E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikën Krenar Ahmeti, Artan Osmani kreu i ri i qarkullimit

Emërohet kreu i ri i qarkullimit rrugor të Tiranës. Artan Osmani ka marrë miratimin e drejtorit të përgjithshëm, Ahmet Prençi, duke u emëruar si shef i komisariatit të policisë rrugore të kryeqytetit. Osmani zëvendëson në këtë detyrë, Nazmi Shulin të komanduar prej disa javësh në vend të Krenar Ahmetit i pezulluar pas një incidenti me eskortën e Kryeministrit Berisha. Edhe më përpara ish-shefi i qarkullimit të Tiranës, Ahmeti, është pezulluar pas konflikteve të përsëritura me qytetarët dhe prokuroren e Krimeve të Rënda, ku me këtë të fundit është ende në proces gjyqësor. Kreu i ri i qarkullimit të Tiranës, Artan Osmani, vjen në këtë detyrë pas shërbimit prej shumë kohësh si shef i Komisariatit të Laçit. Paralel me këtë emërim, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë edhe disa lëvizje të tjera. Në vend të Artan Osmanit në krye të Komisariatit të Laçit emërohet Gjovalin Martincamaj, i cili me parë ka shërbyer si shef i Komisariatit të Përmetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›