E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Këtë vit nga sallat, në sheshe për Çamërinë

Shpetim Idrizi

TIRANË- Unë e dua Çamërinë dhe flamuj kombëtarë anekënd bulevardit Dëshmorët e Kombit. Me këtë slogan dhe simbol ka nisur Java Çame, ose ndryshe, java e kulturës dhe historisë së Çamërisë, e paralajmëruar gjatë gjithë këtyre ditëve. Me ideator të saj, kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi dhe shoqatën Çamëria. Është koha që të gjithë shqiptarët të bashkohen për ata të cilët u diskriminuan se ishin shqiptarë. Përkujtojmë martirët e Çamërisë. Kjo javë është e të gjithë shqiptarëve, se Çamëria është e të gjithë shqiptarëve, u shpreh Idrizi përpara kamerave të shumta mediatike.

Gjatë gjithë javës së kulturës çame janë planifikuar një sërë aktivitetesh, të cilat do të vendosin në qendër të vëmendjes dëshmitë e atyre që në moshë fare të vogël kanë parë masakrimin e të afërmve dhe janë detyruar të përshkojnë qindra kilometra nën armët e armiqve të tyre, në bukuritë dhe pasurinë historike të kësaj treve, në personalitetet e kombit nga Çamëria.

“Ky vit ka një risi të madhe, sepse në kuadër të 100-vjetorit kemi vendosur të dalim nga sallat dhe të kalojmë në sheshe dhe jemi pikërisht në sheshin e Tiranës, aty ku 100 vjet më parë banorët e saj protestonin për lënien jashtë nga trungu shqiptar të Çamërisë dhe Kosovës”, tha Idrizi më tej. Ai shtoi se në lidhje me këtë çështje do t’i dërgojnë Kuvendit të Shqipërisë një rezolutë.

“Besoj se bërja e varrezave të Kllogjerit, ku dergjen 3 mijë shqiptarë që dhanë jetën vetëm sepse ishin shqiptarë, është shumë më e rëndësishme se çdo përfshirje jona kudo dhe në çdo post. Ne jemi këtu për të kërkuar drejtësi për Çamërinë”, deklaroi Idrizi.

/M.A./

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›