Ikja dinjitoze e Kreshnik Spahiut
Për nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z.Kreshnik Spahiu, e djeshmja mund të konsiderohet si dita e fundit që ai shkel në ambientet e atij institucioni ku hyri rreth 5 vjet më parë për të drejtuar qeverisjen e gjyqësorit. Nëpërmjet një konference për shtyp, ai njoftoi dhënien e dorëheqjes nga posti i lartë që mbante. Ndonëse për miratimin e dorëheqjes ai duhet të presë edhe vendimin e Kryetarit të Shtetit, duket se z.Spahiu e ka mbyllur kapitullin e tij me KLD-në. Dorëheqja vjen në momentin kur Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një komision hetimor rreth veprimtarisë së KLD-së, e posaçërisht të z.Spahiu, në lidhje me detyrën e tij funksionale dhe angazhimet jashtë institucionale.
Zoti Spahiu kishte deklaruar ditë më parë se me gjithë presionet që po i bëheshin, sdo jepte dorëheqje. Megjithatë ai e kishte lënë të kuptohet se qëndrimi i tij në atë detyrë sdo mund të zgjaste për shumë kohë e për këtë ishte shprehur se largohem apo shkarkohem kjo është me pak rëndësi sepse unë e kam zgjedhur rrugën time, por është thellësisht serioz precedenti antikushtetues për të ardhmen.
Ai e dinte se sdo mund ti shpëtonte grackës formale me emrin Komisioni Hetimor Alibeaj, vendimmarrja e të cilit dihej ende pa nisur punë. Kryetari de fakto i komisionin, kryeministri Berisha, ishte i pari që në mes të janarit dha lajmin për shkarkimin e tij nëpërmjet një komisioni hetimor. Pra, komisioni ishte thjesht pikënisja për të justifikuar sa për sy e faqe botës një vendim që gjithkush e dinte sesi do të përfundonte.
Shumica kuvendore ka treguar mëse një herë se kur ndërmerr një nismë për shkarkimin e dikujt, e çon deri në fund misionin e saj, qoftë ose jo në përputhje me kushtetutën ose ligjet që normojnë funksionimin e institucioneve të caktuara.
I gjithë konflikti, siç e pranon vetë z.Spahiu, ka filluar qysh në vitin 2008 me presione nga ana e pushtetit ekzekutiv. Por ajo që i përshpejtoi gjërat ishin daljet e tij publike përkrah një aleance që nisi të ngrejë zërin për disa çështje të mprehta me karakter kombëtar e atdhetar, ndonjëherë me pak doza nacionalizmi, por gjithsesi brenda kuadrit patriotik.
Kjo e shqetësoi shumë shumicën, veçanërisht Berishën, të cilët panë se forcat kundra tyre po shtoheshin ndjeshëm, sidomos në kushtet aktuale kur edhe një grusht votash mund të bëjë diferencën në zgjedhje.
Berisha ishte i bindur se z.Spahiu do rezistonte dhe shpresonte që me anë të komisionit Alibeaj, ti organizonte një shkarkim me ceremoni pikërisht atij që 8 vjet më parë, nga salla e Komisionit të Helsinkit të Kongresit Amerikan, i jepte një dorë më shumë opozitës së atëhershme për të ardhur në pushtet, me denoncimin që i bënte qeverisë Nano.
Por shumica nuk kishte arsye të investohej kaq fuqishëm e të ngrinte një komision hetimor. Me këtë ajo po hapte një front të ri lufte, duhet thënë të panevojshëm, pasi dihet që Presidenti aktual hoqi dorë nga rikandidimi dhe ashtu siç po duron z.Topi edhe pak muaj, si kushtonte asgjë të duronte edhe z.Spahiu po aq.
Synimi i shumicës ishte që përveç tërheqjes së vëmendjes në tjetër drejtim, njëkohësisht të zbulonte shkelje të mundshme të z.Spahiu e me to në duar të çirresh lart e poshtë për të ulur sadopak atë mbështetje që ai ka fituar.
