“Shqipëri-Britani, “histori suksesi në rritjen e performancës së sistemit të drejtësisë”

Ministri Eduard Halimi takon Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Cannon OBE
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi priti dje për herë të parë në një takim kortezie, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Shkëlqesinë e tij Nicholas Cannon OBE. Pasi i uroi mirëseardhjen ambasadorit britanik, ministri Halimi falënderoi për ndihmën e jashtëzakonshme që Britania i ka dhëne Ministrisë se Drejtësisë. Ministri prezantoi ecurinë e deritanishme të disa projekte të përbashkëta që janë zhvilluara gjatë këtij viti, të cila i konsideroi “një histori suksesi mes dy vendeve tona me qëllim rritjen e performancës së sistemit të drejtësisë në të tërë aspektet e tij”.
Nga ana e tij ambasadori britanik u shpreh entuziast për marrëdhëniet e shkëlqyera mes palëve në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar si dhe kërkoi vazhdimin e këtij bashkëpunimi. Me të njëjtat notat pozitive, ambasadori britanik vlerësoi bashkëpunimin për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Ecuria dhe përfundimi me sukses i binjakëzimit të Shërbimit të Provës; përfundimi i procesit të hartimit dhe miratimit të ligjit të Mbikëqyrjes Elektronike si dhe reforma ne sistemin e drejtësisë lidhur me karrierën dhe procesin disiplinor te gjyqtareve janë disa çështje sensitive në të cilat Mbretëria e Bashkuar ka dhënë dhe po jep mbështetjen e saj maksimale.
Në kuadër të kësaj asistence, rëndësi të veçantë merr diskutimi mbi disa ndryshime ligjore që synojnë reformimin e sistemit gjyqësor dhe ruajtjes së ekuilibrit, mes pavarësisë së sistemit dhe llogaridhënies. Ne synojmë te forcojmë pavarësinë e institucioneve duke rritur përgjegjshmërinë e aktoreve të drejtësisë, ndaj ligjit dhe Kushtetutës, u shpreh ministri
Nga ana e tij ambasadori britanik u shpreh për mbështetje të pakursyeshme në këtë drejtim si dhe i ofroi ministrit ndihmën për realizimin e iniciativave shumë të rëndësishme të ndërmarra në kuadër të reformimit të gjyqësorit.
Ministri mori mbështetjen e ambasadorit britanik edhe për një nga prioritetet që është duke zhvilluar, siç është dixhitalizimi i gjyqësorit dhe i tërë aktorëve të sistemit të drejtësisë në tërësi. Realizimi i kësaj nisme synon rritjen e transparencës për bërë më të lehtë kontrollin për parandalimin e abuzimeve, brenda formatit te ekuilibrave kushtetues.