E Diel, 1 Nëntor 2026

Igli Tare i shpeton disiplinorit

Pas kaosit që karakterizoi fundin e ndeshjes Udineze-Lacios, të përpikta erdhën edhe ndëshkimet e Disiplinorit në kampionatin Italian. Ndeshja e fituar 2-0 nga Udineze përfundoi mes sherrit dhe kontestimeve të ashpra të lojtarëve, stafit teknik dhe drejtuesve të Lacios, për golin e dytë të Udinezes.

Mbrojtësi Diaz, I cili u ndëshkua me karton të kuq gjatë atij episodi u pezullua për tre ndeshje, ndërsa portiere Marketi me katër ndeshje, sepse shtyu gjyqtarin e takimit. Klubi bardhkaltër u gjobit me 20 mijë euro për trazirat e shkaktuara, ndërsa I vetmi që shpëtoi ishte drejtori sportiv, Igli Tare.

Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare zbriti në fushë në momentin e kontestimeve, madje duke debatuar edhe me drejtuesit e Udinezes. Ndërkohë, sipas pamjeve filmike dukej qartë që fillimisht trajneri Edi Reja i ka kërkuar të largohet të të mos tensionuar situatën, ndërsa më pas ishte Tare ai që largonte gjyqtarët, për të evituar konfrontimet me arbitrat dhe penalizime më të rënda.

Ndërkohë, Igli Tare ka folur edhe për episodin e ndodhur në kohën shtesë, duke deklaruar se goli i dytë i Udinezes ishte një gabim teknik. “Nuk ka dyshime që bëhet fjalë për një gabim teknik të gjyqtarit dhe ata që e njohin rregulloren e kanë të qartë që ndeshja duhej ndaluar”, tha drejtori sportiv i Lacios.

“Gjithçka ndodhi sepse vijërojtësi dhe gjyqtari kishin thënë se goli ishte anuluar, ndërsa më pas e quajtën të rregullt. Kjo ishte arsyeja përse lojtarët tanë u zemëruan. Me këtë gabim teknik që ndodhi, nuk e përjashtojmë të kërkojmë përsëritjen e ndeshjes”, nënvijëzoi më tej Tare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›