E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolapsi me patentat në Vlorë, në pranga 7 zyrtarë

Drejtues të Policisë dhe Prokurorisë së Vlorës dje pas operacionit

Në hetim edhe 19 mjekë. Dëshmi personave me aftësi të kufizuara.

Zyrtarë të Bashkisë së Vlorës, të Kryqit të Kuq Shqiptar, të Drejtorisë së Transportit Rrugor të disa rretheve, si dhe administratorë e instruktorë autoshkollash u arrestuan mëngjesin e djeshëm nëpër zyrat e tyre për korrupsion. Shkak është bërë zbulimi i pajisjes me patenta të emigrantëve, pa qenë të pranishëm vetë në Shqipëri, në këmbim të parave. Gjithashtu, në bashkëpunim të arrestuarit kanë pajisur me patenta drejtues mjetesh me të meta fizike apo mendore, në kundërshtim me atë që lejon Kodi Rrugor. Mësohet se zanafilla e hetimeve ishte rreth 15 ditë më parë, kur një efektiv i Policisë Rrugore ka ndaluar drejtuesin e një mjeti për verifikim të dokumenteve. Ai ka konstatuar se shoferi kishte të meta fizike, çka binte ndesh me Kodin dhe përbënte rrezikshmëri të madhe jo vetëm për vetë drejtuesin, por edhe për qytetarët. Ai ka njoftuar menjëherë kolegët e tij, nga ku më pas është vënë në dijeni Sektori i Krimit Ekonomik. Duke qenë një rast tipik i shpërdorimit të detyrës i disa institucioneve njëherazi, në hetim është vënë Sektori Kundër Krimit Financiar në Policinë e Vlorës, në bashkëpunim me Njësinë Task-Force, në Prokurorinë e këtij rrethi. Prokuroria firmosi urdhër-arrestet për 7 persona, ndërsa 19 mjekë në Vlorë, Fier, Tiranë e Gjirokastër janë në hetim në gjendje të lirë. Sipas Policisë, u prangosën Kleanthi Peçi, ish-kryetar i Rajonit Nr.3 në Bashkinë Vlorë që prej 4 vitesh (deri para 10 ditësh), aktualisht specialist për faturimin e taksave familjare në Drejtorinë e Tatim-Taksave në Bashki. Ai lëshonte vërtetime të Rajonit Nr.3 personave që nuk ishin vetë të pranishëm, si banorë të kësaj zone, për pajisjen me patentë. Lirjan Selmanaj, kryetar i Kryqit të Kuq Shqiptar, si dhe Gjergji Dhiamandi, sekretar i Kryqit të Kuq, sipas policisë kanë lëshuar vërtetime për persona të ndryshëm, sikur ata kishin përfunduar kursin e detyruar për dhënien e ndihmës së shpejtë në rast aksidenti. Po dje, në kuadër të të njëjtit operacion të koduar “Kolaps”, u arrestua Limoz Alia, administrator dhe instruktor i autoshkollës “Labëria”, në Vlorë dhe Altin Demiri, instruktor i autoshkollës “AMK Guberaj”, po në Vlorë. Ata pranonin dokumente të pasakta si dhe jepnin leje për pajisje me patenta pa u paraqitur vetë personi. I arrestuar është edhe shtetasi Xhevair Basha, 51 vjeç, ish-kryetar i komisionit për pajisje me dëshmi aftësie për drejtim automjeti në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor në Vlorë, aktualisht, me të njëjtën detyrë në DRSHTR-në e Gjirokastrës. Ai lëshonte vërtetime për personat që nuk ishin fizikisht në Shqipëri, por ua jepte personave të tjerë kundrejt pagesave. Për të njëjtën vepër u prangos edhe Luan Troka, ish-anëtar i komisionit për pajisje me dëshmi aftësie në DRSHTR-në Vlorë. Aktualisht me të njëjtën detyrë në Drejtorinë Rajonale të Fierit. “Arrestimi i këtyre shtetasve, si dhe fillimi i procedimit penal në ngarkim të 19 mjekëve, është kryer pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar që në bashkëpunim me njëri-tjetrin në më shumë se 22 raste të dokumentuara, kundrejt shumave të caktuara monetare, falsifikonin dokumentet zyrtare për persona të cilët nuk ishin të pranishëm,  por emigrantë jashtë shtetit, duke i pajisur ata me leje drejtimi”, bëri të ditur Policia.

Zyrtarët e arrestuar
Kleanthi Peçi, ish-kryetari i Rajonit Nr.3 në Vlorë, aktualisht specialist për faturimin e taksave familjare në Drejtorinë e Tatim-Taksave në Bashki

Lirjan Selmanaj, me detyrë kryetar i Kryqit të Kuq Shqiptar, dega Vlorë

Gjergji Dhiamandi, me detyrë sekretar i Kryqit të Kuq Shqiptar, dega Vlorë

Limoz Alia, administrator dhe instruktor i autoshkollës  “Labëria”, në Vlorë

Altin Demiri, instruktor i autoshkollës “AMK Guberaj”, në Vlorë

Xhevair Basha, ish-kryetar i komisionit për pajisje me dëshmi aftësie për drejtim automjeti në DRSHTR-në e Vlorës, aktualisht me të njëjtën detyrë në Gjirokastër

Luan Troka, ish-anëtar i komisionit për pajisje me dëshmi aftësie për drejtim automjeti pranë DRSHTR-së Vlorë. Aktualisht më të njëjtën detyrë në DRSHTR-në Fier

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›