66 apo vetëm 1
Ndërkohë që në qendër të vëmendjes së publikut shqiptar kanë qenë zhvillimet e fundit dramatike rreth ngjarjeve të 21 janarit, etj., komisioni parlamentar për reformën zgjedhore ka vazhduar papushim punën për ndryshimet që do ti propozojë Kuvendit nga mesi i marsit. Nga burime të mirëinformuara, kam marrë vesh se ka mirëkuptim mes anëtarëve të këtij komisioni për të zëvendësuar numërimin me dorë të votave me atë me skanim. (Për numërimin me skanim kam shkruar gjatë në artikullin Si ti numërojmë votat? http://www.respublica.al/opinion/2011/12/14/si-ti-numerojme-votat). Sidoqoftë, burimet e mirëinformuara më lanë të kuptoj se ende nuk është rënë dakord për vëndin/vendet ku do të bëhet numërimi.
Disa mendojnë se numërimi me skanim duhet bërë në 66 qendrat aktuale të numërimit të votave (66 KZAZ-të), ndërsa disa të tjerë mendojnë se duhet bërë në një qendër të vetme në Tiranë. Unë votën time e jap për këta të fundit. Dhe ja përse.
Në zgjedhjet e shkuara mund të jetë bllokuar një qendër numërimi thjesht si kundërpeshë e bllokimit të një qendre tjetër, dhe është dashur të shkojnë atje ambasadorët, që të vazhdojë numërimi. Për shembull, po të mos kishte përveshur mëngët amabasadori amerikan në njësinë numër 5 të Tiranës (sa turp!), mund të ishim ngujuar për javë të tëra para televizorëve, në pritje të përfundimit të numërimit të votave të majit të 2011-ës. Ndërsa në 2009-ën, në qoftë se kutitë e Fushëkuqes dhe të Ndërmenasit nuk do të kishin ardhur në Tiranë (pas trysnisë së ambasadorëve të huaj – sa turp!), Zoti e di se kur do të kishte mbaruar numërimi i votave të qarqeve Lezhë dhe Fier.
Përveç bllokimeve si këto të sipërpërmendurat, të cilat pothuajse shkaktuan përplasje me pasoja të rënda për stabilitetin e vendit, numërimi i votave në 66 qendra është edhe shumë herë më i kushtueshëm financiarisht. Dhe kjo është e vërtetë si për numërimin me dorë ashtu edhe për atë me skanim.
Pra, si tia bëjmë që, larg qoftë, të mos përsëriten skena si ato të numërimit të votave të Fushkuqes, Ndërmenasit, njësive 5 e 8 të Tiranës, apo edhe të Bushatit, Uznovës, etj., etj.? Ndërkohë, si tia bëjmë që koston e numërimit ta kemi sa më të vogël? Një mënyrë është ajo e numërimit të të gjitha votave në një sallë të vetme në Tiranë (Pallati i Sportit ka sallën më të përshtatshme), ku prania e ambasadorëve, kamerave televizive dhe vëzhguesve mund të jetë e pandërprerë.
Në rastin e votimit me dorë, kjo zgjidhje do të sillte vetiu një vonesë të konsiderueshme në numërim të numërosh me dorë 1.6 milionë vota në një sallë të vetme (sado e madhe qoftë ajo) mund të duhen dy-tri javë. Por, në qoftë se do të vendoset që votat të numërohen me dorë, është më mirë të presim 2-3 javë për të marrë vesh rezultatin, se sa të shohim përsëri skena të dhunshme si ato të numërimit të votave të Fushëkuqes, Ndërmenasit, Bushatit, Uznovës, njësive 5 e 8 të Tiranës etj., etj.
Nga ana tjetër, në rastin e numërimit me skanim, vonesa në numërim nuk përbën problem 1.6 milion votat mund të numërohen për 24 orë në Pallatin e Sportit në Tiranë. Dhe ndërprerja e procesit të numërimit, për shkak të ndonjë ndërprerje të energjisë elektrike (si në zgjedhjet e fundit në Korçë, Durrës, etj.), mund të shmanget me përdorimin e një gjeneratori elektrik të vetëm. Ndërkohë, partive nuk do tu duhen nga 66 specialistë elektronikë secilës, për të kontrolluar nëse makinave skanuese u bëhet ndonjë marifet. Do të duhet vetëm nga një specialist elektronik për parti në Pallatin e Sportit në Tiranë
*respublica.al
