E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, Presidenti i hapur ndaj pyetjeve

Përmes sajtit të internetit, Presidenti i ri amerikan ka zgjedhur mënyrën më të mirë për të komunikuar me njerëzit. Online mund të bësh çdo lloj pyetjeje, që nga transparenca e qeverisë, te korrupsioni, apo kërkimet shkencore, ndërsa ai dhe stafi i tij japin përgjigjet në mënyrë të vazhdueshme. Brenda pesë ditëve janë bërë 10 mijë pyetje. Në të vërtetë quhet "Open for question", mënyra e prezantuar nga skuadra e tranzicionit që drejtohet nga Barak Obama dhe zëvendësi i tij, Xho Bajden, për të komunikuar me publikun. Që nga 10 dhjetori, Presidenti i ri ka krijuar në sajtin zyrtar të stafit që ka zgjedhur për t‘u qeverisur një seksion, ku është e mundur t‘i drejtosh pyetje edhe vetë Obamës. Në këtë mënyrë, përdoruesit mund të shkruajnë pyetjet që i konsiderojnë më të rëndësishmet dhe që ata vetë duan të kenë një përgjigje. Faqja do të jetë aktive edhe në javët e ardhshme, ku do të përpiqet t‘u jepet përgjigje në mënyrë të vazhdueshme pyetjeve të amerikanëve. Vetëm javën e kaluar janë regjistruar një milion përdorues dhe një total prej dhjetë mijë pyetjesh. Raundi tjetër i pyetjeve dhe përgjigjeve do të vijë në ditët në vijim, por ndërkohë sajti i fton qytetarët që t‘u bashkohen temave të debatit për tematika nga më të ndryshmet. Faktikisht, që gjatë fushatës elektorale Presidenti Obama ka deklaruar se do të ishte gjithmonë i hapur për publikun. E në fakt kjo dukej. Obama arriti të bënte për vete miliona votues amerikanë përmes lirshmërisë së tij. Profili i tij në "Facebook", apo "Myspace" tërhoqi vëmendjen e votuesve që në fillim. Si kurrë më parë, një President amerikan nuk kishte qenë kaq afër publikut. Për të interneti është mënyra më e mirë për të qenë më afër amerikanëve. Të njëjtën gjë Obama bëri edhe kur ishte në kërkim të njerëzve për stafin e tij të ri. Për shembull, në internet dhe në sajtin gange.gov gjendej aplikim për punë për ata që donin të bëheshin pjesë e skuadrës së tij.

Ja cilat janë edhe shkëmbimet e para me publikun.

Gjatë 100 ditëve të para si President, a do të heqë ndalimin e kërkimeve për qelizat staminale?

Obama është një mbështetës i bindur i financimeve federale për një kërkim të detajuar për qelizat staminale dhe ka garantuar se do t‘i ndryshojë kufizimet e vendosura nga Presidenti Bush.

A do të merrni në konsideratë mundësinë për të legalizuar marijuanën, në mënyrë që qeveria të mund të rregullojë shitjet e saj, të vendosë taksa, të vendosë për moshën e lejuar, për ata që duhet ta përdorin, për të krijuar në Amerikë miliona vende të reja pune dhe një industri të re miliardere?

Obama nuk është pro legalizimit të marijuanës.

Çfarë do të bëni për të siguruar transparencën dhe ruajtjen kundër harxhimeve të kota të parave të dhëna për shpëtimin e "Wall Street"-it në vështirësi?

Obama nuk mendon se një krizë ekonomike duhet të jetë preteksti për të justifikuar shpenzime të kota dhe të panevojshme. Ndërsa grupi jonë që merret me ekonominë po harton me Kongresin një plan, për të bërë të efektshme disa reforma që na garantojnë se paratë tona janë investuar shumë mirë. Gjithashtu, do të përfshijmë amerikanët në qeveri, duke promovuar rregulla ekzekutive që të garantojnë që komunikatat për politikat rregulluese mes anëtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe gjithë personave jashtë qeverisë, do t‘i bëhen të ditura publikut. Ndërkaq, të gjithë personat që do të caktohen të drejtojnë departamente të sektorit ekzekutiv dhe agjencitë e rregullimeve duhet ta zhvillojnë aktivitetin e tyre kryesor në publik, në mënyrë që çdo qytetar të ketë mundësinë ta shohë personalisht, ose të ndjekë debatet në ueb.

Çfarë do të bëni për të promovuar edukimin në fushën e shkencës dhe matematikës mes studentëve të shkollave fillore e të mesme?

Obama dhe Bajden do t‘u japin prioritet fëmijëve, duke investuar në edukimin e tyre dhe duke bërë që shkollat të marrin financimet e nevojshme dhe të administrohen nga mësues shumë të kualifikuar. Gjithashtu, do të punohet edhe në reformën e ligjit të nxjerrë në kohën e Bushit "No child left behind". Do të rekrutohen të diplomuar në matematikë dhe shkenca për të bërë profesionin e mësuesit e do të përpiqemi që këta mësues të rinj të mësojnë nga ekspertë të këtij sektori. Ndërkaq, Obama dhe Biden do të kujdesen që të gjithë fëmijët e çdo klase të kenë një informacion solid për shkencat.

Si President, çfarë do të bëni për të rivendosur garancitë kushtetuese të përmbysura nga administrata e Bushit dhe për garantimin e një rinovimi në sistemin e kontrolleve?

Obama është tërësisht i bindur në nevojën për të formuar shtetin e së drejtës dhe të respektojë kontrollet e kundërpeshat kushtetuese. Për këtë arsye ka garantuar se do të modifikojë rregullat ekzekutive të dala nga administrata e Bushit. Obama do të ndërpresë edhe abuzimin e bërë me "Signing statements" (deklaratat e firmosura, mosnjohja që Presidenti u bën ligjeve të Kongresit, një mjet i përdorur shumë rrallë në të kaluarën, por Bush e "përdori" rreth 800 herë në 5 vjet e gjysmë) dhe do t‘i japë fund politikës që ka investuar departamenti i drejtësisë, për t‘i kthyer misionin e saj historik dhe apolitik agjencisë që administron drejtësinë në mënyrë të barabartë dhe të paanshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›