Komuna: Do ti ndihmojmë 5 jetimët

Pesë fëmijët e familjes Myftari, të cilët bëjnë apel për ndihmë
ROSKOVEC – Pesë jetimët e familjes Myftari, të cilët bënë apel për ndihmë për t’u ushqyer e veshur, kanë tërhequr vëmendjen e komunës Kurjan, nën juridiksionin e së cilës është fshati Vlosh. Kreu i komunës, Adriano Shabani, bëri të ditur se po merret personalisht me këtë situatë. “Sado që t’i ndihmojmë ne, fëmijët kanë nevojë për prindin. Unë i kam ndihmuar edhe më parë me ndihma modeste, por kjo nuk e zgjidh problemin. I bëj thirrje Presidentit të falë babanë e fëmijëve”, u shpreh Shabani. Sipas tij, këto ditë do të mbledhë Këshillin e Komunës dhe do të gjejmë rrugët ligjore për të akorduar fonde për fëmijët jetimë. Juristi i komunës, Admir Filaj, u shpreh se është takuar me përfaqësues të gjykatës me qëllim që kujdestarinë e fëmijëve ta marrë një prej xhaxhallarëve të tyre. “Derisa të ketë një zgjidhje për babanë e fëmijëve, ne kemi rënë dakord me xhaxhallarët e jetimëve, që të kërkojnë nga gjykata kujdestarinë. Sapo të bëhet ky kalim, atëherë këshilli ka të hapur rrugën që t’u mundësojë jetimëve një ndihmë me nga 3 mijë lekë për secilin fëmijë”, tha Filaj. Ndërkohë, komuna do të hapë edhe një llogari bankare dhe u bën thirrje bizneseve të kontribuojnë, me qëllim që t’u ndërtohet një shtëpi fëmijëve. Dy ditë më parë, jetimët e familjes Myftari,
Xhuliani 16 vjeç, Viktori 15 vjeç, Françeska 14 vjeçe, Maria 12 vjeçe dhe Najada 9 vjeçe, bënë apel për ndihmë, pasi ndiejnë uri. Ata pohuan se nuk shkojnë as në shkollë, pasi nuk kanë rroba për të veshur dhe se u vjen turp nga bashkëmoshatarët e tyre. Në vitin 2005, babai i tyre, Fatmir Myftari, vrau nënën e fëmijëve të tij, Lefteri Myftari, për shkaqe xhelozie. Që prej atij viti, fëmijët kanë jetuar vetëm. Xhaxhallarët e tyre janë munduar t’i ndihmojnë sadopak, por ata jetojnë në skamje për vete. Për pesë jetimët kanë reaguar edhe banorët e zonës, të cilët mësohet se janë vënë në lëvizje për t’i ndihmuar ata me ç’të mundin. m.r
5 VJET është masa e dënimit që ka dhënë Gjykata për babain e pesë fëmijëve të mbetur jetimë, Fatmir Myftari. Ai u akuzua për vrasjen e bashkëshortes së tij më 19 gusht 2005.