Idrizi: Të ngrihet panteoni i madh i shqiptarëve në Tiranë
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet propozon që në qendër të Tiranës të ngrihet panteoni i madh i shqiptarëve. Duke folur me rastin e Ditës së Pavarësisë, kreu i saj Shpëtim Idrizi theksoi se sot është një ditë e madhe kuqezi dhe të gjithë trevat shqiptare janë veshur me simbolet e kombit kuqezi.
“Sot është një ditë ku duhet të vlerësojmë dhe të nderojmë ata burra dhe gra që e bënë Shqipërinë të lirë siç është sot. Unë i bëj thirrje forcave politike dhe qeverisë shqiptare të ngrejë memorialin e të gjithë shqiptarëve, të mos lejojmë që rilindasit të jenë të shpërndarë. Në zemër të Tiranës të qëndrojë panteoni i shqiptarëve dhe ne të respektojmë të gjithë shqiptarët” ka theksuar Idrizi.
Më tej kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë që shënohet vitin tjetër të mbajnë përgjatë gjtihë vitin flamurin kuqezi në ballkonet e tyre.