E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi Gjobat ndaj atyre qe deklarojne kombesi te rreme jane normale dhe perdoren edhe ne Itali

 Turi “Ji krenar që je shqiptar” ndaloi në qytetin e Vlorës, ku Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Shoqata “Çamëria” u bën thirrje qytetarëve që të mos lejojnë abuzimin me censusin, duke deklaruar me krenari përkatësinë etnike. Kryetari i PDIU-së, z. Idrizi u shpreh sërish kundër pyetjeve mbi etninë dhe fenë, por theksoi, se në çdo rast PDIU ka arritur që të ndalojë abuzimin me kombësinë, nëpërmjet amendamenteve të saj. Pasi sqaroi amendamentet, Idrizi hodhi poshtë akuzat e disa përfaqësuesve të minoritetit se gjobat për ata që japin deklarim të rremë mbi kombësinë janë të paligjshme, duke theksuar se edhe Italia po e aplikon këtë sistem.
“Kushtëzimet që do të vinin prej të dhënave fiktive të censusit do të ishin shumë të rënda.

PDIU-ja i ndaloi këto kushtëzime. Ky shtet butaforik, ku deputetët kanë dhe hamame dhe palestra në godinën e parlamentit, ku pagueshin pensione për qindra mijë të vdekur, ky shtet që ka harxhuar paratë europiane për të zhvilluar politika ekspansioniste në vendet fqinje, nuk do ta ketë këtë hapësirë që prétendon nëpërmjet censusit. Ne vazhdojmë t’i mbahemi pikëpamjes se pyetësori i censusit nuk duhej të përmbante pyetjet për përkatësinë etnike dhe fetare, sepse ato janë antikushtetuese. Por për aq sa Komisioni i Censusit vendosi që këto pyetje në kundërshtim nga ne të jenë pjesë e formularit, atëherë duhet të objektivizojmë procesin. Amendmanetet tona janë të qarta si drita e diellit. Kushdo që do të deklarohet si grekë në një kohë kur në regjistrin e gjendjes civile është shqiptar do të penalizohet. INSTAT do të shënojë në statistikat e veta që personi në fjalë është shqiptar dhe një gjobë 1 milionë lekë do të paguhet nga ai që ka dhënë një deklarim të rremë.

Me insistimin tonë, falë forcës sonë imponuese, qeveria shqiptare e cila ka dhe votën tonë pro në ligjet e integrimit, u detyrua të korrigjojë sadopak bazën ligjore të censusit.” – tha Idrizi

Ai theksoi se këto amendamente janë në përputhje me direktivat evropiane. Madje, masa të ngjashme ka edhe në vende të tjera, si në Itali, ku aktualisht po zhvillohet regjistrimi dhe kushdo që rrefuzon të përgjigjet ose jep përgjigje të rreme gjobitet.

“Amendamentet tona, të këshilluara me ekspertët më të mirë të vendit, ishin zgjidhja e vetme, në kushtet kur ne s’kishim mundësi që ta bllokonim tërësisht vendosjen e pyetjeve për përkatësinë etnike dhe fetare. Amendamentet tona janë në fakt në përputhje me direktivat e shërbimit evropian të statistikave EUROSTAT dhe me rekomandimet e Bashkimit Evropian. Vetëdeklarimi, i aq shumëpërfolur, nuk është vetëpërcaktim. Vetëdeklarim do të thotë të deklarosh vetë dhe i lirë atë që je, pra atë që ti e fakton se je. Për kombësinë ne kemi faktin që është i shënuar në regjistrin e gjendjes civile. Si pasojë, amendamentet tona në thelb, sanksionojnë një vetëdeklarim korrekt dhe të saktë, e nga ana tjetër mbyllin mundësinë e abuzimit me këtë proces. Kur puna në terren të përfundojë, PDIU do të jetë garante që INSTAT të zbatojë me përpikmëri ligjin dhe që të verifikojë një më një të gjitha vetëdeklarimet në mënyrë që ato të jenë të sakta. Është dëgjuar shumë këto ditë mbi gjobat që përcaktohen në ligj. Sot dua t’ju them se edhe në Itali, ku censusi po zhvillohet paralelisht kushdo që refuzon të përgjigjet apo përgjigjet në mënyrë të rreme gjobitet me gjoba shumë më të rënda sesa përcaktohet në ligjin shqiptar. Sepse çdo shtet do të dhëna të sakta dhe çdokush që nuk i jep ato i shkakton kosto shtetit” – tha z. Idrizi.

Deputeti i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Dashamir Tahiri theksoi se ky është patriotizmi i vërtetë. Duke komentuar mbi zhvillimet e fundit, z. Tahiri theksoi se patriotizmi i vërtetë është mbajtja mbi kurriz e kauzave kombëtare. Gjatë takimit përshëndetën presidenti i nderit i PDIU-së, z. Tahir Muhedini, përfaqësues të shoqatës “Çamëria”, Klubit të Patriotëve të Rinj dhe mbështetës të këtyre forcave. Turi do të vijojë në qytetin e Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›