E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: "Hap kutitë ose shko në klubin e Hugos, Mugos dhe të Llugos"

Autori i Lajmit: RedaksiaDeputeti Namik Dokle e ka cilësuar protestën e djeshme si mbylljen e protestave të dhjetorit, për të rinisur edhe më fuqishëm në vitin e ardhshëm. “Shqipëria nuk është stan ku ti mund të sillesh me egërsinë e Mugabes, me demagogjinë e Hugo çavezit apo me mashtrimet e Llukashenkos. Hap kutitë ose largohu dhe shko në klubin e Hugos, Mugos dhe të Llugos!”, - ka thënë ai. Sipas Dokles, lëvizja e nisur para 3 muajsh, do të vazhdojë deri në fund. “Asnjë deputet nuk mund të tërhiqet! Asnjë deputet nuk mund të blihet! Asnjë deputet nuk mund të manipulohet! Tellallët e Sali Berishës i kanë bërë hesapet pa hanxhinë! Me milionat që ata kanë vjedhur, mund të blejnë çdo gjë, po kurrsesi deputetët socialistë. Ne nuk e matim nderin me metër dhe as dinjitetin me kilogram. Prandaj u themi: atë portë të Parlamentit ne do ta kalojmë vetëm kur të bëhet në dritë të diellit transparenca e plotë e zgjedhjeve, vetëm kur të hapen kutitë”, - tha ai. Ndërsa Ledi Shamku deklaroi se vendi po drejtohet nga klani më makut që ka qeverisur ndonjëherë vendin. Sipas saj, sot qindra vetë punojnë në shtet veresie, pasi nuk paguhen dhe as shpërblehen për punën që bëjnë. Deputeti Eduard Shalësi tha se sëmundjet nga të cilat lëngon Shqipëria nuk mund ti shërojë një doktor si Sali Berisha, pasi ai nuk di të mbyllë dhe të shërojë, ai di vetëm të hapë plagë. “Kryeministri ynë butaforik dhe ministri i piramidave i Financave mohojnë ekzistencën e saj, ashtu si dikur të dy bashkë mohonin skemat piramidale. Kjo qeveri prej kohësh i ka kthyer kurrizin biznesit. Gjobat dhe kontrollet tendencioze ndaj bizneseve vetëm e vetëm për të mbushur arkën e zbrazur të qeverisë janë një fenomen i shtuar dukshëm këto kohë", - tha Shalsi.

Ky lajm është publikuar: 22/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›