Ikën kreu i SHISH, Presidenti dekreton shkarkimin e Shaqirit

Presidenti Nishani ka dekretuar lirimin nga detyra të Drejtorit të SHISH-it, Bahri Shaqiri dhe emërimin në këtë detyrë të Visho Likës.
Presidenti i Repubikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 92, germa "f", dhe nenit 93 të Kushtetutës si dhe nenit 5, paragrafit 2 të Ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998 "Për Shërbimin Informativ Kombëtar", i ndryshuar, me propozimin të Kryeministrit dekretoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, zotit Bahri Shaqiri dhe emërimin në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, të zotit Visho Ajazi Lika, i cili ka qene zëvendësministër i Teknologjisë dhe Inovacionit.
Mësohet se propozimi i Kryeministrit Berisha është dorëzuar mëngjesin e sotëm në Presidencë dhe më pas ka ardhur dhe vendimi i Presidentit Nishani.
Bahri Shaqiri mbante postin e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit që nga 27 Janari i 2005.