E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emin Riza: Një marrëzi shembja e shtëpive në Gjirokastër

"Është marrëzi që shembja e shtëpive në Gjirokastër të vendoset nga këshilli bashkiak". Kështu shprehet Emin Riza, specialist i banesave në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Debati nisi pas shembjes së pjesshme të banesës 300-vjeçare të

Koloit, në lagjen "Varosh", shembja natyrale e së cilës, si pasojë e degradimit u cilësua e rrezikshme. Por situata është nxehur pas deklaratave se shkatërrimi do të përfshijë 12 shtëpi shekullore, njëkohësisht monumente kulture. "Është e qartë që Këshilli Bashkiak apo Këshilli i Rregullimit të Territorit nuk ka asnjë kompetencë ligjore që të vendosë nëse duhen prishur apo jo monumentet e kulturës. Kjo është detyrë e Institutit të Monumenteve dhe strukturave në varësi të tij, siç është Drejtoria Rajonale. Banesa të vjetra që rrezikojnë nuk ka vetëm në Gjirokastër. Në rastet kur përbëjnë rrezik aksidenti, bëhet ndërhyrje nga specialistët", thekson Riza. Sipas tij, në raste të tilla krijohet një grup specialistësh që shqyrtojnë shkallën e dëmtimit e më pas vendosin. Banesa mund t‘i nënshtrohet një rikonstruksioni apo një shembjeje të pjesshme siç ishte rasti i shtëpisë së Koloit. Kjo banesë e vendosur shumë pranë rrugës rrezikonte kalimtarët dhe për këtë specialistët e monumenteve asistuan në shkatërrimin e qëllimshëm të një pjese, ndërsa pritet që të bëhet një projekt restaurimi. Sipas Rizës, justifikimi se nuk ka fonde për restaurimin e këtyre banesave nuk qëndron. "Në raste të tilla urgjente fondet lëvrohen", shprehet ai. Dëmtimi i banesave të vjetra, më së shumti për shkaqet e braktisjes së tyre, ka qenë një argument i vazhdueshëm i viteve të fundit për Gjirokastrën. Pas përfshirjes në UNESCO, gjithnjë e më shumë fonde kanë shkuar për restaurime në qytetin e gurtë, ndonëse nevoja është shumë e madhe. "Në një kohë kur pas viteve ‘90 ritmi i ndërhyrjeve restauruese është ngadalësuar, është normale që mes 500 banesave, 12 të jenë më të rrezikuara", shprehet Riza. Puna restauruese vazhdon në disa monumente të qytetit të gurtë, e administruar edhe nga përfaqësues të UNESCO-s. Për këtë fakt ka reaguar edhe Spartak Drasa, drejtori i Degës Rajonale të Monumenteve të Kulturës. "Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën nuk ka asnjë ligj që të shembë monumentet e kulturës. Deklarata e përgjegjësit të zyrës së Shërbimeve në Bashkinë e Gjirokastrës se "shtëpia e Kolojve është një ndër 12 banesat për të cilat, Këshilli Bashkiak ka vendosur në mbledhjen e dy ditëve më parë që të shemben", është e pakuptimtë kur 2-3 vitet e fundit kanë nisur përpjekjet për të ringritur Gjirokastrën historike", shprehet Drasa. Ndonëse asgjë nuk është diskutuar zyrtarisht mes institucioneve, nëse do të duhet të vendoset për shtëpitë e degraduara, atëherë do të mblidhet një grup i specialistëve të monumenteve. Shumica e objekteve që bashkia parashikon të shembë janë banesa të degraduara që para 20 vjetësh. "Ne si drejtori, aktualisht jemi angazhuar në restaurimin e një numri të madh banesash. Jemi duke punuar me ritme maksimale në disa projekte restauruese në Pazarin karakteristik, në banesën e Angonatëve, shtëpinë e Çabejt, Kadaresë, Gurgait, Kashaut, në kështjellën mesjetare etj"., shprehet Drasa.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›