Berisha, një orë fjalim si duhet shkruar historia: Të ngremë në piedestal linjën e mbretërisë
Kryeministri Sali Berisha duke folur përpara komitetit të ngritur për tha se shqiptarët përpara 100 vitesh rrezikonin të zhdukeshin si nocion, por tani janë vendi që kryeson Këshillin e Europës, tempullin më të vjetër të demokracisë në Europë. Berisha tha se Shqipëria tani është vend anëtar i NATO-s dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë për këto arritje.
Kryeministri deklaroi se shqiptarët kanë arritur të ngrenë flamurin në pikën më të lartë të planetit, në Himalaja. Ai tha se edhe një astronaut ka dërguar flamurin shqiptar në Hënë.
Berisha premtoi se qeveria do mbulojë shpenzimet e alpinistëve shqiptarë, që u ngritën në Everest.
Ekspedita në Everest është nga të rrallat, ndoshta i vetmi, kur i gjithë ekipi arrin në destinacionin e caktuar. Së dyti, është e vetmja në historinë e ngjitjeve në majën e Everestit kur bashkë ngjiten babë e bir. Zoti ministër, këta janë kampionë dhe të gjitha shpenzimet do jenë në kuadrin e festimit të 100 vjetorit. Mos harrojmë se nuk janë më shumë se 30 vende që janë ngjitur në Everest. Këta shënuan rekord në historinë e sportit shqiptar, tha Berisha.
Kryeministri tha se monumenti për 100 vjetorin e Pavarësisë do vendoset ose mes Bankës së Shqipërisë dhe Teatrit të Kukullave, ose diku tek Parku Rinia. Berisha propozoi madje edhe që Teatri i Kukullave të hiqej nga aty ku është për tu bërë parlamenti i Tiranës.
Kryeministri foli gjatë dhe për monumentin e Kongresit të Lushnjes.
Monumenti i Kongresit të Lushnjes është shumë i bukur dhe doja të sugjeroja që sheshi qendror i qytetit të kishte këtë monument. Aty është një monument, nuk kam qortime. Ai monument i kallirit dhe grurit, unë nuk kam asnjë objeksion, por e vërteta është se monumenti i vendos aty vetëm për të errësuar Kongresin e Lushnjes që de facto është shpallja e dytë e pavarësisë. Më vjen keq që shqiptarët nuk e njohin këtë ngjarje që quhet mrekullia shqiptare, tha Berisha.
Kryeministri u shpreh se do vendoset se ku do ngrihet monumenti i Ahmet Zogut e Ismail Qemalit. Berisha tha se duhen ngritur në piedestal njerëzit e mbretërisë.
Nuk mund të mos dalë në piedestal Abaz Kupi. Ajo që është goditur në mënyrën më të vendosur, është goditur linja mbretërore. Pas Skënderbeut në atë qytet burrë më të shquar se Abaz Kupi nuk ka patur. Luftëtar lirie, njeriu që më 7 prill bëri detyrën, bëri gjithçka për një frymë bashkimi, por nuk ra kurrë në shërbim të Miladinit dhe Dushanit. I tillë është edhe Muharrem Bajraktari. Këto do jenë në konsultë me historinë. Nuk ka dyshim që Kryezinjtë luftuan në Luftën e Dytë Botërore me flamurin kombëtar, tha Berisha.