Pavarësia, Topalli: Sot është një ditë krenarie për shqiptarët
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli është takuar sot me konsujt e nderit të Republikës së Shqipërisë nëpër botë. Në fjalën e saj, kryeparlamentarja Topalli ka theksuar se 28 Nëntori është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët.
“28 Nëntori është një ditë e veshur me krenari dhe besim të veçantë. Është një ditë nderimi dhe respekti për përpjekjet e pamposhtura të shqiptarëve. Është shpirti i pamposhtur i shqiptarëve që ka bërë që ne sot të jemi në ditëlindjen e kombit tonë” ka theksuar Topalli.
Ajo ka theksuar më tej se të gjithë firmëtarët e deklaratës së pavarësisë do të ishin sot krenar për Shqipërinë e cila ka ecur shumë përpara. “Ne sot mendojmë, reflektojmë në sensin e madh të misionit dhe sakrificës së Kosovës, të sakrificës të rilindasve tanë si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri dhe të madhit Ismail Qemali. Sot është një ditë frymëzimi i jashtëzakonshëm për ne shqiptarët. Është një ditë që ne jemi mirënjohës për të gjithë ata që bënë avokatin e Shqipërisë në vite” ka shtuar Topalli.
Ajo gjithashtu falenderoi punën e bërë nga konsujt e nderit të Shqipërisë për promovimin që i kanë bërë vendit tonë në botë.
“Sot Shqipëria është një vend që do të befasonte të gjithë firmëtarët e deklaratës së pavarësisë me progresin që ka bërë. Shqipëria sot është Shqipëria e potencialeve të mëdha në fushën e turizmit, e edukimit, e shkollave dhe e teknologjisë” ka theksuar Topalli.