Ikin avokatët amerikanë të Fazlliç
Fatos Mahmutaj
Lajmin e pohon avokati kryeqytetas Genci Gjokutaj, sipas të cilit dy kolegët amerikanë kanë lënë Shqipërinë paraditen e djeshme nëpërmjet aeroportit të Rinasit, prej edhe nga erdhën pesë ditë më parë. Gjatë qëndrimit të tyre pesëditore në Shqipëri, avokatët amerikanë Eduard Ross dhe Andrew Cocoran, mendohet se janë njohur me dokumentacionin që organi i prokurorisë së kryeqytetit kishte mbledhur në ngarkim të tyre. Ligjet shqiptare nuk lejojnë që mbrojtjen apo përfaqësimin në gjykatat shqiptare ta bëjnë mbrojtës që nuk janë licencuar apo anëtarësuar në Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Për pasojë dy mbrojtësit amerikanë, gjatë qëndrimit në Shqipëri kanë zhvilluar takime të shumta por jo zyrtarisht, ndërsa kanë mbledhur kopje të dokumenteve që i janë vënë në dispozicion avokatit Gjokutaj nga prokuroria apo ka tërhequr nga institucione të ndryshme. Burime pranë kësaj çështjeje pohojnë se avokatët amerikanë të Fazlliç, Ross dhe Cocoran kishin planifikuar të largoheshin nga Shqipëria paraditen e së dielës, por për shkak të një konference për shtyp, që mbajtën në mjediset e hotel “Sheraton” e shtynë largimin nga Shqipëria për një ditë më vonë. Gjatë deklaratës të lexuar në konferencën që zgjati vetëm pak minuta, avokatët amerikanë u treguan të kujdesshëm në dhënien e shpjegimeve, por thjesht nënkuptuan se politika ishte përfshirë në çështjen “Fazlliç”. Pasi lexuan deklaratën e tyre të shkurtër në vetëm pak rreshta, avokatët refuzuan t’iu përgjigjeshin pyetjeve të gazetarëve, ndërsa pohuan se klienti i tyre i kishte marrë me seriozitet të gjitha, përfshi deklaratat politike, atë çka është publikuar në media si dhe hetimin e organeve shtetërore. “Kemi ardhur në Shqipëri për t’i shqyrtuar këto akuza, të cilat zoti Fazlliç i ka marrë me shumë seriozitet. Gjatë katër ditëve të fundit, ne kemi mbledhur dokumente të nevojshme, kemi intervistuar disa persona dhe jemi takuar me një sërë individësh”, thanë dy avokatët e mbërritur nga Washingtoni për të mbrojtur Fazlliç, Eduard Ross dhe Andrew Cocoran. Më tej mbrojësit amerikanë thanë se u ishte dhënë gjithashtu mundësia për t’u takuar në Tiranë me prokurorët e caktuar, për të hetuar akuzat e publikuara nga media shqiptare. “Krijuam mendimin se prokurorët janë të sjellshëm dhe profesionistë dhe ata na siguruan se hetimi do të zhvillohet në mënyrë të paanshme, objektive dhe të shpejtë dhe se do të vendoset duke u bazuar vetëm mbi faktet. Kemi besim se prokurorët do të veprojnë me ndershmëri dhe do t’u përmbahen detyrimeve profesionale”, përfunduan avokatët konferencën e dy ditëve më parë. fa.ma.
Isufi: Prokuroria të më kërkojë falje publikisht
Erion Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha ka kërkuar dje nga organi i Prokurorisë, t’i kërkojë falje publike pas veprimit të një jave më parë, për vënien në sekuestro të pronave të tij. Prokuroria e Tiranës u tërhoq nga qëndrimi i saj fillestar, teksa para dy ditësh vendosi heqjen e sekuestros për dy kompanitë “Reno Albania” shpk dhe “Global Construction” sh.a. “Kërkoj që në përputhje me ligjin të më kërkohet falje zyrtarisht ose publikisht nga institucioni përkatës për këtë shkelje flagrante të së drejtave themelore të njeriut, për dhunimin e paarsyetuar të biznesit dhe në veçanti për cenimin e integritetit dhe figurës time morale dhe të familjarëve të mi. Shpreh besimin tim tek shteti ligjor si garancia e vetme kundër arbitraritetit dhe tek zbatimi me korrektësi dhe me paanshmëri i ligjit, si rruga e vetme për të garantuar të drejtat themelore dhe liritë e qytetarëve pa asnjë dallim, preferencë apo paragjykim”, thuhet në një deklaratë të shpërndajë dje nga Erion Isufi. I dyshuar fillimisht për lidhjet me biznesmenin Damir Fazlliç, Isufi thekson se si pasojë e vendimit të Prokurorisë për vënien nën sekuestro të dy kompanive, i është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm material dhe moral.