PD-PS, pranë numërimit elektronik

Komisioni i Reformës Zgjedhore
Sot, mbledhja e Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, gati drafti konsensual.
Sistemi do të jetë gati 60 ditë para datës së zgjedhjeve.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë shumë pranë miratimit të numërimit elektronik të votave. Komisioni i Reformës Zgjedhore, i cili do të mblidhet sot, ka gati një draft diskutimi rreth parimeve, por dhe kërkesave që do ti drejtojnë kompanisë që do të marrë përsipër aplikimin e sistemit elektronik të numërimit të votave në 2013-n.
Sistemi elektronik i numërimit përbëhet nga tërësia e pajisjeve elektronike, kompjuterike dhe e programeve të ndryshme informatike, nëpërmjet të cilave në mënyrë automatike e të pavarur realizohet numërimi dhe vlerësimi fletëve të votimit, si dhe nxjerrja e rezultatit zgjedhor, thuhet në draftin e përgatitur nga maxhoranca dhe opozita, i cili do të hidhet sot për diskutim. Por, duket se palët kanë pranuar në parim se në zgjedhjet e 2013-s numërimi i votave do të bëhet në mënyrë elektronike dhe jo manuale. Pak ditë më parë, një projekt i OSBE-së solli në Tiranë disa përvoja nga kompani prestigjioze ndërkombëtare të numërimit elektronik. Një nga ekspertët e ODHIR-it ishte në Tiranë, i cili u njoh me kapacitetet e aplikimit në Shqipëri të numërimit elektronik. Ndërsa dy bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Rusmali dhe Gjiknuri, ishin para disa javësh në Londër për tu njohur me teknologjinë. Nisur nga kjo përvojë, Komisioni i Reformës ka përcaktuar kërkesa specifike ndaj kompanisë për numërimin elektronik të votave. Komisioni kërkon që sistemi elektronik të provohet 60 ditë para zgjedhjeve dhe të shihet mundësia që kompania të kontraktohet edhe për zgjedhjet në vijim. Numërim i çdo flete të votimit në mënyrë të njëpasnjëshme dhe pa i dëmtuar ato; proces përpunimi të fletës nga pajisja, të mund të vëzhgohet me sy të lirë; nxjerrje e rezultatit të zgjedhjeve për qendrën e caktuar të votimit dhe ZAZ-së; ruajtje e imazhit të çdo flete të votimit të skanuar; ndarje fizike e fletëve të vlefshme dhe të pavlerësuara; shfaqje e imazhit të fletës së pavlerësuar që kërkon vlerësim manual; prodhim i tabelës së rezultatit për çdo QV, ZAZ dhe rekordet e vendimmarrjes, të hedhura në sistemin elektronik të numërimit, janë disa nga kërkesat që Komisioni i Reformës Zgjedhore i drejton KQZ-së që ti përmbushë në realizimin e numërimit elektronik të votave.
Numërimi elektronik i votave
. Numërimit i çdo flete të votimit në mënyrë të njëpasnjëshme dhe pa i dëmtuar ato;. Procesi i përpunimit të fletës nga pajisja të mund të vëzhgohet me sy të lirë;
. Nxjerrja e rezultatit të zgjedhjeve për qendrën e caktuar të votimit dhe ZAZ-së;
. Ruajtjen e imazhit të çdo flete të votimit të skanuar;
. Ndarjen fizike të fletëve të vlefshme dhe të pavlerësuara;
. Shfaqjen e imazhit të fletës së pavlerësuar që kërkon vlerësim manual;
. Prodhimin e tabelës së rezultatit për çdo QV, ZAZ dhe rekordet e vendimmarrjes, të hedhura në sistemin elektronik të numërimit;
. Prova e numërimit zhvillohet 60 ditë para zgjedhjeve, në prani të publikut;
. Numërimi manual, në raste përjashtimore me vendim të KQZ, kur nuk përdoret sistemi elektronik;
ARISTIR LUMEZI