E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikja e Hilarise. Cila femër do ta pasojë?

Endrra e Hilari Klintonit për të
"marrë" Shtëpinë e Bardhë
mbeti në sirtar, të paktën në
këto zgjedhje, megjithatë ajo
nuk do të mbetet e vetme në përpjekjet
e saj, pasi gra të tjera do të provojnë në
të ardhmen, tani që rruga u hap.
Një ditë, në të ardhmen, do të shndërrohet
në një fakt të kryer: Shtetet e
Bashkuara do të kenë edhe Presidenten
e tyre femër. Për sa i përket pionieres që
i hapi rrugën të tjerave, në të ardhmen,
Hilari Klintonit, ajo tashmë është tërhequr
nga gara e mundur nga Obama. E
ndërsa Hilari nuk ka dyshim që do të
vazhdojë karrierën e saj si senatore, shumë
gra amerikane kanë nisur të shohin
të ardhmen dhe të pyesin veten: kush
mund të jetë ajo grua që do të shkruajë
historinë duke marrë në dorë çelësat e
Zyrës Ovale? Emrat që mund të renditen
janë befasues.
Disa prej tyre janë emrat e senatoreve
Kathleen Sebelius, guvernatorja e
Arkansasit, apo Sarah Palin, homologia
e saj e Alaskës. Sigurisht që për një të
huaj ato nuk kanë asnjë lloj domethënieje,
por për një amerikan janë mjaft të
famshme dhe së bashku me senatorë e
politikanë të tjerë, të gjitha kanë filluar
të mendojnë seriozisht për kandidimin
e zgjedhjeve të ardhshme. Në Shtetet e
Bashkuara, siç e tregoi edhe fushata e
fundit, kurrë nuk është vonë të ndash
mendjen për kandidimin presidencial.
Ndër këta politikanë, një pjesë e mirë
janë femra dhe po t‘u shtosh këtyre
femrave pretenduese edhe emrat e disa
biznesmenëve të fuqishëm mund të
marrësh me mend lehtë se cilat do të
jenë "mëtonjëset" e ardhshme të Shtëpisë
së Bardhë. Katha Pollitt, një kongresiste
feministe, që ka mbështetur gjatë
gjithë kohës senatorin, Obama, demokratin
e Ilinoisit që do të përfaqësojë
partinë në zgjedhjet e nëntorit, është e
ndërgjegjshme se grupi i femrave që
mund të kandidojnë 4 vitet e ardhshme,
gjithsesi është modest në numër. Megjithatë,
ajo është e mendimit se sa më
shumë njerëz tentojnë të bëjnë diçka,
aq më shumë u duket edhe të tjerëve e
mundur arritja e një sprove dhe e vetë
objektivit. Të gjitha janë të mendimit se
trashëgimia e Hilarisë do të jetë shumë
e vlefshme dhe do të konsiderohet një
shembull suksesi për një kohë të gjatë,
të paktën deri në fitoren e një tjetër
kandidateje, qoftë kjo zgjedhjet e ardhshme,
apo kurdo qoftë. Në fakt, sipas
vlerësimeve të bëra nga analistë të ndryshëm,
dashamirës ose jo të fushatës
së ish-Zonjës së Parë, ajo u shqua në një
sërë gjërash gjatë përpjekjes së saj. Një
ndër to ishte edhe aftësia e jashtëzakonshme
për të mbledhur fonde dhe mbi të
gjitha për të qenë këmbëngulëse dhe
plot besim deri në fund. Fakti që Hilari
arriti të bënte për vete miliona e miliona
votues ishte një tregues i faktit se publiku
amerikan është i përgatitur, tashmë,
për të pasur në krye të shtetit një grua,
edhe pse këtë herë përpjekja e saj nuk u
finalizua. Fakti që ajo humbi nuk kishte
të bënte me faktin se ajo ishte, grua, por
që ishte Hilari Klinton. Një pjesë e mirë
e popullsisë nuk ishte dakord me idenë
e rikthimit në Shtëpinë e Bardhë të
Klintonëve. Ka analistë, madje, që thonë
se po të kishte qenë një tjetër grua në
vend të Hilarisë, me kandidatët aktualë,
mund të kishte dalë e fituar, por Hilaria,
edhe pse u duk se "kapërceu ylberin"
dhe e ndryshoi shumë opinionin që kishin
për të, nuk mund të shkonte më
tutje me atë të shkuar dhe me atë mbiemër.
Pikërisht prova e Hilarisë, është
një mesazh i mirë dhe optimist për gratë
e tjera që ka të ngjarë të provojnë
garën presidenciale 4 vitet e ardhshme.
