Adi Krasta fiton "Lidership 2008"
Adi Krasta vlerësohet me çmimin "Lidership 2008". Organizata joqeveritare "Co-Plan", Qendra për Zhvillimin e Habitatit, e ka vlerësuar me këtë çmim prezantuesin e emisionit "E Diell" në "Top Channel". Prezantuesi dhe gazetari, Adi Krasta, është vlerësuar me çmimin "Lidershipi Shqiptar 2008" që tashmë është kthyer në një traditë. Është viti i pestë për të cilin Co-Plan" në bashkëpunim shumë të ngushtë me Komitetin Shqiptar për Lidership ka bërë të njohur liderë të cilët japin më të mirën për shoqërinë dhe shërbejnë si modele për t‘u ndjekur. I tillë është vlerësuar edhe Adi Krasta. Prezantuesi është vlerësuar nga një votim i hapur. Çmimi "Lidership 2008", është i ndarë në katër kategori. Vlerësohen me këtë çmim, lidershipi për shoqërinë civile dhe kontributin që ai ka dhënë në zhvillimin e shoqërisë, çmimi për qeverisjen si një model inspirues për t‘u ndjekur, çmimi për median dhe shtypin që ka ndihmuar në vendosjen e urave për komunikimin e opinionit publik, si dhe çmimi për sektorin privat, biznesin, i cili ka shfaqur përgjegjshmëri të larta sociale. Komiteti Shqiptar për "Lidershipin 2008", përbëhej prej disa figurave të njohura.