Maria Grazia Cucinotta vjen në Tiranë
Maria Grazia Cucinotta ndodhet në Tiranë. Aktorja italiane ka pranuar të jetë pjesë e serialit "Familjet", me regji të Sunaj Racës. Së bashku me aktorët shqiptarë, Rajmonda Bulku, Fatos Sela, Arben Derhemi, Enver Petrovici etj., Cucinotta do të interpretojë në serialin që ka nisur xhirimet me mbështetjen e kompanisë DigitAlb dhe shtëpisë filmike "Arena" në Kosovë. Ajo i ka vlerësuar tepër aktorët e serialit "Familjet", me të cilët ka pasur rastin të njihet. Në këtë vizitë të parë në Shqipëri, aktorja Maria Grazia Cucinotta shpreh e impresionuar si dhe duke vlerësuar artin e kulturën shqiptare në përgjithësi. Dje ajo është takuar me Kryeministrin Sali Berisha, i cili e ka falënderuar aktoren italiane, Maria Grazia Cucinotta, që zgjodhi Shqipërinë për një projekt shumë të rëndësishëm dhe interesant, siç është seriali "Familjet". Në këtë takim, Cucinotta u shpreh mjaft e kënaqur nga bashkëpunimi me artistët shqiptarë gjatë këtij projekti dhe shprehu gatishmërinë që shumë shpejt, në rolin e saj si producente, të vijë sërish këtu dhe të realizojë projekte të reja. "Familjet", që vjen si produksion i kompanisë DigitAlb, do të sjellë para shikuesit një betejë të policisë shqiptare në Ballkan kundër mafies shqiptare kosovare, malazeze... Në një gërshetim mes dramës dhe aksionit, seriali "Familjet" ka një kast aktorësh nga më të vlerësuarit në Kosovë dhe Shqipëri. Ata do të sjellin për të gjithë shikuesit historinë e përditshme, atë me të cilën jo rrallë herë na është dashur të përballemi. "Familjet" nuk merret me fate kolektive. Regjisori Raca, i cili njëkohësisht është edhe skenarist i filmit, është përqendruar në fatin e individit. Ai ka dashur të sjellë fatin e një njeriu që bie në grackat e mafies pa dashjen e tij. Seriali "Familjet" trajton problemet sociale, plagët e shoqërisë së sotme; rrëfen se çfarë e shtyn një njeri të bjerë në rrugën e mafies e të bandave. Ai ka vendosur të rrëfejë luftën e përhershme mes të mirës dhe të keqes, të njerëzve që janë në mbrojtje të ligjit, por edhe të atyre që janë kundra tij. Duke filluar që nga vitet ‘90, aktorja dhe producentja italiane Maria Grazia Cucinotta, ka interpretuar jo vetëm në kinematografinë italiane, por edhe në atë amerikane. Ajo ka interpretuar në 60 filma në role protagoniste dhe me 20 prodhime si producente me regjisorë nga më të mirët në botë, si Woody Allen, Spike Lee, Ridley Scott etj.