PASURITE e njerëzve të drejtësisë shqiptare
Drejtuesit e Gjykatës së Lartë kanë bërë deklarimin e tyre të pasurisë. Mediat kanë zbardhur sot deklaratat e pasurisë të njerëzve kryesorë në drejtësinë shqiptare.
Aleksandër Muskaj ka deklaruar mbylljen e një depozite në shumën 45 mijë euro. Ai ka deklaruar se ka marrë një kredi te BKT në vlerën 12.8 milion lekë. Po ashtu ai ka deklaruar shlyerjen e një detyrimi në shumën 17.688 eurosh ndaj një firme ndërtimi për një apartament të deklaruar më parë.
Andi Çeliku ka shitur një zyrë 28 metër katror, nga e cila ka përfituar 52 mijë euro. Ai ka deklaruar blerjen e një trualli 123 metër katror, ku ka banesën e deklaruar më parë, për shumën 137 mijë lekë.
Arjana Fullani ka deklaruar shtesë në llogarinë bankare në vlerën 5.1 milion lekë. Ajo ka deklaruar se vazhdon të shlyejë një kredi, nga e cila kanë mbetur pa shlyer 9.8 milion lekë. Nga paga e të shoqit ajo deklaron të ardhura në vlerën 6.3 milion lekë.
Evelina Qirjako ka blerë një garazh në vlerën 20 mijë euro, 24 metër katror. Të ardhurat e saj nga paga ishin 1.6 milion lekë, ndërsa nga qertatë e pronave ajo ka fituar 53 mijë euro dhe 935 mijë lekë. Ajo ka ende pa paguar një shumë prej 125 mijë eurosh nga një kontratë sipërmarrje.
Gani Dizdari ka paguar shumën prej 800 mijë lekë për firmën Lura për një apartament në Gjirin e Lalzit. Apartamenti i ka kushtuar 3.6 milion lekë.
Shpresa Beçaj, kryetarja e Gjykatës së Lartë, ka përfituar nga paga 2 milion lekë, ndërkohë që ka ende pa shlyer edhe 3.9 milion lekë nga një kredi për shtëpi, marrë në vitin 2005.
Mirela Fana deklaron disa depozita, njëra prej tyre në BKT në vlerën 64 mijë euro. Ajo deklaron blerjen e një apartamenti në vlerën prej 150 mijë euro. Po ashtu ka blerë një zallishte në Kavajë për 300 mijë lekë. Po vazhdon të shlyejë një kredi prej 457 mijë euro, marrë në NBG, për ndërtim vile.
Ina Rama ka marrë nga paga dhe shpërblimet 2.3 milion lekë. 54 mijë lekë i ka përfituar nga pagesa në Shkollën e Magjistraturës. Ajo ka vazhduar të shlyejë dy kredi të marrë në vitin 2003 dhe 2009. Në vitin 2003 ajo ka marrë kredi në vlerën 25 mijë USD, kurse në vitin 2009 ka marrë kredi 150 mijë euro.
Elvis Çefa, nënkryetari i ri i KLD-së, disponon para cash në shumën prej 1.4 milionë lekësh të rinj dhe rezulton kreditor në shumën 35.772 eurosh.
Dëshira Subashi, nënkryetarja e KQZ-së, ka një kontratë për blerje trualli me vlerë 300 mijë lekë në Shëngjergj të Tiranës. Ajo ka deklaruar si burim të ardhurash vetëm pagën e saj dhe të bashkëshortit.