E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memelli: “I fal 21 golat për titullin kundër Vllaznisë”

Të shtunën në “Qemal Stafa” luhet supersfida për titullin kampion

Dash Frashëri- Kur presidenti me rotacion i Tiranës, Refik Halili, prezantoi në restorantin luksoz të Shefikat Ngjelës (një donatore prej katër vjetësh e bardhebluve), trajnerin boshnjako-kroat Blaz Slishkoviç, një nga blerjet e konsideruara prej “Ridit”, si më të bujshmet e tij, ishte pikërisht sulmuesi Migen Memelli.
Në fakt, pogradecari edhe pse vinte si i huazuar te 23-herë kampionët e Shqipërisë, pas tri viteve eksperiencë nordike, me Bran Bergenin në Norvegji e Gaisin në Suedi, nuk kishte luajtur kurrë në një ekip të nivelit të lartë në kampionatin shqiptar apo me skuadra të kryeqytetit, por me Skënderbeun, Teutën, Laçin dhe Elbasanin.
Kryedonatori Halili pati një besim të verbër te “pasuesi” i legjendës Indri Fortuzi (dy herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë, 131 gola në 181 ndeshje me Tiranën) në vijën e parë të sulmit bardheblu.

Memelli, po afron ndeshja e vitit për skuadrën tuaj, ajo kundër Vllaznisë në “Qemal Stafa”, që do të përcaktojë titullin kampion, por dhe skuadrën që do të luajë sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve. Si po përjetoni?
Është me të vërtetë një takim shumë i fortë dhe i vështirë. Megjithatë unë besoj se për momentin kemi një ekip më të përgatitur dhe më të konsoliduar se Vllaznia.

Ke shënuar deri tani 21 gola në 32 javët e para, megjithëse je aktivizuar në vetëm 27 takime, ndërkohë që çuditërisht të mungon një gol kundër Vllaznisë. A keni ruajtur një gol kundër saj në “finale”?
E kam përsëritur shpesh dhe e kam theksuar gjithmonë, se objektivi im më i madh është fitimi i titullit kampion. Me sinqeritetin më të madh do të thosha se nuk kanë vlerë golat e mi pa marrë titullin. Në lidhje me golin kundër Vllaznisë, nëse do të arrij të shënoj, do t’ia dedikoj atë familjes të madhe tiranase, tifozerisë bardh e blu, trajnerëve qe punuan për këtë skuadër, fubollistëve të saj dhe në fund njeriut, që shpenzoi dhe projektoi këtë Tiranë, Refik Halilit. Me tifozët kemi ndarë momente të vështira bashkë dhe ishalla dalim kampion që të harrohen të gjitha.

Edhe pse ka mbetur një javë për t’u luajtur, praktikisht je fituesi i “Këpucës së artë” të sezonit, nisur dhe nga fakti se rivali juaj më i afërt, Sebino Plaku ka shënuar 3 gola më pak, e për më tepër nuk luan për Dinamon në ndeshjen e fundit. Një trofe personal me vlerë apo jo, kur në 69 kampionatet e mëparshme vetëm 11 lojtarë të Tiranës kanë mundur ta fitojnë atë. E kishe menduar se do të ishe ti fituesi i “Këpucës së artë”?

Është bukur të jesh pjesë e historisë së Tiranës, e për më tepër të atyre që kanë mundur të fitojnë “Këpucën e artë”. Unë kam luftuar fort për të përmbushur së pari, objektivin tim, për të realizuar 20 gola këtë sezon, e së dyti për të qenë golashënuesi më i mirë. Kam besuar te aftësitë e mia. Nga ana e tjetër dua të thekso se rivaliteti ka qenë shumë i fortë. Për mua ky është kampionati më i fortë i gjithë kësaj dekade. Dua të theksoj se është e gjithë skuadra e Tiranës që ma dha këtë trofe dhe unë bashmë me të gjithë lojtarët dëshirojmë t’i japin asaj titullin e 24-t.

Statistikat tregojnë se golashënuesi më i mirë i fudnit i Tiraës, ishte pikërisht Vioresin Sinani (2006-2007, 23 gola), që tashmë është pjesë e kampit kundërshtar dhe një rival i juaji në “finalen” e 23 majit, edhe pse Viori këtë sezon ka shënuar këtë sezon 14 gola. Cili është mesazhi juaj ndaj tij?

Viori është një nga lojtarët më të kompletuar dhe më me eksperiencë në këtë kampionat. Është një sulmues i madh dhe këtë e tregojnë dhe golat e tij të shumtë në sezonet e fundit. Mesazhi im është tërësisht “armiqësor”: të mos arrijë dot të shënojë kundër nesh. Deri tani nuk e ka bërë dot. Gjithsesi, i uroj suksese, por titullin dua të mbetët në Tiranë, pasi me të vërtetë e meritojmë. Dua të shtoj se Sinani është një konkurrent i fortë e të nxit të bësh gjithmonë gjëra të mira. Sigurisht më shtohet akoma dëshira për të bërë gjëra dhe më të mëdha në karrerë.

