E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Zgjidhja e çështjes çame më afër se kurrë

08/02/2010  PDU prezanton objektivat për vitin 2010
“300 mijë çamë të motivuar për të vënë në vend drejtësinë”
Partia Drejtësi dhe Unitet prezantoi në qytetin e Vlorës planin e saj të punës për vitin 2010, ku vendosen piketat kryesore të organizimit të brendshëm të partisë dhe objektivat për këtë vit. Gjatë takimit me drejtuesit e grupit nismëtar të PDU-së në Vlorë, deputetët e PDU-së, kryetari Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, paraqitën objektivat kryesore të kësaj partie si në arenën e brendshme, ashtu edhe në atë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjeve kombëtare shqiptare e sidomos të çështjes çame. Gjatë fjalës së tij, kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi, vendosi theksin mbi nevojën e organizimit të strukturave solide të partisë, me qëllim çuarjen para të aspiratës së partisë me profesionalizëm. “Ne jemi një Parti që ka një kauzë të madhe, një kauzë që është e fortë te gjithsecili. Prandaj jemi më të motivuar. Por që të përballojmë me sukses sfidat e ardhshme elektorale dhe të çojmë përpara me cilësi e profesionalizëm aspiratën tonë, ne duhet ta kthejmë PDU-në në një parti moderne, të mirëorganizuar me struktura solide e hapësira për të kontribuar të gjithë. Tani është koha për ta filluar këtë proces. Pasi ne treguam se ç’dimë të bëjmë, motivuam e ngjallëm shpresën tek të gjithë anëtarët e komunitetit tonë e tek të gjithë shqiptarët, PDU-ja do të jetë parti e të gjithë shqiptarëve”, tha zoti Idrizi. Idrizi u parashtroi drejtuesve lokalë të PDU-së në mënyrë të detajuar planin e punës me periudhë njëvjeçare, ku janë vendosur kushtet që duhet të arrijë partia, me qëllim që të mund të jetë në të ardhmen sa më afër objektivave të saj. Idrizi prezantoi organigramën e partisë, siç është vendosur nga mbledhja e Këshillit Kombëtar, si edhe objektivat e punës për vitin 2010, të ndara si në aspektin e brendshëm të partisë, në atë politik kombëtar, si edhe në marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare. Gjatë fjalës së tij, Idrizi theksoi se çështja çame është më afër zgjidhjes së vet, dhe për këtë u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, pa dallim origjine, që të kontribuojnë aktivisht për këtë çështje. “Çështja çame jo vetëm nuk mund të harrohet, por ajo e ka fituar luftën me kohën, dëshmitarë e garant për këtë jemi ne, 300 mijë shqiptarët e Çamërisë. Dhimbja dhe padrejtësia që iu bë 30 mijë çamëve sot është dhjetëfishuar e transmetuar në ADN-në tonë, ajo është e gjallë në 300 mijë vetë e do të transmetohet brez pas brezi derisa kjo çështje të gjejë drejtësi. Miqtë e mi, sot është koha. Sot është plotësisht e mundur, e kjo është vetëm në dorën tonë. Le të punojmë e luftojmë që të mos ua lëmë si brengë fëmijëve tanë çështjen çame, megjithëse jam i bindur që ata do dinë ta zgjidhin ndoshta më mirë se ne”, tha kryetari i PDU-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›