Sipas një analisteje të sondazheve: "nëse
ke një kimi me votuesit, biologjia nuk të
prish punë", pra tashmë të qenit
mashkull, apo femër nuk përbën ndonjë
dallim të madh, nëse individi arrin "të
ngjisë" te votuesit. Për të mirë, apo për
të keq, Klinton e nisi fushatën e saj zgjedhore
si një politikane e mirënjohur në
arenën ndërkombëtare. Ajo kishte prej
vitesh një status VIP-i, i cili nisi e u formua
gjatë 8 viteve presidenciale të të
shoqit. Në të kundërt të Hilarisë, 4 vjet
më parë pakkush e njihte Barak Obamën.
Pikërisht këtë status të panjohuri Obama
e përdor me shumë mjeshtëri në
fillim të fushatës duke ua paraqitur votuesve
si një pikë të fortë dhe një nxitje
për të fituar, pavarësisht faktit se kundërshtarja
e tij ishte e mirënjohur. Sfida
e tij ishte që të mundte politikanët që
ishin të koracuar dhe të famshëm në
politikë, duke sjellë një frymëmarrje të
re. Pozicioni fillestar i Obamës rezultoi
në një pikë të fortë të tij, e nëse në vend
të Hilarisë do të kishte një tjetër grua me
një tjetër mbiemër, ndryshe nga Klinton,
nuk i dihet se si do të kishin shkuar
punët, pasi njerëzit kanë nevojë për
freskinë dhe emrat e rinj. Për sa i përket
njërës prej kandidateve të mundshme
presidenciale të së ardhmes, Sibeliusit,
ajo është jo shumë e njohur në skenën
kombëtare, por tepër e njohur në politikën
e vendit të saj. Demokratja është
rritur në Ohajo, shtet në të cilin i ati ishte
guvernator dhe i shoqi është djali i një
ish-anëtari të Kongresit. Liderëve të
partisë u ra në sy kur fitoi bindshëm në
vitin 2002 postin e guvernatores së Arkansasit,
në një shtet të njohur për
preferencat republikane. Madje, edhe
pas ardhjes në detyrë, ajo vazhdoi me
këmbëngulje që të shndërronte disa prej
figurave kryesore mbështetëse të republikanëve
në ithtarë të zjarrtë të partisë
kundërshtare, pra të demokratëve. "Ajo
është shumë politikane e mirë. Është
rritur në një mjedis burrash dhe pika e
saj e fortë është marrëdhënia në rrethe
të ngushta njerëzish. Para masave të
mëdha nuk është e zonja, ndërsa arrin
që të elektrizojë e të bëjë për vete një
auditor prej pak vetash, sidomos kur
bëhet fjalë për meshkuj", thotë një analiste
politike. Sibelius, një 60-vjeçare
është një yll që ka marrë shumë shkëlqim,
sidomos muajt e fundit. Ajo ka dalë
në faqet e revistës "Vogue" dhe duke
qenë se është një nga mbështetëset më
të zellshme të Obamës, konsiderohet
prej stafit të tij si një nga kandidatet e
mundshme për të zënë postin e zëvendëspresidentes,
në rast se kandidati
demokrat do të arrijë të fitojë garën për
në Shtëpinë e Bardhë. Sigurisht, një
pozicion i tillë do të ishte trampolinoja
më e mirë për të që 4, ose 8 vitet e ardhshme
të mëtonte kandidaturën presidenciale.
Ndërsa republikania, Palin,
gjithashtu ka dalë në revistën "Vogue"
dhe është një pretendente e fshehur për
postin. Në vitin 2006, në moshën 42-
vjeçare është zgjedhur guvernatore e
Alaskës dhe rruga e saj drejt majave të
politikës nuk ka qenë ndër më të zakonshmet.
Në të ri ka qenë një "mbretëreshë
bukurie" dhe për disa kohë ka punuar si
reportere në një stacion televiziv. Së
fundi solli në jetë fëmijën e saj të pestë,
një djalë i cili është i sëmurë me sindromën
doën. Për sa u përket bindjeve
politike, ajo është një konservatore e
thekur që nuk i trembet syri ndaj debateve
dhe që është e gatshme të bëjë
beteja të mëdha për të bërë sa më shumë
njerëz për vete në partinë e saj. Së fundi,
në një intervistë zuri në gojë
mundësinë për të kandiduar
për postin e zëvendëspresidentes
përkrah, Meçain. Por
në politikën amerikane ka
edhe nga të tjera jo më pak të
njohura. Njëra prej tyre është
Nancy Pelosi, Kryetarja e Parlamentit
e cila është edhe
gruaja e parë në një post të
tillë në historinë e politikës
dhe institucioneve të Shteteve
të Bashkuara të Amerikës, por
ajo deri tani nuk ka shprehur
ndonjë ambicie të qartë për në
Shtëpinë e Bardhë. Një tjetër
zonjë e fortë e politikës është
edhe Condolezza Rice, Sekretarja
e Shtetit e Administratës
"Bush", emri i së cilës është lakuar disa
herë për postin e kandidates presidenciale,
por roli që pati në luftën e Irakut
ia ka ulur shumë reputacionin dhe e bën
një personazh jo shumë të dashur. Ndërkohë,
në listën e grave që mund të jenë
pretendente shumë shpejt shtohet edhe
emri i Elisabeth Dole nga Karolina e
Veriut, senatore dhe bashkëshorte e
njërit prej kandidatëve të vjetër republikanë
për në Shtëpinë e Bardhë, Bob
Dole. Ajo dhe një tjetër senatore republikane
janë më të mëdha në moshë se
Hilari Klinton dhe përvoja e tyre e madhe
në politikë mund të konsiderohet si
një aset i madh për Obamën për sa i
përket postit të zëvendëspresidentit. Një
tjetër emër interesant i një gruaje të
suksesshme e ambicioze është ai i Carly
Florida, ish-shefja ekzekutive e Helvett-
Packard, e cila është një ndër republikanet
e mundshme për kandidaturë. Edhe
pse nuk ka një rol të caktuar në politikën
amerikane, ajo është një ndër pikat kyçe
të stafit të kandidatit aktual republikan,
Meçain. Ka zëra që e mbështesin kandidaturën
e saj për numrin 2 të republikanëve
dhe këta zëra nuk janë të pakët.
