E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën gjyqtarja, Banda e Durrësit shtyhet për herë të tretë në Apel

Anëtarët e Bandës së Durrësit në gjykatë

TIRANE Procesi gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit në Apelin e Krimeve të Rënda nuk doli as dje nga ngërçi i futur për shkak të gjyqtarëve. Për të tretën herë, procesi nuk u zhvillua për shkak të mosformimit të trupës gjykuese. Në seancën e djeshme, nga ana e trupit gjykues u relatua se gjyqtarja Fiqirete Mullai, e deleguar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë si kryesuese në këtë gjykim, kishte paraqitur dorëheqjen. Siç u relatua në proces, dorëheqja ishte paraqitur ditën e premte dhe ajo ishte pranuar nga kreu i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, duke e lënë kështu me një gjyqtar mangët pesëshen gjykuese të bandës. Pamundësia për të formuar një pesëshe gjykuese po mban peng prej disa seancash gjykimin e bandës së Durrësit në Apelin për Krimet e Rënda. Pesëshja fillestare, e përbërë nga anëtarë të trupës gjykuese të Apelit, u dorëhoq për shkak të papajtueshmërive. Ata ishin konsumuar, pasi kishin marrë pjesë në shqyrtimin e masave të sigurisë apo të kërkesave të ndërmjetme teksa banda gjykohej në Shkallën e Parë. Por, në vijim, delegimi i pesë gjyqtarëve të tjerë nga Gjykata e Apelit Tiranë rezultoi i suksesshëm. Sipas ligjit, nëse një gjyqtar ka marrë në shqyrtim një akuzë apo një kërkesë për një të pandehur, nuk mundet që të shqyrtojë çështje të tjera për të njëjtin person.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›