E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi i Kumbaros, Ina Rama dhe Shefi i Krimeve të Rënda në Londër

 

TIRANE – Kryeprokurorja Ina Rama së bashku me drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, ndodhen për një vizitë zyrtare në Londër. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare sipas të cilave vizita zyrtare e krerëve të akuzës shqiptare po zhvillohet me ftesë të prokurorisë britanike. Udhëtimi drejt Londrës i Prokurores së Përgjithshme dhe kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda vjen vetëm pak ditë pas arrestimit në Angli të Ilir Kumbaros. Ky i fundit është një nga katër personat e akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Ish-oficeri 53-vjeçar i Shërbimit Informativ të Tiranës ra në pranga katër ditë më parë, pas një ndjekje për më tepër se 20 ditë. Arrestimi i tij në Londër është realizuar pas kërkesës së Prokurorisë shqiptare, e cila rihapi hetimet për zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe dërgoi dosjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda me katër të pandehur, mes të cilëve edhe ish-agjenti i SHIK-ut, që ishte arratisur nga Shqipëria prej vitit 1996. Ekstradimi i Ilir Kumbaros në Shqipëri është një nga proceset më të bujshme, pasi për 13 vite vendndodhja dhe roli i ish-agjentit sekret kanë qenë mister. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se vizita e Ina Ramës në Londër është bërë në bazë të një ftese të mëparshme nga krerët e prokurorisë angleze. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se vizita ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit mes prokurorive në dy vendet në luftën kundër kriminalitetit. Megjithatë, të njëjtat burime konfirmojnë se arrestimi i Ilir Kumbaros dhe ekstradimi i tij në Shqipëri do të jenë një nga çështjet që do të diskutohen gjatë takimeve që zyrtarët e Prokurorisë shqiptare po zhvillojnë në Londër. Në delegacionin që drejton Ina Rama, ndodhet edhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ky institucion rihetoi rrethanat e zhdukjes së Remzi Hoxhës e më pas dërgoi dosjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, ku aktualisht po vazhdon shqyrtimi gjyqësor i provave penale të grumbulluara gjatë hetimeve paraprake.                  t.s        

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›