Turistët te Birra Korça: E shijuam si në Gjermani!

Vizitorët e huaj duke parë procesin e prodhimit të birrës
Ju garantojmë se nuk ka asnjë ndryshim me birrat më të mira gjermane
Vizitë në fabrikën e birrës në Korçë, përgëzime për investimin.
Birra Korça, një ndalesë e përhershme turistike. Një grup turistësh gjermanë kanë vizituar fabrikën Birra Korça si një nga investimet më madhore të vendit. Të orientuar nga agjencia turistike me të cilën ata kishin ardhur në Shqipëri, janë ndalur për të shijuar birrën që mban emrin e këtij qyteti. Ata janë impresionuar nga madhështia e fabrikës, por dhe nga cilësia e birrës, duke u ndalur në çdo detaj të prodhimit të birrës duke e krahasuar atë me birrën e prodhuar në Gjermani. Dhjetë turistët nga qytete të ndryshme të Gjermanisë, të një prej shteteve më të zhvilluara europiane, nuk kanë hezituar ta paralelizojnë këtë fabrikë me ato në shtetin e origjinës së birrës. Aparaturat e parametrave bashkëkohorë thuajse i kanë gozhduar për minuta të tëra këta turistë, të cilët, ashtu sikundër çdo person tjetër, kanë treguar interes të veçantë për ndërtesën, e cila spikat në qytet, por edhe që identifikon një lagje falë emrit që ka krijuar nëpërmjet kualitetit të pakrahasueshëm. Tashmë, fabrika, e cila në vetvete është një investim madhështor, pas të cilit qëndron emri i pronarit të saj, Irfan Hysenbelliu, ka zënë vend ndër përzgjedhjet e agjencive turistike që po i orientojnë gjithnjë e më tepër turistët si pjesë të guidës në Korçë. Ndalesa e parë në qytetin juglindor për këta turistë ka qenë pikërisht fabrika Birra Korça, duke u shndërruar kështu në një atraksion të vyer që ia rrit vlerat qytetit. Dikur ishte i pagëzuar me emrin qyteti i serenatave, por tashmë Korça identifikohet me një tjetër emër, që e ka çuar atë në standardet më të larta, madje deri

Turistët gjermanë, dje në ambientet e Birra Korça
në Hollivud. Përveçse nuk kanë hezituar të bëjnë foto të fabrikës, të cilat do të jenë suveniret e një udhëtimi dhe vizite mbresëlënëse, turistët gjermanë kanë përgëzuar për gjithçka kanë mundur të shohin dhe prekin nga afër, ashtu si rrallëkujt në vendin e tyre mund ti ndodhë. Martin Majsten, mes grupit të turistëve, është ai që ka pasur kërshërinë më të madhe për të parë çdo gjë të detajuar, por edhe e ka fiksuar në aparatin e tij fotografik atë që pas këtij udhëtimi do ta tregojë si një prej vizitave më të veçanta të këtij turi. Ai thotë që është hera e parë që e viziton Shqipërinë dhe ndalesa ka qenë në Korçë, ku kishte dëgjuar se ekziston një fabrikë e parametrave të tillë. Është një vizitë që duhet mbajtur mend dhe një vend ku unë do të rikthehem. Kam provuar birrën dhe them që është e shkëlqyer. Askush më mirë se një gjerman nuk mund ta dallojë këtë dhe ju garantoj që nuk ka asnjë ndryshim nga birrat më të mira gjermane. Është bukur që të gjesh edhe në Shqipëri atë që është e vlerësuar në vendin tënd. Jam në Shqipëri, por me këtë birrë kaq të mirë, them se kam Gjermaninë me vete.
Petra Shyman: Birra Korça, madhështia e pijes
Petra Shyman
Por edhe më e befasuar ka mbetur njëra prej udhëtareve të këtij grupi. Petra Shyman ka treguar se në një fabrikë ku jo vetëm mund të shohësh se si prodhohet birra, por edhe të nuhatësh aromën e saj, nuk mund të vihet në dyshim asgjë tjetër. Nuk e imagjinoja që në një qytet në Shqipëri do të mund të fshihej madhështia e pijes më të preferuar për mua dhe bashkëkombësit e mi, u shpreh ajo. Fillimisht e pashë birrën si prodhohej, më tej mund të nuhas erën e saj teksa me mijëra shishe mbusheshin në fabrikë dhe në fund e shijova.
Turistët: Në Gjermani do tregojmë për Birra Korça
Turistët gjermanë do të rikthehen në shtetin e tyre me eksperiencën e shijes së Birra Korça. Sapo të shkoj, me siguri do tu them miqve të mi se kjo fabrikë qëndron në top-listë mes të gjitha vendeve që kam vizituar në Shqipëri, thotë njëra nga vizitoret e djeshme në fabrikën Birra Korça. Pas vizitës këta turistë relaksin e kanë gjetur në shoqërinë e njëri-tjetrit, duke bërë gëzuar me birrën e qytetit, e cila prodhohet prej vitit 1928 në qytetin e Korçës dhe që gjithmonë e më tepër i ngjan një perandorie të madhe me lulëzimin e saj.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
