E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim 3 deputetëve, pyeten protestuesit e 21 janarit

Nga demonstrata e 21 janarit

Prokuroria pyet demonstruesin e dënuar: “A të nxitën Balla, Doshi e Baraj?”

Jetmir Prenga: Dhunës së policisë iu përgjigjëm me dhunë.

“A keni marrë udhëzime apo instruksione nga deputetët e PS për të sulmuar policinë? A jeni nxitur a shtyrë nga ndokush për të shkatërruar pronën e Kryeministrisë gjatë dhe pas demonstratës më 21 janar 2011″. Këto kanë qenë disa nga pyetjet thelbësore me të cilat janë përballur dje dy protestues të 21 janarit, të ardhur nga Lezha në Tiranë në përgjigje të thirrjes së Prokurorisë për të dhënë deklarime. Protestuesi Jetmir Prenga, së bashku me një bashkëqytetar tjetër nga Lezha, është marrë dje në pyetje në prokurorinë e Tiranës për disa orë. Ai ka dhënë deklarime për grupin hetimor të ngritur ndaj tre deputetëve të PS-së, Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj, të cilët po hetohen nëse i kanë nxitur demonstruesit në akte dhune ndaj policisë dhe institucioneve. Pasi dëshmoi për më se një orë në Prokurorinë e Tiranës, Jetmir Prenga, i shoqëruar edhe nga avokati mbrojtës Bledar Skenderi, ka dalë nga Prokuroria duke pohuar se nuk ka marrë asnjë porosi për të ushtruar akte dhune më 21 janar. “Kam ardhur në Prokurori pasi jam thirrur për të dëshmuar për ngjarjet e 21 janarit”, tha Jetmir Prenga dje në dalje të Prokurorisë. Ai shtoi se nuk ka kryer akte dhune. Avokati mbrojtës, Bledar Skenderi, i cili shoqëronte dje në Prokurori Jetmir Prengën, deklaroi se kishte komunikuar me klientin e tij, i cili ka mohuar të ketë marrë ndonjë porosi nga ndokush për të kryer akte dhune. “Ai deklaron se nuk ka pasur asnjë nxitje apo shtytje për veprime të dhunshme, por ka kundërvepruar në ato momente ndaj forcave të rendit si pasojë e dhunës së ushtruar prej këtyre të fundit”, tha avokati Bledar Skenderi. Ai theksoi se policia ka përdorur goditje dhe gaz lotsjellës pa paralajmërim, duke irrituar protestuesit. Sipas avokatit, klienti i tij, Jetmir Prenga, është dënuar njëherë për veprimet e kryera më 21 janar, duke u cilësuar fajtor dhe duke u ndëshkuar me 10 muaj burg. Në zbatim të gjykimit të shkurtuar, gjykata i kishte ulur një të tretën Jetmir Prengës, duke e lënë 6 muaj e 4 ditë në qeli për akuzën e kundërshtimit me dhunë të punonjësve të Policisë. Prokuroria ka planifikuar të marrë në pyetje mbi 20 protestues që rezultojnë se kanë ushtruar dhunë mbi policët më 21 janar. Kjo seri pyetjesh filloi dje me Jetmir Prengën dhe një protestues tjetër, ndërsa pritet të vazhdojë disa ditë me radhë.
Protestuesi
Jetmir Prenga, banues në fshatin Shën Koll të Lezhës, është akuzuar për veprën penale “kundërshtim të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”. Më 6 qershor 2011, Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dhjetë muaj burg të pandehurin. Prokuroria ndërkohë kishte kërkuar nëntë muaj heqje lirie ndaj të pandehurit. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, gjatë procesit, Jetmir Prenga kërkoi mëshirë dhe falje. Gjatë gjykimit, i akuzuari dhe avokatet e tij bënë kërkesë për gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila nuk u kundërshtua nga prokuroria. Më pas, gjykata analizoi faktet, duke pohuar se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane mbi bazën e materialit kallëzues të dërguar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Seksioni Kundër Krimeve të Rënda dërguar me shkresën, në datën 25 janar 2011, ka regjistruar procedim penal nr.330, datë 25 janar 2011, në ngarkim të të pandehurit Jetmir Prenga, për veprën penale të kundërshtimit të punonjësit të Policisë. Sipas kallëzimit të Policisë, më 21 janar 2011, rreth orës 14:00, i pandehuri Jetmir Prenga, ka marrë pjesë në një tubim të zhvilluar në sheshin “Skënderbej” Tiranë. Gjatë zhvillimit të këtij tubimi, i pandehuri Jetmir Prenga ka ushtruar dhunë fizike, duke qëlluar me sende të forta “shkopinj” punonjësit e policisë së rendit publik të planizuar me shërbim para godinës  së Këshillit të Ministrave. Për të njëjtën akuzë, kundërshtim të punonjësve të Policisë, si dhe shkatërrim prone, janë dënuar edhe të paktën 14 protestues të tjerë të 21 janarit. Ata janë akuzuar për dëmtimin e portës dhe vendrojes së Kryeministrisë, si dhe për djegien e automjeteve pranë Piramidës. Gjithashtu, një pjesë e mirë e protestuesve janë akuzuar për kundërshtim të policëve që ishin vendosur në kordon rreth Kryeministrisë gjatë ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›