Idrizi: Do garantojmë zbatimin e çdo gërme të rezolutës çame
Lushnje- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar pasditen e sotme një takim elektoral në qytetin e Lushnjes, ku kryetari i PDIU-së zoti Shpëtim Idrizi ka prezantuar kandidatin për deputet të Qarkut të Fierit, zotin Omer Mamo.
Gjatë fjalës së tij Idrizi pasi përshëndeti vendimin për lirimin e heroit të luftës së UÇK-së zotit Fatmir Limaj, duke e cilësuar si një provë për të treguar lufta e Kosovës ka qenë e drejtë, tha:
Askush nuk mund të hedh poshtë gjakun e mijëra luftëtarëve, me anë të makinacioneve të gatuara në Beograd. Të gjithë ne sot jemi bashkë për të mbështetur të gjithë shqiptarët, aty ku jetojnë, aty ku Zoti i ka vënë- deklaroi Idrizi.
Më pas Idrizi tha se në këto 4 vite, arritja më kryesore e PDIU-së është Rezoluta për Zgjidhjen e Çështjes Çame.
Miq, ne sot nuk jemi këtu për të treguar ato që kemi bërë, por po kërkojmë votën e çdo shqiptari, duke i garantuar ata se ne do jemi zëri patriotik në Parlamentin e Shqipërisë, duke siguruar respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që janë. Ne do garantojmë që çdo gërmë e Rezolutës për Zgjidhjen e Çështjes Çame, të respektohet dhe zbatohet nga shteti shqiptar. Prandaj, kërkoj që më datë 23 qershor të gjithë ju të votoni numrin 50, të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, në mënyrë që në Parlamentin e ardhshëm, të jenë 7 deputet patriot- u shpreh Shpëtim Idrizi.