Edhe nga ana e demokratëve ka zonja
që janë në fokus. E tillë është Chris Gregorie,
guvernatore e Uashingtonit dhe
ish-prokurore e Përgjithshme e Shtetit,
e cila konsiderohet si një avokate shumë
e aftë në lëmin e edukimit dhe të kujdesit
shëndetësor. Një tjetër është Janet
Napolitano, guvernatore e Arizonës, e
cila ka gjithashtu një histori arritjesh
shumë pozitive dhe ka fituar reputacion
për sa i përket mënyrës së zgjidhjes së
problemeve të emigracionit në një shtet
kufitar ku çështje të tilla janë jetike.
Jennifer Granholm është guvernatorja e
Miçiganit, e cila mund të konsiderohet
një tjetër grua e fortë dhe ambicioze në
"skuadrën" e grave pretendente. E ndër
këto emra grash të sprovuara në politikë
ndodhet edhe një emër që sapo ka
nisur të përvijohet. Është ai i vajzës së
Klintonëve, Çelsa Klinton, e cila u kthye
në një nga pikat më të forta të fushatës
zgjedhore të së ëmës. Edhe pse vajza
është shumë e aftë dhe shfaqi cilësi
të vyera si vetëpërmbajtja, logjika e
ftohtë apo oratoria e pa të metë, ka një
defekt dhe ai është si gjithmonë mbiemri
"Klinton". Por të mos përjashtojmë
faktin se Hilari, pavarësisht humbjes,
mund të vendosë të kandidojë sërish 4
vitet e ardhshme. Veç këtyre grave
mund të ndodhë që gjatë katër viteve
të ardhshme të përvijohen emra të rinj,
aktualisht të panjohur, por që me
mbështetjen e duhur mund të kenë
shanset të shndërrohen në yje të vërteta
në politikës e pse jo njëra prej tyre
mund të bëjë histori me arritjen e fitores.
Vëzhgues të ndryshëm kanë rënë
dakord në lidhje me një gjë: edhe pse
në politikën amerikane hyjnë e dalin
shumë gra me profile të mira, të pakta
janë ato që mund të konsiderohen
si "pesha të rënda" për
të përballuar garat presidenciale
dhe sfidën për në
Shtëpinë e Bardhë, e cila do
veç të tjerash një karakter të
hekurt e vullnet të pathyeshëm.
Lista e femrave me
cilësi të tilla është shumë shumë
e vogël. Për shumë gra,
pavarësisht se Hilari kishte një
mbiemër humbës, ajo ishte
prova se ekzistojnë gratë që
nuk tërhiqen dhe nuk dorëzohen
ndaj presioneve të mëdha
e të gjithanshme. Ajo ishte
mishërimi i shpresës se një
grua mund të gjejë forcën të
arrijë në maja që dikur kanë
qenë domen vetëm i meshkujve. Në këtë
aspekt, Hilaria ishte një vlerë dhe do të
mbetet për një kohë të gjatë një simbol e
shembull. Vetë Hilaria në një nga fjalimet
e fundit zgjedhore para elektoratit kur u
pyet se përse po këmbëngulte në përpjekjen
e saj tha: "Unë jam në këtë garë në
emrin tim personal, por edhe në emër të
gjithë grave të Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, të cilat shohin tek unë shpresën
e një ndryshimi, e kapërcimit të një
pengese të konsideruar deri më tani të
pamundur. Unë jam këtu për ato gra që
lindën në epokën kur femrat nuk kishin
të drejtë vote e që nuk duan të vdesin pa
parë një femër në Shtëpinë e Bardhë. Si
femra e parë kandidate në këtë garë, unë
ndiej thellë brenda vetes përgjegjësinë
për ta çuar garën deri në fund".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›