E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Reforma zgjedhore të realizohet deri në dhjetor

TIRANE- Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i bëri thirrje sot forcave politike kryesore që deri në dhjetor të miratojnë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të plotësojnë institucionet e larta të gjyqësorit me anëtarë, si dhe të nisin seriozisht të mendojnë për t'u përballur me rekomandimet e tjera të progresraportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Në një konferencë për shtyp, Kryetari i PDIU-së, Idrizi, nisur nga përfundimet e Progres Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, u shpreh se "progres raporti ka dy lajme shpresëdhënëse, hapjen e negociatave me Kosovën për liberalizimin e vizave dhe mundësinë që nëse deri në dhjetor do të kemi përparime, Këshilli i Evropës mund të vendosë marrjen e statusit të vendit kandidat".

Sipas tij, klasa politike e çdo vendi serioz e arrin një detantë për ligjet kryesore, për zhvillimin e institucioneve, etj, në emër të integrimit, pasi negociatat janë thelbi i politikës dhe jo konfliktualiteti i ashpër.

"Integrimi evropian i vendit është gjithashtu një objektiv strategjik, është një interes kombëtar dhe ngadalësimi apo prapësimi i ritmeve të tij është një cënim i këtij interesi", nënvizoi Idrizi.
(s.g/atsh/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›