u shpreh se vendi ndodhet në një krizë të thellë ekonomike dhe pikërisht kjo është arsyeja që qeveria kërkon uljen e 25% të shpenzimeve. “Shqipëria është në një krizë të thellë ekonomike, e cila tashmë ka filluar të godasë fort dhe në këtë krizë na keni futur ju zotërinj qeveritarë. Kjo është arsyeja që ju sot kërkoni rishikimin e buxhetit dhe uljen e shpenzimeve me 25 për qind”, - është shprehur Fino.

20 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›