E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën Teuta, shorti përplas të mëdhenjtë në çerekfinale

Fundi i 90 minutave të dyta të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë ka zbardhur më në fund edhe tetë skuadrat çerekfinaliste: Dinamo, Besa, Shkumbini, Vllaznia, Partizani, Elbasani, Tirana, Flamurtari, të cilat tashmë do të duhet të vazhdojnë rrugën pa Teutën e eliminuar. Vendimtare kanë rezultuar ndeshjet e kthimit dhe një gjë të tillë e përforcon edhe tabela e klasifikimit, ku shikon se janë kualifikuar të gjitha ekipet, që këtë takim e kanë luajtur në shtëpinë e tyre. Ndërkohë që goleada ka karakterizuar ditën e djeshme të sfidave për trofeun e dytë për nga prestigji në futbollin shqiptar, pasi në tetë takimet e zhvilluara dje janë shënuar plot 28 gola (me një mesatare të lartë 3.5 gola për ndeshje).

Turi i dytë

Ndeshja më e spikatur ka qenë e etiketuar si finalja e parakohshme Vllaznia-Teuta, e luajtur në Shkodër, e cila ka përfunduar me rezultatin 3-1 në favor të vendasve. Rezultati i ndeshjes së parë 1-0 favorizonte durrsakët, por shkodranët kanë mundur të përmbysin gjithçka që në pjesën e parë, kur kanë shënuar tri gola: Shtupina 16‘, Dhëmbi 19‘ e Smajli 32‘. Për Teutën kishte ngushtuar në 2-1 Vila në minutën e 24-t. Rezultati 3-1 ka mbetur i pandryshuar në pjesën e dytë, ku ka pasur emocione dhe shumë raste, madje edhe një vendim të dyshimtë të gjyqtarit në një mundësi të Teutës. Po në Grupin A, Dinamo ka shkatërruar Skënderbeun 4-0, duke siguruar kualifikimin edhe pse kishte humbur 1-0 në ndeshjen e parë. Besa është kualifikuar pas fitores së pastër 3-0 ndaj Kastriotit në Luz të Kavajës. Ndërsa Shkumbini ka kaluar me vështirësi pengesën Apolonia me rezultatin 2-0. në Grupin B, Partizani nuk i kursen golat ndaj Burrelit (5-0). Elbasani mund Besëlidhjen 2-0. Memelli kualifikon i vetëm Tiranën, pas fitores 5-0 ndaj Lushnjës, ku të pestë golat mbajnë firmën e tij. Plus 2 golave në ndeshjen e parë, sulmuesi ka realizuar plot 7 të tillë në dy takimet ndaj lagunarëve. Ndërsa Flamurtari kualifikohet vetëm pas fitores 2-1 ndaj Bylisit.

Çerekfinalet

Shorti i çerekfinaleve ka rezultuar fatal për skuadrat e mëdha, ndërkohë që është treguar shumë bujar për të vegjlit. Kjo për faktin se ekipet, të cilat shikohen si favorite për fitimin e trofeut, do të sfidojnë njëra-tjetrën që në këtë tur. Në rrugën e Vllaznisë së Agim Canës është shfaqur tashmë Dinamo e Zlatko Daliç. Por jo më pak interesante do të jetë edhe sfida tjetër mes Tiranës dhe Elbasanit, ku verdhekuqtë priten të jenë një pengesë e vështirë për bardheblutë në ecurinë e tyre drejt Kupës. Bujaria e shortit duket në faktin se në secilën ndeshje ka vënë përballë skuadra të të njëjtit nivel (për çka ato kanë treguar në këtë edicion). Kjo duket pikërisht në dy takimet e tjera Shkumbini-Besa dhe Flamurtari. Gjithsesi, kjo i ka bërë këto sfida akoma dhe më interesante. Shkumbini dhe Besa garantojnë grintën, por edhe tensionin, për shkak edhe të zhvillimeve të fundit mes tyre, ndërsa përballja me Flamurtarin është një shans për Partizanin që të vazhdojë të ëndërrojë të paktën një trofe në këtë sezon. Do të duhet të presin ndeshjet e këtij turi, të cilat do të luhen më 29 shkurt dhe 11 mars 2009.

1/8 Kupa e Shqipërisë

GRUPI A

Dinamo-Skënderbeu 4-0 (0-1)

Besa-Kastrioti 3-0 (2-1)

Shkumbini-Apolonia 2-0 (0-0)

Vllaznia-Teuta 3-1 (0-1)

GRUPI B

Partizani-Burreli 5-0 (1-0)

Elbasani-Besëlidhja 2-0 (2-2)

Tirana- Lushnja 5-0 (4-1)

Flamurtari-Bylis 2-1 (1-1)

* Në kllapa, rezultatet e ndeshjeve të para

Çerekfinalet

Vllaznia - Dinamo

Shkumbini - Besa

Flamurtari - Partizani

Tirana - Elbasani

* Ndeshjet më 29 shkurt dhe 11 mars 2009



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›