Igumenicë, kapen 545 kg kanabis lazarati, arrestohen 6 persona
Shkatërrohet një rrjet i trafikimit ndërkombëtar të drogës. Policia e Igumenicës arrestoi 6 persona, shqiptarë e grekë, dhe shpalli në kërkim një tjetër, pas zbulimit të një furgoni të braktisur në kufirin shqiptaro-grek me 545 kg kanabis sativa. Mjeti tip “Fiat” me targa greke, në të cilin ndodheshin 50 thasë të bardhë të mbushur me lëndën narkotike, u gjet i fshehur në mes të shkurreve në një zonë pyjore të quajtur Ravena, në Filat të Igumenicës. Nga këqyrja e dokumentacionit të mjetit u zbulua se një 28-vjeçar grek e kishte marrë me qira në Athinë. Policia lokale i kërkoi ndihmë homologëve në Athinë, të cilët pasi lokalizuan vendndodhjen e të dyshuarit, e arrestuan atë. Marrja në pyetje e tij çoi në zbulimin e grupit shqiptaro-grek, të cilët prej 3 muajsh trafikonin drogë nga Shqipëria. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se droga është sjellë me mushka deri në kufi nga shqiptarë që paguheshin deri në 40 euro për transport, ndërsa sasia e lëndës dyshohet të jetë kultivuar në fshatin Lazarat. Mësohet se arrestimet e të dyshuarve për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike janë kryer nga policia greke në Athinë dhe Janinë. Ata vepronin në grup, ndërsa i kishin të përcaktuara rolet në këtë rrjet. Dyshohet se në bashkëpunim mund të ketë trafikuar edhe sasi të tjera të mëdha të lëndës narkotike nga Shqipëria në Greqi. sh.d