Ikja e Uliksit
Regjisori i shquar grek Teo Angjelopulos (Theodoros Angelopoulos), ndërroi jetë pas plagëve të rënda që mori në kokë nga një aksident me motor që ndodhi rreth orës 7.30 të mbrëmjes së martë. Angelopoulos xhironte skena të jashtme të filmit Deti tjetër në portin e Pireut pranë Athinës. Ndërroi jetë në spital në mesnatë. La pas të shoqen, producente e shumicës së filmave të tij, Phoebe, dhe tri vajza.
Me vdekjen e Teo Angjelopulos kinemaja botërore humbet fëmijën krijues të Ballkanit, një mjeshtër i modernizmit dhe i rrugëve të pashkelura. Shqipëria që do ta nderonte me një homazh sot veprën e Angjelopulos, është në Trilogjinë e kufijve një imazh në mjegull. Në dyzet vjet ai realizoi një kinema sipas tij, duke përdorur kuaj lufte përvojën personale dhe dijen që mbrun mjedisi ballkanik.
Punoi me aktorë në rolet kryesore Gian Maria Volonté, Marcelo Mastroianni, Jeanne Moreau, Harvey Keitel, Bruno Ganz, Willem Defoe, Michel Piccoli, dhe me portrete rishtarësh.
Trilogjia e tij e fundit me dy pjesët, Luadhi lotues (2004) dhe Pluhuri i kohës (2008), shfaqur në Berlinale, dukej se nuk do të mbyllej, kur ai nisi xhirimet në dhjetor 2011 në Athinë dhe ishte gati në mbarim të Detit tjetër me protagonist aktorin italian Toni Servillo (Gomorrah, Il Divo). Emigrimi ishte tema qendrore e filmit dhe Greqisë së tij në dy dhjetëvjeçarët e fundit.
Në dhjetor 2009 ai erdhi në Tiranë bashkë me të shoqen Phoebe Economopoulou, për të tërhequr çmimin e karrierës nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit. Për herë të parë shfaqeshin në kinema filmat e tij, Trilogjia e Kufijve ku bëjnë pjesë Hapi i pezullt i lejlekut (1991), Vështrimi i Uliksit (1995) dhe Përjetësi dhe një ditë (1998), të cilët publiku shqiptar i kishte ndjekur përpara në forma të tjera, si gjithë krijimtarinë e Angjelopulos. Përvoja personale, historia dhe bindjet e tij politike janë edhe objekt i intervistës marrë nga Shekulli më 9 dhjetor.
Zoti Angjelopulos krijimtaria juaj u paraqit në Shqipëri me tri filma që përbëjnë Trilogjinë e kufijve. Politikisht diskutimi i kufijve dhe lëvizjes me pengesa në Evropë, rihapet pas vitit 1989 dhe ju dy vjet më vonë realizoni Hapi i pezullt i lejlekut. Për të njëjtat arsye, politike, ju bëtë trilogjinë për kufijtë ku është përfshirë edhe Shqipëria?
Në plan të parë është emigracioni, portrete dhe personazhe të veprës që vijnë nga larg dhe afrohen diku gjetkë. Tek Përjetësi dhe një ditë është tepër e dukshme sepse është një fëmijë që vjen nga Shqipëria në Greqi dhe të tjerë fëmijë, një shoqëri fëmijësh. Tek Vështrimi i Uliksit, Shqipëria është, meqë filmi u luajt në kohën e luftës në Bosnjë. Është një njeri që kalon në Shqipëri në veri, për në Bosnjë. Pak a shumë kalon në gjithë gadishullin. Ky film në mënyrë të veçantë është për Ballkanin.
Përse (kufijtë)? Sepse shekulli i njëzetë hyri me luftë në Sarajevë dhe mbaron përsëri me luftë në Sarajevë. Është pra një pyetje, e pashmangshme, nëse historia ecën dhe nëse historia jep leksione. Kur hyn një shekull me luftë dhe mbaron me luftë në të njëjtin vend, për mua kjo do të thotë që nuk është bërë asnjë hap përpara. Në fakt nuk kemi ecur fare.
Çpërgjigje do të jepte sot personazhi juaj i vitit 1991 i cili thotë me hapin pezull mbi vijat kufitare blu dhe kuq: nëse hedh një hap, jam i huaj ose vdes.
Realisht nuk e di se sa kemi ecur në komunikim, dhe jo thjesht në transport njerëzish, ne popujt e Ballkanit. Me Shqipërinë nuk kemi shumë probleme, si me Bullgarinë që kemi pasur luftë, apo me Turqinë. Në këtë moment, çuditërisht, më duan më shumë se çdo komb tjetër turqit, bullgarët po ashtu, edhe në Rumani, me sa kuptoj edhe në Shqipëri ku po ndihem shumë ngrohtë. Çdo të thotë kjo? Unë bëj një punë, që do të thotë tregoj histori, që do të thotë tregoj histori të njerëzve, jo të njeriut grek, po të njeriut. Kjo është e vetmja mundësi komunikimi që të ndjehemi të gjithë që jemi tek e fundit njerëz dhe mbi të gjitha njerëz. Në jemi shqiptarë apo grekë, në thelb, kjo nuk duhet të jetë pengesë. Ky është shkëmbim ndërkulturor, shkëmbim me më të mirën e tjetrit.
