Riemërtimi i rrugëve në Maqedoni, në një fazë delikate të procesit
Spastrimi i emrave të vjetër të rrugëve dhe zëvendësimi me të rinjtë ende është në procedurë, duke kaluar në fazën më delikate - atë të shpërndarjes së tyre edhe nëpër komuna që nuk dominohen nga shqiptarët, si Karposhi, Buteli e të tjera. Afati i dorëzimit të listave ka kaluar prej më shumë se një muaj dhe nuk dihet nëse bëhet fjalë për mosmarrëveshje mes grupeve të punës, apo vështirësi në shpërndarjen e emërtesave nëpër komunat e ndryshme
Nuk dihen se cilat janë shkaqet që kanë shtyrë pa asnjë afat procedurën e përcaktimit të emrave të rinj që do t’i jepen rrugëve të Shkupit, nëse bëhet fjalë për mosmarrëveshje mes grupeve të punës, apo vështirësi në shpërndarjen e emërtesave nëpër komunat e ndryshme. Spastrimi i emrave të vjetër të rrugëve dhe zëvendësimi me të rinjtë ende është në procedurë, duke kaluar në fazën më delikate - atë të shpërndarjes së tyre edhe nëpër komuna që nuk dominohen nga shqiptarët, si Karposhi, Buteli e të tjera. Lista me mbi 45 emërtesa në shqip duhej të ishte përfunduar që muajin e kaluar, por edhe pse ka kaluar më shumë se katër javë, Grupi i punës ende nuk e ka gati versionin përfundimtar. Në grupin e këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim në Qytetin e Shkupit, pohojnë se janë ende duke punuar dhe shumë shpejt kjo listë do të jetë gati, por pa dhënë ndonjë datë konkrete. "Grupet e punës po vazhdojnë të punojnë dhe lista me shpërndarjen e emrave të rinj të rrugëve them se do të jetë gati së shpejti", thotë këshilltari Qemal Musliu. Muajin e kaluar, Izet Mexhiti, kreu i Komunës së Çairit, aty ku edhe do të përqendrohen mbi 80 për qind e emërtesave të reja, u shpreh se deri në fund të muajit prill, lista e tyre me emrat e sistemuar do të ishte gati. "Janë disa emra që dihen se ku do t’i vendosim, si sheshi Skënderbe, apo që një nga urat e Shkupit që do të quhet Nënë Tereza. Secili emër është më i rëndësishëm se tjetri dhe ky është problemi që kemi. Por besoj se për një javë gjithçka do të jetë gati, do ta kemi listën me emërtesat e reja të rrugëve që do t’i mbajnë të gjitha komunat, ku jetojnë shqiptarët e të tjera", pati deklaruar Mexhiti. Lista me 45 emërtesat shqiptare dhe shpërndarja e tyre nëpër bulevardet dhe akset e tjera rrugore të Shkupit prej më shumë se një muaj është duke u përpiluar nga këshilltarët e Qytetit të Shkupit, të cilët kishin dy javë kohë për të propozuar se në cilat zona të qytetit do të vendosen mbishkrimet me datat dhe personalitetet shqiptare. Sipas tyre, në shënjestër janë emrat e atyre rrugëve kryesore, të cilat evokojnë ngjarje dhe periudhën e sistemit monist, apo edhe personazhe që kanë kontribuar negativisht për historinë shqiptare, si bulevardi "Jugosllavia", apo "Qemal Sejfulla", rrugët si "Bllagoja Paroviq" ose "Pavle Iliq", të cilat do të shkojnë në harresë, duke u zëvendësuar me të rejat, që janë jo vetëm emra, por edhe data të rëndësishme, toponime vendbanimesh shqiptare, si 13 Gushti, Bajram Curri, Jashar Erebara, Jusuf Gërvalla e Mbreti Gent apo Mbretëresha Teutë, si edhe Dardania, Iliria, Arbëria, Shkodra, e të tjera. Por edhe personalitet e tjera të huaja që kanë kontribuar për çështjen shqiptare, si Edith Durham, e të tjerë. Ato që figurojnë në listën e këshilltarëve të VMRODPMNE janë emërtesa që po ashtu evokojnë emra dhe data që datojnë nga antika, si Aminta III, Olimpia, Perdika I, Filipi i dytë, e të tjera, gjithsej 200 emra të rinj që do të ndërrojnë emërtesat ekzistuese të rrugëve të Shkupit. Nëse procedurat nuk do të ishin vonuar, këto ditë duhej që të mblidhej Komisioni i Qytetit të Shkupit, i cili do të miratonte propozimet, se cilat rrugë cilat emra do të mbajnë.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”