Idrizi: Bëjmë aleancë me këdo për çështjen kombëtare
Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, thotë se ata janë gati të bëjnë aleancë me këdo për çështjen kombëtare. Në një intervistë për gazetën Shqip, ai tha se termi Çamëri është i panegociueshëm, edhe pse ministri i Jashtëm i qeverisë ku bën pjesë partia e Idrizit, e ka mohuar.
Ne jemi aktualisht në një aleancë dhe kjo është e qartë për një forcë parimore. Nga ana tjetër, për çështjen kombëtare jemi të gatshëm të bëjmë aleancë me këdo, nëse kjo do mund të sillte çështjen kombëtare një hap përpara, tha Idrizi.
I pyetur për përçarjet brenda PDIU, Idrizi tha: Jo, nuk ka përçarje. Çështja jonë mbulon divergjencat natyrale që lindin kudo ku ka individë të bashkuar vullnetarisht. Pesha dhe përgjegjësia që kemi ndaj një çështje madhore që ka shënjuar jetët tona nuk mund të më ndajë mua nga bashkëpunëtori im më i afërt dhe nga mijëra shqiptarë çamë dhe jo çamë që na janë bashkuar dhe na përkrahin çdo ditë.