Një element tjetër komunikimi i filmave të mi, është fati njerëzor që është i njëjtë për të gjithë njerëzit. Ska rëndësi prej nga vij dhe ku jam. Veçse këtu hyn një pyetje shumë e madhe: Ne bëjmë historinë e madhe apo historia na bën ne? Vendosim ne apo nuk vendosim? Jemi objekte apo subjekte të historisë?
Trilogjia flet për një kufi i cili nuk ka asnjë lidhje me Greqinë dhe Shqipërinë në veçanti, ka lidhje me kufijtë si shenjë, si një fund, si një pikë ndalimi në komunikimin mes njerëzve, është më shumë në kuptimin filozofik se politik.
E bëra edhe me Vështrimin e Uliksit, sepse, pavarësisht se popujt janë popuj, unë jam kundër kufijve.
Një nga filmat tuaj të parë Ditët e 36-ës na çon tek fillimet e filmave tuaj politikë. Pse ishte interesante të bënit film për kohën kur keni lindur?
Jemi në kohën e diktaturës së gjeneralit Metaksa. Ngjarjet zhvillohen pak më përpara se të vinte diktatura, pra periudha, ditët që bënë të mundur ardhjen e diktaturës. Ky film është xhiruar në mes të Diktaturës së Kolonelëve, më 72, ilegalisht. Doja të kuptoja kur një njëri lind pak më përpara se të lindë një diktaturë, ajo i karakterizon gjithë jetën dhe, kur vjen një diktaturë tjetër në një moment tjetër, përpiqet të kuptojë këtë që thashë pak më përpara: çjemi? Shkojmë përpara apo ecim mbrapa; gjërat bëhen jashtë nesh, jemi të destinuar të ndjekim ngjarjet e historisë apo mund të ndërhyjmë në një moment që ti ndryshojmë ato.
Njeriu edhe si ndërgjegje historike dhe politike?
Sigurisht që ekziston politika në filmat e mi. Është e njohur tashmë që unë jam pjellë e të majtës, unë u nisa nga e majta. Thuhet diku në një këngë të kompozitorit Miki Teodorakis: Ne kalërojmë sipër kohës, ne udhëheqim kohën. E majta besonte, që popujt bëjnë historinë. Unë në këtë moment sot, pas kaq vitesh, vazhdoj të mbetem një nostalgjik i të majtës e cila humbi tashmë, jo të sistemeve dhe regjimeve komuniste. Flas në përgjithësi për ideologjinë e majtë.
Bashkëpunimet me Marçelo Mastrojanin dhe Zhanë Moronë, me çfarë mbresash ju kanë lënë?
Mastrojani ishte njeri i vërtetë. Nuk ishte thjesht një aktor i madh. Ai vetë më ka thënë: Teo shiko, unë jam një fëmijë. Më thuaj një histori, më bëj që të prekem dhe jam me ty, eci. Nuk lexonte kurrë skenarin. Përpara se të bënim xhirimin unë i tregoja pak a shumë skenën, por me një mënyrë të tillë siç i tregon dikush një përrallë fëmijës. Shikoja që fytyra e tij ndryshonte, i merrte një trajtë tjetër, me ngjyrën e asaj të cilën po i tregoja. Pastaj futej brenda. Mbyllej në kabinën e tij dhe dilte menjëherë dhe bënte skenën. Çdo herë, xhirimi i parë, dubli u parë, ishte gjithmonë më i miri. Ky ishte Mastrojani.
Kurse Zhanë Moroja ishte tjetër gjë, ngaqë ishte femër, një grua me të cilën ishte dashuruar gjysma e planetit, pësonin ekstazë gjithë burrat kur e shikonin në ekranin e kinemasë. Dhe pa që ti afrohej dikush në mënyrë tërësisht tjetër, ti thotë dikush je shumë e bukur. Përpara xhirimit i thosha që vërtet sytë e tu kanë një dritë tjetër sot. Donte një tjetër afrimitet, donte një tjetër ngrohtësi. Aktore shumë e madhe. Kam bërë një treminutësh për Festivalin e Kanës (Secili kinemanë e vet, 2007, me kontributin e 33 regjisorëve). Bëmë xhirime në Paris. Zhanë Moroja është 80 vjeç e ca sot. Duhej të bënte një plan, të ngjiste një palë shkallë, të hynte diku dhe të bënte një monolog. Çishte ky monolog? Është letra e fundit që dëgjohet të lexohet tek Nata e fundit
