E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon pushtimi i institucioneve. Nishani shkarkon kreun e SHISH, emëron propozimin e Berishës

Pasi kanë marrë drejtimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mazhoranca shtrin duart drejt Shërbimit Informativ Shtetëror. Mësohet se presidenti i ri ka liruar nga kjo detyrë Bahri Shaqirin dhe në vend të tij ka emëruar Visho Ajazin

Propozimi është bërë nga kryeministri Sali Berisha. Ligji përcakton se drejtori e zëvendësdrejtori i SHISH emërohen e shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryetarit të Këshillit të Ministrave. Nishani e pati paralajmëruar një gjë të tillë në disa intervista.

Presidenti i Repubikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 92, germa f, dhe nenit 93 të Kushtetutës si dhe nenit 5, paragrafit 2 të Ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998 Për Shërbimin Informativ Kombëtar, i ndryshuar, me propozim të Kryeministrit dekretoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, zotit Bahri Shaqiri dhe emërimin në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, të zotit Visho Ajazi Lika, thuhet në njoftimin e presidencës.

Shaqiri shihej një figurë e rëndësishme në drejtimin e këtij institucioni kyç nga partnerët ndërkombëtarë. Puna e tij pati marrë vlerësime, por mbi të gjitha ai ishte vlerësuar pasi arriti ta mbante institucionin larg ndikimeve politike.

Ndërkombëtarët patën këmbëngulur në këtë drejtim dhe arritën të zmbrapsin një tentativë të kryeministrit Sali Berisha për të vendosur këtë agjenci të rëndësishme nën kontrollin e tij.

Berisha megjithatë arriti të përdorë shërbime të tjera për të kryer funksionet e SHISH. Rasti më flagrant ishte ai i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, që akuzohet se është përdorur për të përgjuar opozitën dhe diplomatët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›