Je mbajtësi i disa rekordeve këtë sezon: gol pas 8 sekondash lojë, pesë gola në një ndeshje, golashënuesi më i mirë në Kupë e kampionat. Sezoni 2008-2009 duket se është një super-edicion për t’u futur përgjithmonë në arkiv...
Ndihem me të vërtet mirë për këto që kam arritur. Besoj se janë si vazhdimësi e punës sime, por dhe kontribut i pamohueshëm i skuadrës.

Ke luajtur në Norvegji e Suedi. Madje, me norvegjezët e Bran Bergenit ke shënuar edhe katër gola në Kupën UEFA. A do të rikthehesh në një kampionat të huaj?
Besoj se po. Shumë shpejt. Por më parë dëshiroj të fitojmë kampionatit. Pas mbarimit të sezonit në bashkëpunim edhe me menaxherin tim e në marrëveshje edhe me klubin e Tiranës, do të shikojmë mundësitë që do të na krijohen. Në lidhje me eksperiencën time në Norvegji e Suedi, mund të them se kam fituar shumë, si në planin taktik e teknik dhe në kondicionin fizik. Te Bran Bergen kam pasur fatin të luaj me Martin Andresen, kapitenin e Kombëtares së Norvegjisë, por dhe me lojtarë të tillë si Torshtajn Helstad, Bent Saternes, Çarli Miles, etj. Në fakt, te Gaisi e ndjekin ecurinë time në Shqipëri dhe më kanë telefonuar shpesh drejtuesit e klubit sa herë që kam shënuar.

Tashmë je pjesë e Kombëtares shqiptare. U grumbulluat kundër Hungarisë e Danimarkës (luajti disa minuta), por edhe në miqësoren kundër Milanit. Portugalia është në prag, më 6 qershor do të luajmë kundër Kristiano Ronaldos me shokë.
Është mirë të jetosh emocione të tilla. Shpresoj që në ndeshjet në vazhdim të thirrem rregullisht dhe të bëhem pjese e saj jo thjesht si një kandidat i saj, por pse jo të jem edhe titullar. Kundër Portugalisë do të dëshiroja shumë një rezultat pozitiv, ashtu siç arritëm edhe në ndeshjen e parë kundër tyre.

21 golat e Migen Memellit

Java 2 Teuta-Tirana 0-1 (1 gol)
Java 4 Apolonia-Tirana 0-2 (1)
Java 5 Tirana-Flamurtari 3-1 (3)
Java 7 Tirana-Dinamo 2-1 (1)
Java 14 Partizani-Tirana 2-2 (1)
Java 17 Tirana-Bylis 6-2 (3)
Java 18 Dinamo-Tirana 2-4 (2)
Java 20 Besa-Tirana 1-3 (1)
Java 23 Tirana-Lushnja 2-1 (1)
Java 26 Flamurtari-Tirana 1-2 (2)
Java 27 Tirana-Elbasani 3-0 (1)
Java 29 Tirana-Teuta 4-1 (2)
Java 30 Besa-Tirana 1-1 (1)
Java 31 Tirana-Shkumbini 3-1 (1)

“Këpuca e artë”

29-vjeçari Memelli, që gjatë gjithë karrierës së tij të mëparshme 27 gola në gjashtë sezone (15 me Skënderbeun, 8 me Teutën, 4 me Elbasanin e 1 me Laçin), në sezonin e parë të tij me Tiranën, kur ka mbetur edhe vetëm një ndeshje për t’u luajtur edhe 90 minuta nga përfundimi i sezonit, pikërisht ndaj Vllaznisë, ndaj së cilës nuk ka mundur të shënojë në tre takimet e zhvilluara: 1 në kampionat, 2 në Kupën e Shqipërisë, ka shënuar 21 gola, më shumë se kushdo tjetër në këtë kampionat.

Pesë rekorde

Memelli, i cili mban disa rekorde personale e sezonale gjatë këtij edicioni futbollistik: autor i golit më të shpejtë në kampionat pas vetëm 8 sekondash lojë (kundër Flamurtarit në kampionat), shënuesi i pesë golave brenda një ndeshje (kundër Lushnjës në kupë), golashënuesi më i mirë i në Kupë (8 gola), tashmë do të fitojë edhe “Këpucën e artë” të kampionatit, pasi ndjekësi i tij më i afërt, Sebino Plaku (Dinamo, 18 gola) nuk luan kundër Bylisit në Ballsh.

200 mijë euro

Presidenti me rotacion i Tiranës, Refik Halili, mësohet se ka vendosur një super-premio prej 200 mijë eurosh për titullin kampion. Për çdo lojtar kjo do të thotë afro 7 mijë euro nëse arrijnë të realizojnë objektivin për fitimin e titullit të 24-t.
Në javën e 33-të, java e fundit e sezonit, Tirana, kryesuese e kampionatit të 70-të Kombëtar (65 pikë), do të përballet me Vllazninë, duke pasur një pikë më shumë se kundërshtarët kuqeblu.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›