E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zamira Kita: Kam vuajtur si nënë

Me një fustan modest, por të bukur, ajo takon klientin e saj të radhës. Ai dhe shumë të tjerë janë një domosdoshmëri që fëmijët e saj të ngopen me bukë. Drama nis pas hekurave të burgut. Zamira Kita i ka dhënë fytyrë dhe emocion këtij personazhi femër, i hasur dendur në ditët e sotme. Me të parën monodramë, aktorja korçare rikthehet pas disa vitesh në skenën e Teatrit Kombëtar.

"Velloja e bardhë" pas prezantimit në skenën e korçare vjen edhe mbrëmjen e sotme për publikun e kryeqytetit. "Paraqitem për herë të parë në një monodramë dhe kjo është vërtet e rëndësishme dhe një sfidë për mua. Emocioni dhe drama nisin prej fillimit. Personazhi është një grua e martuar me dy fëmijë. Kushtet e vështira ekonomike në të cilat jeton e detyrojnë të prostituojë për të mbajtur fëmijët. Por ndonëse e përcjellim këtë mesazh, ne nuk e përligjim rrugën që ajo ka zgjedhur. Në fund vetëgjykohet dhe vetëvritet, shprehet Kita. Ajo e ndien shumë afër këtë dramë, të shkruar nga Odise Plaku e vënë në skenë me regji të Marko Bitrakut e skenografi të Roland Karanxhës. "Duke qenë edhe vetë nënë e kuptoj se sa e vështirë është t‘i plotësosh të gjitha dëshirat fëmijës apo ta sjellësh në jetë e të përpiqesh të mos i mungojë asgjë. Për këtë arsye me personazhin tim ndihem më tepër nënë. E përjetoj dhe faktin se ç‘do të thotë të detyrohesh t‘i thuash lamtumirë fëmijës, të zhdukesh nga kjo botë e keqe për të mos i lënë njollë të zezë atij. Është dhimbje shumë e rëndë. Herë pas here më kap një ngashërim që më bën të harroj edhe mjeshtërinë e aktorit", thekson aktorja. Ndërsa pret gjykimin e vërtetë artistik nga ngjitja në skenën e Teatrit Kombëtar. Për të çdo interpretim është i rëndësishëm, por shprehet se "përgjegjësia është shumë herë më e madhe në Teatrin Kombëtar. Jo se i kam nënvlerësuar shfaqjet në Korçë, por skena e TK-së është e magjishme". Përveçse aktore, Zamira Kita është edhe drejtuese e teatrit "Andon zako Çajupi" të Korçës. Shprehet se aktorja me drejtuesen bashkëjetojnë me vështirësi tek ajo. "Në të gjitha drejtimet është e vështirë. E para, kam një lodhje të madhe dhe së dyti, nuk jam e qetë për të luajtur si aktore. Aktori duhet të jetë totalisht i shkëputur nga problemet personale dhe familjare, jo më nga probleme kaq të rëndësishme siç është menaxhimi i një teatri. Me shumë sforco jam përpjekur që ta bëj dhe kam ecur mirë, por nuk di dhe sa kohë do të vazhdoj kështu. Gati në të gjithë rolet jam e detyruar të luaj në Korçë, sepse Korça ka pak aktore femra", shprehet Kita. Si zgjedhje i ishte ofruar edhe një monodramë e huaj, por ndihet mirë në tekstet shqiptare, me një realitet që e prek çdo ditë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›