Kjo dorëheqje duket se e gjeti sërish të papërgatitur shumicën kuvendore aq sa një nga anëtaret e komisionit deklaroi ngutshëm se nuk ia pranojmë dorëheqjen por do e shkarkojmë. Ishte një deklaratë qesharake pasi akti i dorëheqjes është diçka personale dhe pranimi ose jo i saj nuk varet prej tyre, por kjo në vetvete tregon shkallën e lartë të nervozizmit që mbizotëron në radhët e shumicës. Fundja, pikësynimi i tyre fundor ishte largimi i z.Spahiu nga posti që mbante dhe ai ia lehtësoi shumë punën këtij komisioni, misioni i të cilit tani ska më asnjë kuptim. Edhe nëse do kishte shkelje në punën e tij, tashmë në atë institucion janë inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët në përfundim të kontrollit do paraqesin edhe raportin zyrtar. Me gjithë mosbesimin që mbizotëron nga fakti që tashmë në krye të KLSH-së është z.Leskaj, duhet shpresuar që kontrollorët e këtij të fundit të tregohen më me integritet profesional sesa kontrollorët tendenciozë të Alibeajt.
Me heqjen dorë nga funksionet shtetërore, z.Spahiu ndjehet i çliruar për të nisur edhe de jure aksionin e tij politik. Ngutja e shumicës kuvendore duket se e përshpejtoi atë. Z.Spahiu ndjeu se skishte më kohë për të humbur me luftra donkishoteske. Çdo ditë e humbur do ishte në dëm të tij dhe të atyre që besojnë tek lëvizja e tij.
Me dorëheqjen e dhënë z.Spahiu fitoi 5 muaj kohë të çmueshme të cilat do i shërbejnë për të konsoliduar partinë e tij të re e cila do kohën e vetë për tu shtrirë e organizuar anë e kënd vendit, jo vetëm si frymë, por edhe konkretisht me struktura e burime njerëzore. Shumica kuvendore ia dha këtë shans duke i dhënë edhe një dorë të mirë mbështetjeje në elektorat me veprimet e nxituara që ndërmori.
Asaj si prishte asnjë punë qënia e z.Spahiu në KLD, pasi koha ka treguar se gjyqësori nuk drejtohet më nga KLD-ja, por nga Berisha. Gjykatësit e të gjitha niveleve, përfshi edhe ata super-imunitarët e Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, kanë treguar me vendimmarrjet e tyre se u binden gjithfarë urdhërash që u jep Berisha. Kësisoj, roli i z.Spahiu në KLD-së ishte kthyer më së shumti në honorifik, sepse edhe emërim-shkarkimet apo ulje-ngritjet në detyrë, ortientoheshin sipas orekseve të ekzekutivit nëpërmjet përfaqësuesve të besuar në një KLD që sa vinte e po pushtohej.
Të vetmet enigma që mbeten të zgjidhen në ditët në vazhdim janë:
së pari, në cilin krah të politikës do pozicionohet Aleanca Kuq e Zi (me shumë gjasë në qendrën e djathtë);
së dyti, a do i përmbahet z.Spahiu deklaratës së tij se kjo aleancë ska të bëjë me synimet politike të Presidentit Topi.
Gjithsesi, qoftë e vetme, qoftë e bashkuar me z.Topi, partia më e re që po lind do arrijë të korrë aq elektorat saqë të bëhet jo vetëm faktor politik në Shqipëri, por ti shkaktojë edhe një dëm të madh politiko-elektoral në zgjedhjet e ardhshme shumicës aktuale. Me daljen në skenë edhe të zotit Topi, dëmi elektoral do shumëfishohet. Dhe për këtë, një rol kryesor ka vetë kryetari i PD-së. Është kosto politike që Berisha sdo ketë se kujt tia shkarkojë, përderisa kësaj here ka qenë vetë ai protagonist i saj.
