"Jo trajtim preferencial për lojtarët e Barçës"
Trajneri i Kombëtares spanjolle, Visente Del Boske, ka hedhur poshtë zërat se ka rezervuar trajtim preferencial për lojtarët e Barcelonës. Shkak është bërë leja e teknikut që Ksavi dhe Karles Pujol të largohen nga grumbullimi i skuadrës përpara ndeshjes me Bosnjën, ndërsa nuk ka bërë të njëjtën gjë për Fernando Torres, i cili është gjithashtu i dëmtuar. Mediat spekulonin se sulmuesi i Liverpulit ka lëndim më të rëndë se Ksavi, megjithatë ai do të vazhdojë të qëndrojnë në kontingjentin e "Furisë së Kuqe". Del Bokse ka mohuar gjithçka rreth kësaj çështjeje, duke theksuar se në ekipin e tij lojtarët trajtohen të gjithë njësoj, pavarësisht skuadrës ku militojnë. "Vendosëm se vendimi më i mirë ishte që ata (Pujol dhe Ksavi) të largoheshin. Të dy këta futbollistë nuk ishin në gjendje të aktivizoheshin në Bosnjë. Rreth këtyre zërave mund të them se nuk më intereson nëse një lojtar luan me Realin e Madridit, Barcelonën apo Fenerbaçen. Do të kisha vepruar në të njëjtën mënyrë, pavarësisht se për cilin lojtar bëhej fjalë", deklaroi trajneri për të përditshmen madrilene, "AS". Del Bokse konfirmoi edhe se ka biseduar me trajnerin e Liverpulit, Rafa Benitez, të cilit i ka dhënë siguri se shëndeti i Torresit nuk do të vihet në rrezik. "Fernando po qëndron në përfaqësuese dhe stafi mjekësor po kujdeset mjaft mirë për të. Benitezin e sigurova që nuk do ta rrezikojmë lojtarin. Na lini të kujdesemi në qetësi për Torresin", përfundoi ai.